728 x 90 Leaderboard

Çelo kasapi: çami në kinemanë e komunizmit, një interesaxhi!

Çami si qenie historike dhe sociale, gjatë viteve të komunizmit nuk shikohej shumë me syrin e origjinës. Kjo nga fakti se vetë cështja çame nuk ekzistonte asokohe si kredo kombëtare, apo dhe politike. Narrativa zyrtare e kishte pothuajse të përjashtuar një adresim të tillë, e gjithashtu në tekste shkollore a libra, çemërit ishin inekzistentë.

Vetëm pas ’90-ës ata “hyjnë në lojë” si faktor shoqëror, prej një dimensioni historik me theks tragjik, por dhe prej tipareve sociale. Atyre nisën t’ju mvishen karakteristika me kontekst krahinor, diku dashamirëse e diku jo, varësisht prej përvojave të ndryshme njerëzore. Por siç në rastin e gjirokastritëve, të cilëve iu është mveshur vesi i kurnacërisë, çemërve iu është mveshur pragmatizmi i tepruar kur është fjala për interesa të rëndomta jete. Të tillë e ka portretizuar dhe kinemaja shqiptare e komunizmit, në të vetmin rast pra kur është zgjedhur një çam si personazh filmi. Më saktë, si interesaxhi.

Bëhet fjalë për Çelo kasapin, te “Nxënësit e klasës sime”. Në asnjë rast, në tekst nuk përmendet fjala “çam”, por nga aksenti gjuhësor i personazhit është lënë e kuptuar se bëhet fjalë pikërisht për një çam. Si dhe nga fakti se fabula konsumohet në një ambient sarandiot, ku ka pra një komunitet te madh çam.

Pra, Çelo kasapi e ka brengë shkuarjen e të birit në shkollë të lartë. Aty ai shfaqet si jo pjesë e elitës shoqërore, jo si Çelo por si çam, ngase vetë personazhi qahet nga fakti se në nga fisi i tyre ende nuk ka dalë ndonjë me shkollë të lartë. Dhe për t’ja arritur kësaj është gati të bëjë kameleonin në çdo rast, duke u sjellë si karagjoz.

Në një tjetër moment, Çelo kasapi me origjinë çame shfaqet dhe si ryshfetxhi, jo me para por me mish, duke tentuar edhe ta blejë shkollën e djalit me atë që ka në dorë e që për kohën ishte luks: mishin.

Artistikisht, personazhi është një kryevepër në skalitjen regjisoriale – Samir Kumbaro – e lojën aktruese – Sulejman Pitarka. Por skenaristi Kiço Blushi duket se dhe i ka dhënë një goditje karakterit të çamit me zgjedhjen si subjekt në funksion të fabulës. E ka bërë nga shija personale apo nga direktiva politike e kohës, kjo mbetet një mister…/tesheshi.com/

Related posts