reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

Çmimet e FIFA-s: buzëqeshja e Ranieri-t dhe dominimi i lojtarëve të Realit e Barçës

Për Claudio Ranieri-n, teknikun 65-vjeçar italian, sukseset kanë ardhur disi vonë. Napoli, Fiorentina, Valencia, Atletiko e Madridit, Çelsi, Parma, Juventusi, Roma, Interi, Monakoja dhe përfaqësuesja greke janë skuadrat e drejtuara prej tij në vite. E megjithatë, Ranieri do ta kishte kulmin e karrierës profesionale me Lestër Sitin, skuadrën angleze pa pretendime, por që befasisht fitoi Premier League-n sezonin e shkuar.

Çmimi i FIFA-s për trajnerin më të mirë të vitit ka shkuar pikërisht për të, ndërsa kanë mbetur pas Zinedine Zidane dhe Fernando Santos.

“Ishte një mbrëmje fantastike, jo vetëm pse gjendem këtu me shumë legjenda, por dhe pse kam fituar,” do të thoshte Ranieri në ceremoninë e Cyrihut.

“Çfarë ngjau sezonin e fundit në Angli ishte e mahnitshme, diçka e pashpjegueshme. Zotat e futbollit vendosën që Lestëri duhet të fitojë!”

Ashtu si me formacionin më të mirë të vitit të bërë të njohur nga UEFA ditë më parë, dhe në listën e FIFA-s kanë mbizotëruar lojtarët e kampionatit spanjoll.

Nga të njëmbëdhjetë lojtarët e formacionit më të mirë të vitit sipas FIFA-s, pesë prej tyre i përkasin Realit të Madridit, katër janë të Barcelonës, një është i Juventusit e një i Bajernit të Mynihut. Ndonëse Dani Alves vetëm në verë kaloi te Juventusi, ndërsa pjesën e parë të 2016-s e pati kaluar te Barcelona.

Neuer, Alves, Pique, Ramos, Marcelo, Modric, Kroos, Iniesta, Messi, Suarez dhe Ronaldo e përbëjnë formacionin më të zgjedhur të 2016-s.

Disi e çuditshme ka qenë mungesa e Griezmann-it, që konkurronte dhe për lojtarin më të mirë të vitit. /tesheshi.com/