Debatet e forta në Këshillin Kombëtar të PD: Basha rikthen Topallin e Meksin, por jo Patozin e Boden

Lulzim Basha kryen një manovër për të kthyer në parti një pjesë të të larguarve të një viti më parë.

Pa i përmendur me emër, por duke përdorur ndryshimet në statut, Basha rikthen kritiken e tij të madhe, Jozefina Topalli në Këshillin Kombëtar dhe sipas gjasave javën e shkuar e fut në kryesinë e re.

Sipas ndryshimeve statutore, të gjithë ata që kanë pasur poste të larta në shtet si President, Kryetar Kuvendi dhe Kryeministra bëhen pjesë e Këshillit Kombëtar në mënyrë automatike pa pasur nevojë që të zgjidhen me votë në Kongresin e PD-së.

Propozimi në fakt ka ardhur nga Ervin Kulluri, një pjesëtar i kundërshtarëve të Bashës, por që është përkrahur menjëherë nga kryetari i PD-së, që madje as nuk e ka futur në votim por e ka kaluar unanimisht.

Sipas këtij ndryshimi, Bujar Nishani, Sali Berisha, Aleksandër Meksi dhe Jozefina Topalli janë treshja e përjetshme në “parlamentin” e Partisë Demokratike.

Kjo sepse Bamir Topi, që ka qenë president nga PD është larguar nga kjo forcë dhe ish-kryetari i Kuvendit, Pjetër Arbnori nuk jeton më.

Futja e nenit për ish-krerët e shtetit nuk është gjë e re në statutet e partive, pasi këtë e vendosi Edi Rama në Partinë Socialiste në vitin 2009, kur sanksionoi “Këshillin e të Urtëve” si institucion konsultativ dhe pjesëmarrjen në Asamblenë Kombëtare.

Ndryshimet statutore do t’i përcillen për miratim Kuvendit Kombëtar të PD pas një jave, i cili mblidhet në 28 dhe 29 prill.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të PD-së, ka qenë present nga “vip”-at vetëm ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i cili u largua demonstrativisht pasi nuk u pranua neni që sanksionon dorëheqjen e kryetarit të PD-së nëse humb zgjedhjet.

Kjo pikë nuk u vendos dhe sipas Edi Palokës, ajo është një klauzolë morale dhe nuk vendoset në asnjë dokument partie.

“Partia vijon të mbetet monokratike, propozimet jo vetëm nuk merren parasysh, por ajo që është më e keqja nuk lejohet diskutime. Nuk është një ditë e bukur kjo për PD-në”, tha Imami.

Ndërkaq, Edi Paloka deklaroi se megjithatë në statut është vendosur klauzola se kur shkarkohet kryetari.

“Çdo nen u votua ne këshillin kombëtar. U propozuan disa variante, qoftë për dorëheqjen ose kufizim mandati, dorëheqja është vullnetare, kurse shkarkimi është i përcaktuar në statut. Propozimi tjetër ishte për kryetarin, ku u dhanë ide për, shkarkimin e tij, por nuk u votua se i binte që PD të ishte gjithë kohën në votime”, tha nënkryetari i PD-së.

Në mbledhjen e djeshme nuk ishte present as Ridvan Bode, as Astrit Patozi e as Besnik Mustafaj, të cilët sipas gjasat i kanë “larë” duart me PD-në dhe janë drejt formimit të një partie të re të djathtë. /tesheshi.com/

 

Related posts