728 x 90 Leaderboard

Bollano komenton Kacifasin: ç’hero është dhe pse isha në varrimin e tij

Për çështjen “Kacifas” është shprehur së fundi dheVasil Bollano, ish-kreu i Bashkisë së Himarës, i njohur si grekofil. I ftuar në “Provokacija” të Mustafa Nanos, Bollano tha se ishte prezent atë ditë në Bularat, kur Kacifasi nisi të qëllonte.

 “Atë ditë isha në vendin ku ndodhi ngjarja për shkak të ftesës për organizimin e ditës së 28 tetorit. Fillimisht kur e dëgjuam që një person i armatosur ka goditur në një drejtim të paditur, krijoi një indinjatë. Sigurisht ishte çështje që më pas e morën organet e përkushtuara për këto lloj ngjarjesh që ishte policia e shtetit. Rreth orës 1 u larguam se mbaroi aktiviteti dhe në darkë u njoftuam për ndodhinë që u konkludua me vrasje”, tha Bollano.

Ai më pas shpjegoi praninë e tij në varrim, duke iu shmangur qëndrimeve politike.

“Në varrim shkuam për një arsye: për arsyen humane se humbi jetën një njeri dhe aq më tepër në mënyrën se si evoluan gjërat u krijuan shumë pikëpyetje të ndryshme. Domethënë ditën e parë u ekzekutua një person i armatosur, deri këtu gjërat janë në rregull. Mirëpo kur fillojë aludimet, kur fillojnë deklaratat, kur fillon një media elektronike dhe e quan ‘budalla’, ‘psikopat’, ‘kriminel’, çfarë nga këto kanë ndodhur. Atëherë ngrihen shumë nga këto përshtypje dhe aludime për individin në fjalë që unë nuk e njoh, menjëherë krijohet përshtypja se këtu diçka ka ndodhur dhe vonohet dhe ekspertiza. Rrugën zyrtare akoma s’e kemi dëgjuar”, theksoi ish-kreu problematik i Bashkisë së Himarës.

Sipas tij, Kacifas është një hero, por aspak politik.

“Deri tani që flasim fjala ‘hero’ është në kuptimin laik, sepse nuk e kemi versionin zyrtar. Por në aspektin laik ai është vlerësuar si hero. Indidvidët apo forma laike e të shprehurit, duke patur një material të tillë, krijon dhe ajo kondrapeshat e saj. Në rastin konkret ai u bë hero, u mitizua, do ta shikojmë në perspektivë se ç’do të bëhet. Vajtja në varrim është një moment tjetër, nuk lidhet as me politikën, as me ngjarjen, as me sjelljen. Vajtja në varrim është çështje emocioni, çështje humane, pra është ana sociale jo politike apo juridike”.

Ndërsa për sa i përket thirrjeve anti-shqiptare në ceremoninë e varrimit, Bollano, ndryshe nga zëra të tjerë grekë, edhe zyrtarë, së paku u distancua prej tyre.

“Unë personalisht distancohem nga çdo lloj thirrje”, tha Bollano. /tesheshi.com/

 

Related posts