Buxheti 2018: mazhoranca i jep “ok” pa votat e opozitës, miratohen edhe taksat e reja

Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi në parim vetëm me votat e maxhorancës buxhetin e shtetit dhe paketën fiskale për vitin 2018.  Komisioni i Ekonomisë dhe Financave i dha kështu “ok” në parim draftit të buxhetit dhe paketës së re fiskale, edhe pse deputetët e opozitës kanë kërkuar më shumë kohë.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim votuan kundër draftit duke e quajtur atë si buxhetin e oligarkëve që varfëron qytetarët. Sipas draftit, të ardhurat e qeverisë për vitin e ardhshëm parashikohet të jenë 3.5 miliardë euro, ndërsa shpenzimet publike shkojnë 3.7 miliardë euro.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk parashikohet asnjë rritje për pensionet. “21% më pak fonde për infrastrukturën. Kërkesa e opozitës për libra falas nuk është e qartë si do realizohet. Organet e vettingut kane vetëm 1/3 e  fondeve te kërkuara. Në emër të opozitës në deklarojmë votën kundër të buxhetit dhe paketës”, tha deputetja.

Ndërkaq, Qeveria thotë se buxheti i 2018-ës ul më tej borxhin e shtetit dhe rrit investimet publike, veçanërisht në infrastrukturën rrugore. /tesheshi.com/