728 x 90 Leaderboard

Bojkoti i votimit në Kuvendin e Kosovës, ja 10 deputetët “kampionë”: i ikin përgjegjësisë por jo parasë

Mospjesëmarrja në votim është shmangie nga përgjegjësia dhe përfaqësimi i qytetarëve. Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, neni 40, pika 1 e thotë qartë që deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në seancat plenare dhe mbledhjet e trupave të tjerë ndihmës të Kuvendit, ku ata janë anëtarë. Po në të njëjtin ligj, gjegjësisht në neni 41 thuhet që deputetët që nuk marrin pjesë në seancë dhe punimet e tjera brenda Kuvendit do t’iu reduktohet paga bazë dhe kompenzimet shtesë.

Edhe pse deputetët janë të obliguar të marrin pjesë dhe të shprehin mendimin e tyre çfarëdo qoftë ai me anë të votës, në legjislaturën aktuale shumë prej tyre jo rrallë herë nuk kanë ngritur dorën për të votuar.

Nga monitorimi që ka bërë Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), del se deputetët e partisë së parë opozitare janë më pasivët sa i përket mos votimit të ligjeve gjatë sesionit pranveror, ndërsa deputetët e PDK-së kanë bojkotuar më se paku votimet e ligjeve.

Katërshen e parë sa i përket mos votimit të ligjeve e kanë “zaptuar” deputetët e LDK-së. Prijnë deputeti nga Gjilani, Imet Rrhamani (ish-ministër i Shëndetësisë në qeverinë ‘Mustafa’) me 61 % të mos votimit të ligjeve edhe pse ka qenë prezent, pastaj Lutfi Zharku (ish-ministër i Infrastrukturës) me 54 % me mospjesëmarrje në votim, pastaj deputeti i ri Fidan Rekaliu me 51 % dhe Doruntina Maloku-Kastrati me 50%.

Pesëshen e mbyll deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu me 49%. Pozitat gjashtë dhe shtatë renditen deputetët e Listës Serbe, Slavko Simiç me 48 % mospjesëmarrje në votim dhe Srdjan Mitroviç me 47%. Në vendin e tetë renditet deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani poashtu me 47 % mospjesëmarrje në votim, vendin e nëntë e zë deputeti nga minoriteti serb, Slobodan Petroviç me 45%, kurse dhjetësha përmbyllet me deputeten e LDK-së, Besa Gaxherri me 44 % mospjesëmarrje në  votim.

Ndërsa deputetët që kanë bojkotuar më së paku votimet e ligjeve gjatë pjesëmarrjes në seancë  dhe renditet në dhjetëshen e fundit janë: deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi 0%, pra sa herë ka qenë në seancë ka votuar ligjet, i dyti renditet deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili me vetëm 1%, mosvotim të ligjeve, pastaj renditen deputetët tjerë të PDK-së, Flora Brovina 3%, Luljeta Gutaj-Veseli, Fadil Beka dhe Evgjeni Thaçi – Dragusha nga PDK me 4% mos votim të ligjeve gjatë pjesëmarrjes në votim, Xhevahire Izmaku dhe Ganimete Musliu nga PDK, Memli Krasniqi nga PDK e Shkumbin Demaliaj nga AAK me 5% dhe Muharrem Nitaj AAK me 7% mos pjesëmarrje në votim.

Deputeti kampion i mosvotimit të ligjeve: Do të vazhdojë këtë rrugë deri sa ta rrëzojë qeverinë

Siç cekëm më lartë, deputeti nga Gjilani, Imet Rrahmani nga LDK prijnë nga 120 deputetët për mos votim të ligjeve gjatë kohës ka qenë prezent në seanca.

Ai edhe pse nënshkruhet në fillim të çdo séance dhe nuk harron që të marrë mëditjet, ku vije puna te votimet, këtë në të shumtën e rasteve nuk e bën.

Por, këtë zanat Rrahmani premton se do të vazhdojë ta bëjë, siç pohon deri të  rrëzohet Ramushi nga pushteti.

“Jam deputet nga radhët e opozitēs dhe asnjēherë nuk më ka shkuar ndërmend që vota ime të jetë nē funksion të plotēsimit të kuorumit të kēsaj qeverisje të çoroditur! Jam shumë i lumtur që nga bojkotimi i votimit në situata të caktuara sado pak kam penguar keq qeverisjen aktuale. Sigurisht se kështu do të veproj edhe nē të ardhmen derisa të vjen momenti me votuar rrëzimin e qeverisë. Në atë votim nuk do të hezitoj dhe nuk kam dilema, sepse vota pro ēshtë kontributi më i madh që kam mundësi me bërë në tërë mandatin në të mirë të qytetarëve të vendit”, shkruan Rrahmani në Facebook.

KDI ka bërë të ditur se kjo përqindje është nxjerrë duke përpjestuar numrin e pikave të votimit në të cilat deputeti/ja nuk ka votuar (deputeti/ja ka qenë i/e pranishëm në seancë, por nuk ka votuar as pro, as kundër, as abstenim , me numrin total të pikave të votimit ku deputeti ka qenë i pranishëm në sallë. Mungesat fizike të deputetëve në seanca janë minusuar nga kjo përqindje.

B.Gashi – /tesheshi.com/

Related posts