Çair: 12 vite u hesht kur qytetarët ndërtonin pa leje, tani nis rrënimi

Komuna e Çairit e banuar kryesisht me shqiptarë ka filluar me rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje. Inspektorati i ndërtimit pranë kësaj komune, aksionin e parë për lirimin e hapësirave të uzurpuara pa asnjë leje, e ka filluar afër xhamisë “Abdylkadër Arnauti” ku objekti ka qenë i mbindërtuar dhe i shtuar. Nga kjo komunë theksojnë se do të vazhdojnë me këtë aksion me qëllim të sundimit të së drejtës dhe rendit për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Më parë në këtë komunë asgjë nuk është rrënuar por vetëm është ndërtuar.

Tre mandate rradhazi si kryetar i Çairit ishte Izet Mexhiti nga Bashkimi Demokratik për Integrim, kurse edhe në këto zgjedhje lokale por me balotazh, BDI fitoi këtë komunë, këtë herë në krye me kandidatin Visar Ganiu. Ky i fundit një javë më parë nuk kishte saktësuar se me cilin prej projekteve të premtuara do ta fillojë punën.

“Nuk kisha dashur të veçoj një projekt se cili ka përparësi, mirëpo ka disa projekte të cilët ne mund fillimisht ti bëjmë dhe ato do të kenë përparësi. Dhe kuptohet që nga dita e sotme ne do të fillojmë të realizojmë të gjitha ato premtime të cilat i kemi dhënë para bashkë qytetarëve tanë”, u shpreh Visar Ganiu.

Ndonëse me këtë komunë ka menaxhuar e njëjta strukturë politike 12 vite, problemin me objektet e ndërtuara pa leje nuk është zgjedhur deri më tani. Të tilla janë rreth 10 mijë objekte, përfshirë këtu edhe mbindërtimet, dhe zgjerimet e ballkoneve. 3 mijë prej tyre janë se nuk e kanë kapur afatin për legalizimin e pronës.

Një ndër objektet që është ndërtuar pa leje, është shtëpia trekatëshe përballë Ambasadës Amerikane, për të cilën është përfolur në njërën nga bombat e Zaevit,  se i përket një funksionarit të BDI-së, e që Prokuroria Publike Speciale ka hapur procedurë hetimore. /tesheshi.com/