“Bomba” e ambasadorit amerikan në Maqedoni: si e qerasi veten Komisioni Zgjedhor me 30 rroga, reagime

Anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në tetor të këtij viti, e kanë qerasur veten me bonuse deri në  paga mujore. Ndërkaq, për punën e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, kanë marrë bonus dhe 5 paga mujore, ndërkohë që 3 rroga si kompensim kanë marrë për zgjedhjet e  prillit të vitit 2016 të cilat nuk u mbajtën.

Denoncimin se anëtarët e KSHZ-së marrin bonuse pagash të këto nivele, e bëri ambasadori amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli në ligjëratën para studentëve të Fakultetit të sigurisë në lidhje me korrupsionin.

Bejli sqaroi se këtë ka kuptuar para një jave.

“Votimi në komision ka qenë i njëzëshëm, pavarësisht përkatësisë partiake apo etnike.  Bonus më të ulët ka marrë edhe personeli i punësuar në komision. Votimi është mbajtur pas dyerve të mbyllura jashtë syve të publikut. Çfarë do të thotë praktika e tillë për prioritetet e liderit?!”, u shpreh Ambasador i SHBA-ve në Maqedoni.

Pasi që deklarata e tij u transmetua nga ana e disa mediumeve, reagoi i gjithë opinioni publik në vend duke i dënuar veprimet e anëtarëve të KSHZ-së.

Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski theksoi se janë të arsyeshme  kritikat nga ana e opinionit publik për shkak të transparencës së pamjaftueshme nga Komisioni gjatë procedurës për shpërndarjen e kompensimeve për zgjedhjet. Ata theksuan se nga shpallja e zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre për atа nuk ka orar pune, as festa e as fundjavë… Vendimi, sipas tyre, është tërësisht i arsyeshëm edhe për atë që në rrethana të caktuara në rrezik ka qenë edhe jeta e tyre.

Anëtarët e KSHZ-së, edhe pse vlerësojnë se i kanë merituar, siç theksuan, për shkak të gjykimit të opinionit do t’i kthejnë katër paga në Buxhet ose do t’i dhurojnë.

“Gjatë ditëve të ardhshme do ti shqyrtoj të gjitha mundësitë ligjore, që kompensimet të cilat janë paguar, ose duhet të paguhen, ti kthej në buxhet, ose, në qoftë se nuk ka mundësi të tillë ligjore, ti donoj”, tha Çiçakovski.

Anëtarët e KSHZ-së konsiderojnë se bonuset i kanë marrë në pajtim me ligjin dhe janë plotësisht të arsyeshme.

“Këto para nuk janë fituar as nga keqpërdorimet dhe as është dëmtuar buxheti i RM-së. Këta janë para të cilat sipas nenit 19 të kodit zgjedhor janë paraparë për angazhimin dhe mundin, të cilin e kemi investuar si dhe për punët e ndërlikuara të cilat ne, si anëtarë të KSHZ-së, po i kryejmë”, u shpreh Atanas Urumov, anëtar i KSHZ-së.

Përbërja e Komisionit numëron 9 anëtarë dhe sipas këtyre informacioneve, del se për 12 muajt e fundit, ata kanë marrë bonus të paktën 80 mijë euro. Kjo do të thotë se çdo anëtar i KSHZ-së, vitin e kaluar ka marrë mbi 9000 euro si shpërblim për punën e bërë.

Ndërsa qeveria e Maqedonisë përfshirë edhe Ministrinë e Financave thonë se nuk ka pasur informacion për bonuset e KSHZ-së.

“KSHZ është trup i pavarur, ndërsa secili shfrytëzues i buxhetit vet i shpërndan paratë në suaza të buxhetit të tyre. Por, potencoj, as Ministria e Financave, as Qeveria e RM-së nuk kanë pasur kurrfarë informacioni lidhur me bonuset të cilat janë paguar”, deklaroi zëdhënësi qeveritar Boshnjakovski. /tesheshi.com/