728 x 90 Leaderboard

Certifikata e lindjes: si e mori emrin Amerika nga një hartë e vitit 1507

Disa qindra vjet më parë, kur pjesa më e madhe e botës ishte e mistershme dhe e panjohur, dy humanistë europianë u bënë bashkë për të ndërtuar një hartë të jashtëzakonshme të botës.

St-Dié-des-Vosges është një qytet i vogël, me gjelbërim në luginën Meurthe në veri-lindje të Francës. Ai shtrihet 68 kilometra në jug-perëndim të Strasburgut në Francë, 93 kilometra në veri-perëndim të Bazelit në Zvicër dhe 74 kilometra në veri-perëndim të Freiburgut në Gjermani.

Sot, bazuar mbi hartat moderne dhe metodat precize që masin gjatësinë dhe gjerësinë, ne mund të caktojmë me saktësi se ku ndodhet ky qytet në planet. Sidoqoftë, pak shekuj më parë, kur pjesa më e madhe e botës ishte e mistershme dhe e panjohur, një grup humanistësh evropiane u bënë bashkë për të ndërtuar një hartë të jashtëzakonshme të botës – e tillë që ndryshonte në mënyrë radikale nga pararendëset, dhe efektet e së cilës janë ende të pranishme sot.

Harta e printuar në vitin 1507, ka një madhësi 1.4 metër me 2.5 metër, që përputhet me ambicjen e saj të madhe për të përmbledhur botën në tërësinë e saj. Dhe në të vërtetë, në të përshkruhen shumë më tepër pjesë të botës se kurrë më parë. Për shekuj, europianët kishin besuar që bota përbëhej nga tre masa tokësore: Azia, Afrika dhe Europa, me Jeruzalemin në qendër. Kjo është arsyeja përse eksploratori dhe kolonizatori italian, Kristofor Kolombi kishte ndërruar jetë vetëm një vit më herët duke besuar se toka ku kishte zbarkuar në Amerikë, ishte thjesht një pjesë tjetër e Azisë. Sidoqoftë, kjo hartë e re përmblodhi një të katërtën e botës për herë të parë. Në të majtë të Europës, në të tregohej një version i hollë i Amerikës së Jugut, me një territor në madhësi të vogël të Amerikës së Veriut sipër saj. Kontinenti i ri rrethohej nga uji dhe në pjesën që sot njihet si Brazili, hartuesit vendosën një emër: Amerika.

Qyteti i vogël francez St-Dié-des-Vosges është i famshëm se i ka vënë emrin Amerikës.

 

Ky gur kilometrik në hartografi njihet si harta Waldseemüller, sipas emrit të humanistit gjerman që e ndërtoi. Por, Martin Waldseemüller ishte thjesht një nga grupi i akademikëve që Walter Lud, kreu i kishës së St-Dié-des-Vosges, mblodhi së bashku në këtë qytet. Lud ishte veçanërisht i interesuar në kozmografi – studimi i tokës dhe vendit të saj në univers – dhe dëshironte të krijonte një panoramë të tokës që kombinonte njohuritë e lashta me raportimet e reja që vinin nga udhëtimet që kryheshin në atë kohë. Për këtë qëllim, ai siguroi financimin nga dika e Lorraine, René II, për të ngritur një medium printimi të quajtur “Gymnasium Vosagense” dhe bashkoi një ekip që përfshinte Waldseemüller dhe një tjetër humanist gjerman, Matthias Ringmann.

Sipas studiuesve, Ringmann mori drejtimin e të shkruarit të një libri që u printua së bashku me hartën dhe pothuajse menjëherë vuri emrin Amerika.

Sot, vetëm pak të dhëna tregojnë për historinë mesjetare të St-Dié-des-Vosges, që pothuajse u rindërtua pas luftës së Dytë Botërore. Një kontur i kontinentit të Amerikës është shtruar në tokë jashtë katedrales, me gurë rozë që mund të merret edhe si një motiv dekorativ, figura e një indigjeni në grykën e një çezmeje mund të dallohet në manastir ndërsa qyteti organizon çdo vit festivalin ndërkombëtar të gjeografisë.

Harta Waldseemüller vizatoi Botën e Re për herë të parë.

Pak vizitorë kalojnë nga St-Dié-des-Vosges, por shumë më pak e bëjnë rrugën deri në bibliotekën e tij, ku mes librave të rrallë ndodhet edhe një version i librit të printuar me hartën Waldseemüller në vitin 1507: Hyrje në Kozmografi.

Harta e sheshtë u printua në 12 fletë të ndara letre që u bashkuan në një sipërfaqe të sheshtë, ndërsa globi i referohet një versioni më të vogël që u printua për t’u ngjitur në një top, gjë që bëri histori si globi i parë në histori i printuar dhe që tregonte të kundërtën e versionit popullor, se europianët e dinon shumë mirë se bota ishte sferike e jo e sheshtë.

Teksti shpjegon edhe arsyen e emërtimit të kontinentit, që pretendohej se ishte zbuluar nga eksploratori italian, Amerigo Vespucci. Meqënëse emrat e kontinenteve të tjera ishin femërore nga latinishtja –Europa, Afrika, Azia – autori arsyetoi që edhe emri i kësaj toke të re duhej po ashtu të kishte të njëjtën gjini në “Amerika, sipas zbuluesit të saj”.

Amerika e mori emrin sipas eksploratorit italian, Amerigo Vespuçi.Këto fjalë ishin shkak për pakënaqësi në shekujt e ardhshëm. Nga frati spanjoll Bartolomé de la Casas, i cili në gjysmën e parë të shekullit të 16-të tha se kjo ishte një “lëndim dhe padrejtësi ndaj Kolombit, udhëtimet e të cilit në Amerikat ishin më të hershme sesa ato të Vespuçit, e deri tek shkrimtari amerikan, Ëashington Irving, i cili në vitin1809 shkroi për “intrigat mjeshtërore” me të cilat fiorentinasit vodhën lavdinë e Kolombit. Por edhe pse katër udhëtimet e Kolombit përmes oqeanit Atlantik nisën në vitin1492, kur ai ndeshi ishujt e Karaibeve, ai e preku tokën kontinentale vetëm në udhëtimin e tij të tretë në vitin 1498. Në të kundërt, sipas një letre që daton në vitin1504, shkruar nga Vespuçi për dukën Renè e që u printua në Hapje e Kozmografisë dhe që përshkruan katër udhëtimet e tij nga viti 1497 deri në vitin1504, ai e arriti tokën kontinentale një vit më herët sesa Kolombi. Historianët e kanë vënë në dyshim autenticitetin e kësaj letre, por hartografët Waldseemüller dhe Ringmann e morën letrën e Vespuçit si me vlerë të madhe, dhe e bazuan emërtimin e kontinentit të ri mbi bazën e saj.

Emri i kontinentit nuk ishte pika e vetme e debatit që pasoi hartën. Pjesa më e madhe e debateve u përqendruan tek fakti që kontinenti i ri tregohej në hartë i rrethuar nga uji. Si e dinon hartografët në St-Dié-des-Vosges, në vitin 1507, që kishte ujë në anën tjetër të tokës që ndeshëm Kolombi dhe Vespuçi?. Sipas të dhënave, evropiani i parë që hodhën vështrimin mbi oqeanin Paqësor ishte eksploratori spanjoll, Vasco Núñez de Balboa, i cili e pa atë nga një majë mali në Panama, gjashtë vjet më vonë, në vitin1513. Ishte thesht hamendësim apo hartografët kishin akses në informacionin e udhëtimeve të dyshuara portugeze në anën tjetër të kontinentit, mbajtur sekret për shkak se ata kishin kaluar në ujërat spanjolle?

(Në vitin1494, spanjollët dhe portugezët vendosën të ndajnë tërë botën në perëndim të Europës midis tyre në traktatin e Tordesillas. Çdo gjë përtej atij që sot është Brazili ishte territor spanjoll, që përbën edhe arsyen përse Brazili është i vetmi vend që flet portugalisht në Amerikën e Jugut).

Një tjetër mister lidhet me vetë ekzistencën e hartës. Edhe pse 1 mijë kopje të hartës Waldseemüller u printuan në vitin 1507, ato u zhdukën shpejt. Në kundërshtim me librin, që u ruajt në biblioteka, hartat u përdorën në institucione arsimore dhe nuk zgjatën shumë. Entuziastë të hartës kërkuan me shekuj për to dhe u përpoqën ta rindërtojnë një hartë Waldseemüller bazuar në atë që shkruhet në libër. Më pas, një hartë u zbulua në vitin 1901 nga At Joseph Fischer, profesor i historisë dhe gjeografisë në Wolfegg Castle, Gjermani. Ishte harta që ndonjëherë i referohen si “certifikata e lindjes së Amerikës” që u ble nga Biblioteka e Kongresit e Shteteve të Bashkuara në vitin 2003 për një shumë të madhe, prej 10 milionë dollarësh.

Sidoqoftë, vlera e hartës Waldseemüller nuk ka të bëjë thjesht me përshkrimin e botës apo emërtimin e Amerikës. Siç shpjegojnë ekspertët, harta ishte si një pjesë enciklopedie e cila kombinonte njohuritë e shumë njerëzve në hapësirë dhe në kohë.

Kjo ide përfaqësohet nga dy imazhe në majë të hartës: një e gjeografit grek, Ptoleme, që përfaqëson mënyrën e vjetër të të parit të botës dhe njohuritë e lashta, dhe tjetri i Vespuçit që përfaqëson një mënyrë krejt të re të të parit të botës.

Vetëm pak të dhëna, si një përshkrim me gurë i Amerikës jashtë katedrales, tregojnë për historinë mesjetare të St-Dié-des-Vosges

Së fundmi, harta Waldseemüllerna kujton se të gjitha hartat janë politike. Duke vendosur veriun në majë të hartës, ku konvencionet e mëparshme vendosnin lindjen, dhe duke vendosur Europën në mes, e bën hartën eurocentrike. Vendimi për të emërtuar një kontinent të tërë, të banuar sipas emrit të një evropiani që shkoi atje, privilegjon perspektivën evropiane dhe ambicjen e kohës. Është një parashikim i mënyrës sesi europianët do të vijonin të merrnin nën zotërim tokat, burimet dhe njerëzit, duke fshirë kultura dhe duke vrarë miliona.

Harta është certifikatë lindjeje për një botë që nisi të ekzistonte për europianët në vitin 1492 – dhe një mandat vdekjeje për atë që ndodhej aty më parë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts