Bundestagu pas zgjedhjeve: politika gjermane duket se po marshon djathtas

Në zgjedhjet e afërta, djathtistët populistë të “Alternativës për Gjermaninë” mund të rezultojnë parti e tretë në parlament.

Ka nga ata komentatorë anglo-saksonë që janë vazhdimisht të bindur se Gjermania do të rrënohet. Dëshmi për këtë janë shakatë në shtypin amerikan për zonat e ndaluara në qytete gjermane që ata nuk dianë t’u thonë as emrin, e nuk mund t’i gjejnë dot as në hartë. Ose, tabloidët britanikë që sugjerojnë pafund se partia nacionaliste “Alternativa për Gjermaninë” do të rrëzojë Angela Merkelin nga pushteti. Dëshmi të këtij opinioni po ashtu, janë edhe komentet e analistëve tradicionalë që pothuajse e kanë zeruar kancelaren dhe praktikisht, e kanë deklaruar Gjermaninë gurin e radhës në efektin domino të valës populiste që ka përfshirë Perëndimin.

Por, përshkrime të tjera duket se e nënvlerësojnë vendin. Kultura e tij e kujtesës krijon një ndjesi unike të përgjegjshmërisë historike dhe një ndërgjegjshmëri të spikatur ndaj demagogjive. Politika, media dhe jeta më e gjerë civile kanë prioritet moderacionin dhe konsensusin: një studim i ri nga fondacioni Bertelsmann tregon se plot 80 për qind e gjermanëve e konsiderojnë veten “centristë”, krahasuar me 67 për qind të britanikëve dhe 51 për qind të qytetarëve francezë. Ekonomia gjermane po lulëzon: egërsia post-industriale e përhapur gjerësisht në Britani, Francë apo Amerikë, thjesht nuk ekziston në atë shkallë në Gjermani. Një pjesë më e  vogël e gjermanëve ndihen të pasigurtë nga ana sociale sesa në çdo kohë tjetër që nga ribashkimi. Dhe në sfidë të parashikimeve apokaliptike në shtypin e huaj, vendi po menaxhon edhe krizën e fundit të refugjatëve duke nisur integrimin e tyre.

Në një artikull në “The Economist” parashikohet në të kundërt, se politika federale e Gjermanisë do të marrë një kthesë djathtas në zgjedhjet e 24 qershorit. Merkel do të jetë kancelarja e ardhshme gjermane. Marrëdhëniet admirueshëm korrekte të vendit me identitetin dhe historinë e vet do të mbijetojnë. Gjermania do të jetë një fanar për moderacionin dhe stabilitetin, pavarësisht stuhisë nativiste në Perëndim.

Këto parashikime vijnë, gjithsesi, përkundër gjasave që mund të jenë përgenjështruese. “Alternativa për Gjermaninë” po ia del më mirë sesa prisnin shumë njerëz. Mbështetja për të kulmoi vitin e kaluar, por ka rënë sërish pas një konference kaotike e që tentoi të kthente djathtas në prill. Në atë kohë, ishte herët ta hiqje AfD-në nga përllogaritjet dhe vërtet, që prej pranverës partia është rritur në sondazhe nga 7-9 për qind në 8-12 për qind. Katër nga gjashtë kompanitë kryesore gjermane  e shohin atë si në rrugën e duhur për të qenë partia e tretë më e madhe në Bundestag. Kjo do të trondiste mjedisin politik.

Ka nga ata në Berlin që madje hamendësojnë nëse partia do të tejkalojë parashikimet në sondazhe, duke dalë me rezultate dyshifrore. Fushata e zgjedhjeve i ka dhënë ndikim, me debatet në televizion për shembull, ndërsa opozita tradicionale ndaj Merkelit ka qenë relativisht e dobët: mjafton të merret në konsideratë “dueti” i saj me Martin Shulc.

Që  aleanca e qendrës së djathtë e kancelares, CDU-CSU është deri tani në krye të social-demokratëve mund të joshë disa votues të qendrës së djathtë të mërzitur nga politika e saj për refugjatët të votojnë AfD-në në shenjë proteste (ndoshta duke hedhur votën e parë “direkte” për kandidatin e CDU-CSU dhe votën e dytë “të listës” për populistët). Një strategjist i një partie rivale madje, pretendon se AfD do të mund të mposhtë social-demokratët në lindjen ish-komuniste, e madje do të fitojë një nga dy vendet e paracaktuara atje.

Për më tepër, sondazhet aktuale mund të mos reflektojnë të gjithë faktorët. Në zgjedhjet e para shtetërore të kontestuara nga AfD, sondazhet e nënvlerësuan mbështetjen për partinë. Kjo ka ndryshuar pasi sondazhuesit kanë përmirësuar grupet e të anketuarve. Në zgjedhjet në North-Rhine, Uestfali në muajin maj, për shembull, kjo parti mori 7.4 për qind, apo 0.1 për qind larg nga mesatarja e tre sondazheve finale.

Në fund fare, ekziston mundësia e një sulmi terrorist apo skandali në ditët e fundit të fushatës. Interesat ruse besohet se ishin pas një hakerimi masiv të Bundestagut në vitin 2015 si dhe hakerimeve të mëpasshme ndaj disa politikanëve, por ende asnjë material kompromentues nuk ka dalë në Uikiliks. Kjo e fundit mund të jetë goditja finale, ashtu si ndodhi në zgjedhjet e fundit hollandeze. Ose mund të mos jetë kështu. Thënë kjo, votuesit gjermanë duhet të tregohen politikisht rezistentë ndaj ngjarjeve të papritura: edhe sulmi terrorist i Berlinit në dhjetor, edhe ndërhyrja e mëparshme ruse i zhvendosën dukshëm shifrat e zgjedhjeve.

Në çdo rast, është gati e sigurtë se AfD do të hyjë në Bundestag. Kjo do të sjellë një çarje të zhurmshme në një legjislaturë që deri më tani është treguar relativisht e qetë dhe kolegjiale.

Ngjarje të tjera mund të ndihmojnë po ashtu, djathtistët. Poshtë një sipërfaqeje të qetë, ndasi të reja po hapen në shoqërinë gjermane: 40 përqindëshi i atyre që fitojnë më pak nuk kanë parë rritje reale të pagave të tyre në dy dekadat e fundit, ndërsa po rritet sektori i shërbimeve me paga të ulëta. Ndërkohë, ambicjet për një integrim më të fortë europian nga ana e qeverisë së ardhshme të Merkelit mund të japin më shumë material për të shfryrë për nacionalistët. Ka analistë që parashikojnë edhe formimin e një koalicioni të mundshëm midis një fraksioni të AfD me CDU-CSU (e njëjtë me atë që ka gjasa të vijë në pushtet në Austri këtë vjeshtë).

Si përfundim: për momentin Gjermania do të mbetet fanar stabiliteti dhe e një qeverie të arsyeshme dhe centriste. Por kjo nuk i bën të pamundura ndryshimet në politikën e saj të brendshme. Partnerët e vendit duhet të kenë më shumë kujdes ndërsa liderët e brendshëm duhet të përballen me debat të hapur me populizmin e krahut të djathtë, në vend që thjesht të mbeten sfidues. Një epokë e re dhe e ndryshme politike endet në ajër.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/