“I dashur armik”: të gjitha përzgjedhjet demokratike të Ramës që nisën me Aurel Plasarin; Visho Ajazi më i fundit

Emërimi më i fundit i Visho Ajazi Likës nga Edi Rama si ambasador i qeverisë së tij në NATO, nuk është i pari prej zgjedhjeve nga “kampi armik” që kryeministri ka kryer që prej kur hyri në politikën shqiptare në pranverën e vitit 1998. Pasi mori nga Fatos Nano autonominë për të lëvizur siç e kishte ai në mendje, Edi Rama ndërmori lëvizjen e bujshme të kohës duke iu drejtuar me një letër të gjatë formale një intelektuali, dukshëm të rreshtuar si kritizer i ashpër i socialistëve.

Në letrën e gjatë që u bë publike në ato vite dhe që nuk mbante aspak deklamimin “i dashur armik!”, por të kundërtën e tij, Edi Rama fton Aurel Plasarin që të pranonte drejtimin e Biblotekës Kombëtare, institucionin më serioz të “Kulturës së Rëndë”. Kjo lëvizje bëri kolpon e radhës në opinionin publik, që i dha ministrit të Kulturës “ndryshe”, edhe atë veshje politike “indipendente”shfaqur më pas në çdo zgjedhje për kryetar bashkie të Tiranës, me 20 mijë vota jashtë oborrit të majtë.

Por pavarësisht utilitetit të lëvizjes, ftesa për të punuar me njerëz jashtë “familjes socialiste” u prit në radhë të parë mirë nga publiku dhe intelektualët. Se në fund të fundit ishte një gjest hapjeje reale e politikës ndaj shoqërisë. Duke qenë i tillë, pati impaktin e fortë që në fillim. Dhe kjo filozofi e Edi Ramës u vijua edhe më tej, edhe pse gjatë lëvizjeve kontraversale ministri i Kulturës bëri armiq edhe brenda së majtës.

Përplasja për teatrin e ri, shkaktoi një përplasje të madhe te komuniteti i artistëve që ishin socialist të thekur, që nga e famshmja Violeta Manushi e me radhë. Në bashkinë e Tiranës Rama ftoi Blendi Goxhen, ish-kreun e grevës së urisë për të hequr emrin dhe bustin e Enver Hoxhës,  Artan Lamen, Dritan Agollin, Artan Shkrelin apo edhe intelektualë të tjerë që ishin jashtë gardhit politik. Ky koncept i dha Ramës edhe një distancë nga PS-ja që e shhte bashkinë e Tiranës si një institucion jo i përshtatshëm për militancën rozë.

Dhe menjëherë sapo vjen në pushtet, si kryeministër, Edi Rama emëron ambasador në NATO ish-deputetin e Partisë Demokratike, Leonard Demin, një nga drejtuesit e PD-së. Lëvizje që u pa me panik nga opozita, e cila kishte dalë e  dërrmuar nga 23 qershori. Më e bujshmja ishte propozimi për ambasador në Vatikan e shkrimtarit Visar Zhiti, i cili deri pak kohë përpara se socialistët të vinin në pushtet ishte as më pak por ministër i Kulturës i qeverisë “Berisha”. Reagimi i PD-së ishte drastik. Presidenti Bujar Nishani, por edhe vetë Berisha e refuzuan dekretimin dhe nisën një sulm personal ndaj Zhitit, gjë që ndikoi jo pak në helmimin e klimës politike në vend.

Në mes të kësaj klime, kur nga të gjithë pritej kërkesa për të larguar kreun e SHISH-it të emëruar nga PD, ai falënderoi publikisht Visho Ajazi Likën për dhënien e “Shtëpisë së Gjetheve”. Më pas edhe e dekretoi. Për të ardhur tek emërimi i pak ditëve më parë, që solli edhe debatin më të fundit dhe një pështjellim në politikë.

Vlen për t’u përmendur dhe Dashamir Shehi, i cili nëse nuk do kishte qenë stoik në të djathtën e tij, fare mirë do ishte ndër njerëzit që do kish punuar me ose për Ramën. Ky i fundit përmendi dikur lutjen e tij par ta patur demokratin në krah, gjatë qeverisjes së Bashkisë, gjë të cilën Shehu e ka refuzuar. Në ndërkohë, Rama, që pas marraveshjes së 18 majit me Bashën, po promovon dëshirën për partneritet tej ndarjeve të thikta pozitë – opozitë. Dhe të duket se është gati të fusë Bashën deri në qeveri, nga “rënia në dashuri” me të, pas paktit të 18 majit.

Kështu, duket se thëniën e dikurshme të Berishës “opozita por vëllezër”, Rama po e zbaton në praktikë.  /tesheshi.com/