Bojkotuan kombëtaren, FSHF letër “Tifozëve Kuq e Zi”: Mos na braktisni!

Një ditë pas vendimit befasues të “Tifozëve Kuq e Zi”, për të bojkotuar ndeshjet e kombëtares, reagon Fedarata Shqiptare e Futbollit. Grupi më i zjarrtë i tifozëve njoftoi se nuk do të jetë më në mbështetje të ekipit, për shkak të poshtërimit me të cilin u përballën në ndeshjen e fundit me Izraelin, për shkak të masave tepër të larta të sigurisë. Përmes një letre të hapur, FSHF u ka kërkuar tifozëve të ndryshojnë qëndrim, pasi rëndësia e tyre, në rolin e “lojtarit të 12-të” në fushë është i pazëvëndësueshëm.

Federata i bën thirrje grupimit TKZ, që të ndryshojë qëndrimin që ka në lidhje me këtë vendim. Me një gjykim më gjakfohtë dhe dashamirës, duhet të rikthehen në stadium, në vendin që i takon, duke i lënë mënjanë mëritë dhe qejfmbetjet e duke kapërcyer mbi to, duke u bërë të gjithë, më të gjerë dhe duke menduar për qëllimin tonë të madh; të jemi një suport i rëndësishëm për skuadrën tonë të dashur, e cila na ka bërë shpesh të lumtur dhe krenarë me paraqitjet e saj”, shkruhet në letër.

FSHF ka sqaruar edhe rrethanat që sollën ngritjen e strukturave të rendit dhe “blindimin” e zonës. “Kjo ndeshje kishte specifikat e saj nga pikëpamja organizative. Për hir të ndryshimit të qytetit dhe stadiumit ku do të zhvillohej ndeshja, u desh të kryenim, një punë kolosale, në kushte realisht të vështira. Konvertimi në një kohë rekord, i biletave të programuara për në stadiumin e Shkodrës, ishte një aksion që vështirë se një organizëm tjetër, mund ta realizonte. Në kushtet e krijuara, edhe ne ndeshëm shumë vështirësi, për të realizuar organizimin e një ndeshjeje model, sipas standarteve të UEFA-s. Për fat të keq, kjo sakrificë që tifozeria bëri, nuk u shpërblye. Ata kanë dhënë gjithçka për skuadrën kombëtare gjatë kësaj periudhe dhe për këtë meritonin një trajtim më qytetar, brenda kufijve ligjorë. Ne besojmë se këto kanë qenë edhe udhëzimet e drejtuesve të policisë së shtetit por në terren gjërat janë deformuar dhe për këtë ndjejmë keqardhje”, shkruan FSHF.

Pas këtyre sqarimeve, federata ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithëve dhe rikthimin e tyre në stadium. “Vetëm mirëkuptimi e bashkëpunimi, do të përmirësojë komoditetin tuaj në stadium. Ne do të bëjmë maksimumin, për të qenë një interlokutor i rëndësishëm, midis të gjitha palëve, për të patur një mbarëvajtje sa më të mirë të punëve, në të ardhmen. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme, për ekipin kombëtar dhe futbollin shqiptar. Për këtë arsye ju duam të gjithëve. Të jeni në stadium, për të mbështetur kombëtaren, siç ka ndodhur, në mënyrë spektakolare deri më tani”, përfundon letra e FSHF-së./tesheshi.com

auto pjese dak

Related posts