Auto Dak
Auto Dak

Bujqit kosovarë: paratë e duhura, tek njerëzit e duhur (që zakonisht nuk janë)

Nga Shkëlzen Rrecaj

Bujqësia konsiderohet prej sektorëve të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të një vendi, megjithëse zhvillimi i saj mbetet një sfidë shumë më e madhe jo vetëm në raport me sektorë të tjerë të ekonomisë, por edhe sa i përket standardeve të cilat Kosova duhet t’i përmbushë nëse dëshiron të bëhet pjesë e Europës së zhvilluar.

Kohëve të fundit në Kosovë vërehet një rritje e interesimit për t’iu rikthyer këtij sektori, megjithëse kushtet për t’u marrë seriozisht me të janë akoma larg. Krahasuar me vitet e kaluara ka rënie të prodhimit të kulturave tradicionale si fjala vjen grurit, misrit e drithërave në përgjithësi.

Janë të shumtë faktorët që sollën këtë situatë, por më kryesorët mund të numërojmë: ikjen e popullsisë rurale në drejtim të qyteteve sidomos pas përfundimit të luftës, mungesën programeve konkrete, konkurrencën jolojale, betonizimin e tokës bujqësore, etj. Kjo gjendje te shumë qarqe në vend paraqet një shqetësim goxha të madh, pasi që zvogëlimi i sipërfaqeve të mbjella me grurë për pasojë ka uljen e rendimenteve dhe kësisoj Kosova bukën e vet do të duhet ta sigurojë nga importi.

Viteve të fundit vihet re një trend i ri në sektorin e bujqësisë. Lavërtaria po i lëshon udhë pemëtarisë, kryesisht përmes kultivimit të: dredhëzës, mjedrës, boronicës dhe mollës. Këtu po bëhen investime të mëdha dhe lëverdia duket të jetë më e madhe se te lavërtaria. Por edhe këtu bujqit kosovarë nuk janë pa probleme. Ata nuk janë të kënaqur me ndihmën e ofruar nga institucionet e  vendit.

Ata edhe përkundër problemeve po mundohen që me mjetet vetanake dhe kreditë të zhvillojnë bizneset e nisura. Në anën tjetër qeveria e Kosovës dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe vendore po përpiqen që sado pak të përkrahin fermerët tanë. Janë miliona euro që ndahen çdo vit përmes granteve dhe formave tjera financiare.

Këtë fakt e pranon edhe Shkëlzen Dragaj nga Ministria e Bujqësisë i cili për portalin tesheshi.com deklaron: “Sivjet kemi planifikuar 23 milionë euro subvencione, ndërkaq 20 milionë janë grante zhvillimore, pra në total janë 43 milionë euro që do të shkojnë direkt tek fermerët.”

Shkelzendragaj

Ai po ashtu thotë meqë në Kosovë ende ka sfida të prodhimit dhe ka nevojë për rritjen e tij, prodhimit vendor.

“Kjo ministri është fokusuar gati në çdo fushë, duke filluar nga drithërat, blegtoria, frutat, perimet, mishi, bletaria, turizmi rural, bujqësi organike, etj. Mund të këtë edhe nën sektorë tjerë që gradualisht futen në program. Në këto fusha ne mbështesim prodhimin dhe përpunimin. Gradualisht do të orientohemi nga fushat strategjike, porse kjo gjë kërkon kohë dhe analizë të përgjithshme”, thekson z. Dragaj për tesheshi.

Ndërsa sa i përket rritjes së prodhimeve z. Dragaj shprehet: “Investimet që janë bërë dhe po bëhen nga qeveria janë faktori kryesor i rritjes së prodhimit. Vetëm në dy vitet e fundit falë investimeve nga shteti prodhimi është rritur për 26 %. Kjo po ndikon që gradualisht të zëvendësohet importi,  e të shtohet eksporti. Ka në shumë produkte që po depërtojnë shumë mirë në tregun vendor dhe kanë ndërtuar rrjet të shitjes edhe jashtë vendit. Vetëm sivjet, nga investimet tona pritet të hapen rreth 2600 vend pune, pra po flas vetëm për grantet që ne ndajmë. Ne kemi paraparë rritje të buxhetit edhe për vitin e ardhshëm dhe do të punojmë në shtim të kulturave të reja që do të mbështeten dhe rritje të subvencionimit dhe granteve për shumë fusha. Sivjet në shumë prej tyre ka pasur rritje, për dallim nga viti i kaluar dhe do të ketë edhe vitin e ardhshëm.”

Tahir Tahiri kryetar i federates se bujqve te kosoves

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Numri i të pakënaqurve me politikat bujqësore nuk është i vogël. Një prej këtyre zërave është edhe Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, z. Tahir Tahiri, i cili për portalin tesheshi thekson: “Subvencionet që i jep MBPZHR-ja janë të pakta që nuk ndikojnë në rritjen e rendimenteve dhe nuk i stimulojnë bujqit që t’i rrisin sipërfaqet të mbjellura me kultura bujqësore. Kriteret janë të ashpra dhe për këtë 60% e bujqve nuk arrin t’i marrin këto subvencione.”

Ai gjithashtu ka vërejtje edhe për mënyrën e ndarjes së subvencioneve. Sipas tij, edhe në ndarjen e subvencioneve ka keqpërdorime të shumta. Ato shpeshherë u jepen bujqve që nuk i plotësojnë kriteret me kusht të dhënies së mitos dhe njerëzve të pushtetit ose të afërmeve të tyre. Shumë subvencione jepen pasi të vjelet kultura e caktuar dhe ato para më pas harxhohen për diçka tjetër. Problematikë tjetër sipas të parit të kësaj federate është konkurrenca jolojale me të cilën përballën prodhuesit e vendit.

Sa  i takon investimeve dhe plasimit të produkteve bujqësore, z. Tahiri shprehet kështu: “Bujqësia e Kosovës ka nevojë për investime në të gjitha fushat, si në mekanizimin e  bujqësisë, sistemet e ujitjes, në shtimin e fondit të bagëtive, uljen e çmimeve të repromaterialit (farërave, plehrave, pesticideve, naftës), zgjidhjen e problemeve kadastrale, andaj këtu duhet urgjent të investohet me forma të ndryshme. Po ashtu prej nevojave imediate të bujqve është krijimi i një tregu të qëndrueshëm, ngritja e kapaciteteve për ruajtjen e prodhimeve bujqësore në afate më të gjata, ofrimi i këshillave dhe aftësimi profesional në sektorët më specifikë bujqësor, edhe për këtë investime janë të domosdoshme.”

unnamed

Njëra prej kulturave më të mbjellura viteve të fundit është dredhëza. Shumë fermerë kanë shtuar sipërfaqet e mbjella me dredhëza falë gjetjes së subvencioneve për këtë frut pranveror. Hetem Balaj është vetëm njëri prej kultivuesve të shumtë të dredhëzës. Por edhe ai ngre shqetësimin e tij lidhur me subvencionet.

Ai për portalin tesheshi, thekson: “Po të ndaheshin subvencionet në vendin e duhur dhe te njerëzit e duhur këto do të ndikonin në rritjen e prodhimtarisë si dhe zhvillimin ekonomik, në të kundërtën ato nuk ndihmojnë gjë.”  Z. Balaj tregon se për fidanet e dredhëzës një herë ishte ndihmuar nga Ministria e Bujqësisë dhe dy herë të tjera nga USAID dhe atë 50 – 50%. Sipas tij me pak angazhim dhe me programe konkrete nga ministria respektive dhe partnerët ndërkombëtarë ky sektor do të bëhej prej bartësve më vitalë të ekonomisë së vendit dhe punësimit të popullatës. /tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts