Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Bujar M. HOXHA: Histeri antiturke për një aksion të detyrueshëm

Një aksion i shërbimit të fshehtë turk, MİT, në bashkëpunim me homologët në Kosovë, për kapjen e gjashtë anëtarëve të FETO-s, përgjegjëse për grushtin e dështuar të shtetit të mesit të korrikut të dy viteve të shkuara në Turqi, po shoqërohet këto ditë me një histeri antiturke, posaçërisht të karakterit mediatik, pa lënë mënjanë dhe pakënaqësinë për aksionin të shprehur nga figura kyçe të qeverisjes kosovare.

Do duket sikur ky shkrim po nis nga fundi, apo, ndryshe, me një fill të ngatërruar, por nuk mund të lihet pa vënë në dukje se kjo histeri antiturke, antierdoganiste, periodike, ka një paralele me histerinë antimuslimane, të ngjashme thuajse pikë për pikë, si në aspektin e përsëritjes periodike, ashtu dhe në shfrytëzimin e një ngjarjeje çfarëdo për ta rindezur.

Si njëra histeri dhe tjetra kanë gati të njëjtët protagonistë, të njëjtët zëra që bombardojnë publikun me të njëjtin ligjërim, dendur fyes për ndjeshmëritë e një pjese të mirë të popullsisë. Pas termave ndjellës, për kohën, të ligjërimit, demokracisë, shtetit ligjor, përkatësisë perëndimore, fshihet pakënaqësia për pushtetin e butë që ka dhe ushtron Turqia në tërë këtë pjesë të Ballkanit, veçanërisht në pellgun shqipfolës, si dhe mungesa e dëshirës për të pranuar faktin se pjesa dërrmuese e popullsisë në trojet shqiptare është ndjekëse, diku më shumë e diku më pak, diku me ritual e diku pa ritual,  e besimit islam. Histeria antiturke e ka aty motorin për t’u vënë në lëvizje, objektivin e pandryshueshëm, presidentin aktual turk. Histeria antimuslimane e merr shpejtësinë në varësi të ngjarjeve të ndryshme, por sidoqoftë me të njëjtin lajtmotiv. Të dyja, ama, janë të ndërthurura; njëra nuk bën pa tjetrën.

Kështu që, parë në këtë këndvështrim, kjo furtunë e këtyre ditëve nuk përbën asnjë surprizë. Befasi do të ishte nëse ajo do të mungonte, gjë që vështirë të ndodhë dhe në vazhdim.

Por a është kjo histeri e justifikuar, në një kuptim, apo organet turke e kanë patur të detyruar kryerjen e një aksioni të tillë për kapjen e disa nënshtetasve të tyre?

Nga këndvështrimi i garantimit të sigurisë për Turqinë, operacioni i MİT-it i këtyre ditëve ngjan me operacionin ushtarak “Dega e Ullirit” në Afrin. Dhe ja për ç’arsye. Konflikti shumëplanësh sirian u dha mundësi zgjatimeve të PKK-së, organizatës terroriste kurde, të shtriheshin dhe të merrnin në duar kontrollin e territorit në hapësira të mëdha në të dy anët e Eufratit, gjithnjë përgjatë kufirit me Turqinë. Nën shembullin e operacionit ushtarak “Mburoja e Eufratit”, të përfunduar me sukses maksimal, prej kohësh qe sugjeruar një tjetër ndërhyrje në tokën siriane, saktësisht në Afrin, për të fshirë një kërcënim të vazhdueshëm për kufirin turk.

Ideja për krijimin e një force sigurie kufitare nga ana e kufirit sirian, me përbërjen masive të krahut të armatosur të PKK-së në Siri, sigurisht nën një emërtim tjetër, shumë më të zbukuruar, i dha fund ngurrimit të Turqisë, që u bind përfundimisht se konflikti shumëvjeçar po tentonte të zhvendosej në territorin e saj. “Dega e ullirit” u krye pa pëlqimin e një pjese të mirë të aktorëve kryesorë perëndimorë, por ishte thelbësor, i domosdoshëm, për një Turqi më të sigurt. Shkurt, Turqia e ndërmori aksionin kur e pa se nuk kishte zgjidhje tjetër, kur e kuptoi se një pavendosmëri sado e vogël sot mund t’i sillte nesër kokëçarje të jashtëzakonshme për integritetin e vet territorial. Me të njëjtën logjikë, Turqia ka paralajmëruar se do të ndërhyjë ushtarakisht dhe në Menbixh.

Puçi i 15 korrikut të 2016-s e ka zhvendosur kundërvënien e hapur dhe të kamufluar ndaj qeverisjes së AKP-së, Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, jashtë kufijve të Turqisë. Një pjesë e mirë e të përfshirëve në atë veprimtari antikushtetuese e kanë lënë vendin e tyre për ta vijuar aktivitetin jashtë, ku dhe i ka pritur një prapavijë e organizuar. Pavarësisht këmbënguljes të autoriteteve turke për t’i thënë ndal këtij aktiviteti subversiv, ai është bërë i ditur të ketë vijuar pandërprerë në trekëndëshin Shqipëri – Kosovë – Maqedoni. Në dukje, më së paku në Shqipëri, as marrëdhënia e ngrohtë mes Erdoganit dhe Ramës nuk ka dhënë rezultat.

Në shtypin turk, ashtu si dhe në televizionet turke, herë pas here ka patur njoftime për celula të organizuara mirë të FETO-s në Kosovë e Maqedoni, të afta dhe të gatshme për të përsëritur të njëjtin skenar puçist në Turqi. Që gjërat nuk po ndryshonin u bë e qartë muaj më parë nga incidenti me një shtetas turk në kërkim, të kapur në Durrës së bashku me familjen me dokumente identifikimi të falsifikuara, në përpjekje për të kaluar përtej detit në mënyrë të paligjshme. Çuditërisht, ai u la i lirë, dhe më pas, siç mësohet, është ndihmuar nga një organizëm ndërkombëtar për t’u strehuar në një vend perëndimor.

Të lënë pa rrugëzgjidhje, organet turke të sigurisë kanë vendosur siç duket të ndjekin një mënyrë më të shpejtë veprimi për t’u prishur qetësinë të kërkuarve ngeshëm në aktivitet në vendet “mike”. Operacioni për arrestimin e gjashtë nënshtetasve turq në Kosovë ngjan të jetë kryer në kushtet e pamundësisë për të vepruar ndryshe, atëherë kur durimi duket se ka mbaruar. Ndaj Turqisë, kontribuese në çdo aspekt për këto vende, nga pikëpamja ekonomike, kulturore dhe sociale, dhe ndaj kërkesave të saj të arsyetuara është zgjedhur të qëndrohet duarkryq, për të thënë më të paktën. Në këto kushte, a kishte zgjidhje tjetër për autoritetet turke veç një operacioni të denjë për skenarë filmash?

Aksioni i MİT-it turk është dyplanësh. Së pari, me të janë ndaluar persona aktiviteti i të cilëve në dëm të Turqisë po raportohet gjerësisht në median turke, dhe, së dyti, u ka dhënë një sinjal të qartë të ngjashmëve se për ta nuk do të ketë më qetësi e siguri, edhe jashtë kufijve.

Suksesi në të dy rastet, sido që jo me peshë të njëjtë, sigurisht, në operacionin ushtarak në Afrin, dhe në kapjen e gjashtë personave në Kosovë, mund të mos i ketë pëlqyer shumëkujt, por ka qenë jetik për sigurinë e Turqisë. Në të dy rastet, Turqia është detyruar të veprojë kështu. /tesheshi.com/                 

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts