728 x 90 Leaderboard

Bujar M. HOXHA: Festat, sheshi, ca të nënës, ca të njerkës

Prej kohësh është krijuar tradita e një ligjërimi në thuajse të njëjtat linja në lidhje me momentin kohor të ndërrimit të viteve. Bilance të vitit të lënë pas, pritshmëri për të porsaardhurin, mënyrat e festimit të dy ngjarjeve të bëra njësh, njëra fetare e që ka marrë ngjyrim të thellë konsumerist, e tjetra, pagane, tërësisht konsumeriste, fryma që gati i imponohet publikut… Të tëra këto janë të njohura tanimë, ndërsa një qasje polemizuese besohet se vlen më shumë, sidomos po qe se duam ta shohim tablonë e plotë dhe të mos gënjehemi nga pretendimi për vlera gati të paqena.

Nëse gjërat shkojnë fjollë sipërfaqësisht, kjo nuk do të thotë se janë po aq mirë dhe në thelbin e tyre. Përndryshe, edhe një këndvështrim i moderuar, apo, ndryshe, që nuk e prek problemin në rrënjë, thjesht i shërben një padrejtësie të shtuar në të ardhmen e afërt.

Ky shkrim do duhej të ishte shkruar që në nisje të dhjetorit, kur në sheshin qendror të kryeqytetit nisi të lartësohej objekti simbolik i kremtimeve të fundvitit, por pritja për të parë se ç’ngjet dhe në ditët e para të janarit e bën shumë më të plotë atë.

Fillimisht, e çojmë orën prapa… Kthim në kohë… Pak muaj më parë…

Shumica dërrmuese e popullsisë, muslimanët, kanë festën e tyre, Kurban Bajramin! Sheshi i riideuar për të disatën herë u lihet vetëm për ca orë atyre, për ta bërë gati për ritualin e festës, predikimet dhe faljen në orët e para të mëngjesit, dhe për ta rizhbërë gjithçka me të shpejtë, pa dalë ende mirë dielli në qiell.

Kaq, vetëm pak orë, vetëm dy herë në vit, për ata, për ne, prej nga pritet mirëkuptim për pakicën në gjithçka! Për dy festat tona, për muslimanët, mungesa e mirëkuptimit ndaj të cilëve bëhet e spikatshme më shumë se kurrë pikërisht në ato orë të pakta kur zënë sheshin për t’iu përulur me përnderim Krijuesit!

Heroi kombëtar në shesh ngjan i pafajshëm, edhe pse me shpatën zhveshur e mbi kalë. Nuk është kështu me “mbrojtësit” e tij, në këmbë, por në yrysh për t’i dalë zot kalorësit të qëmotshëm, të “mbuluar” nga padëshira për t’i respektuar muslimanët në festën e tyre.

Në vend të urimeve, akuza qesharake, kërcënime, në vend të një buzëqeshjeje edhe të shtirë, buzë të shtrembëruara…

“Sheshi është i të gjithëve!”

Ou, për kaq pak orë i zënë nuk na qenkërka i të gjithëve?

I njëjti refren dy herë në vit, duke shtuar dendurinë e ngacmimit, e njëkohësisht duke i kompleksua rmë tepër muslimanët, të parehatshëm në atë pak kohë në shesh. Në sheshin e të gjithëve, por jo të tyrin!

Më e keqja nuk ka ardhur akoma, teksa pritet të hapë dyert me hapjen e dyerve të xhamisë së re, ku mijëra besimtarëve do u kërkohet të falen e të festojnë në pak metra katrorë. Në kafaz, me të njëjtin avaz!

Muaj më vonë, në të hyrë të dhjetorit…

Kontrasti nuk do shumë mund për t’u dalluar…

Sheshi është i të gjithëve, por pema verbuese shumëngjyrëshe zë vend për të mos u shkulur nga andej për javë të tëra, për ata që ua shton shendin dhe për ata që as begenisin t’i hedhin sytë.

Situata bëhet më kaotike me kalimin e kohës, atëherë kur i madhi shesh shndërrohet në një birrari gjigande. Diku errësirë, diku dritë… Tym, qofte, birra, kakofoni, lodra shëmtaraqe… Në sheshin e të tërëve! Aty ku madje, sipas zërave të besueshëm, kjo tregti dhjetoriste ngjyen rrotën në të zezë, duke shmangur ligjet fiskale të vendit e duke mbushur xhepa abuzuesish me pushtetin.

Në të djathtë të heroit kombëtar, nga mesi i një lodre të stërmadhe e të zhurmshme, të shëmtuar e të pistë, si govatë, busti i një femre po kaq të shëmtuar, pjesë e saj, me dorën lart të ngrirë, sikur e përshëndet atë me qesëndi sa herë që e bën të padukshëm për publikun.

Asgjë prej kësaj nuk e bën askënd të thotë qoftë dhe gjysmë fjale. Përkundrazi, atmosfera ndizet akoma më shumë artificialisht. Kontrasti bëhet njëkohësisht akoma më i thellë. Aq më tepër kur asgjë nuk lëviz edhe pasi festat na kanë lënë shëndenë.

A thua vallë është tjetër qytet, tjetër shesh, të tjerë njerëz?

Si është e mundur të ketë një sjellje kaq kontrastuese, si është e mundur që për pak orë sheshzënie në dy periudha të vitit muslimanëve të mos u lihet gjë pa thënë, e për një muaj e më tepër kthim të sheshit në një katrahurë festive të mos flasë askush?

Virtyti i tolerancës, aq shumë i trumbetuar, venitet para këtij kontrasti, bëhet si mos më keq. Nuk është çështja të mos festojnë të tjerët; çështja është të lihemi të qetë të festojmë dhe ne, muslimanët, në ditët tona të shënuara. Kaq!

Për të mos u kthyer dalëngadalë në rohingia! /tesheshi.com/

 

Related posts