Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Blerim Narazani, dirigjenti që u nderua si “Naim Frashër”: edhe ky profesion ka sakrifica

Nga Bardha Nergjoni

Dirigjent, një profesion i rrallë në fushën e muzikës ka shënuar jetën e Blerim Narazanit që së fundi është nderuar me urrdhërin “Naim Frashëri” nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Dirigjentët janë të paktë në numër dhe Elbasani ka shansin të ketë një të tillë që ka kontribuar për më shumë se 40 vjet për muzikën klasike, ansamblin artistik si dhe arsimin muzikor. Blerim Narazani ka mbaruar dirigjim simfonik, ka pasur si mësues, babain e dirigjimit, Mustafa Krantja dhe violina e ka shoqëruar qysh në vitet e para të jetës.

I propozuar për titullin e lartë, Blerimi është duke realizuar disa projekte në muzikë dhe është angazhuar të kthejë në traditë një festival të muzikës së dhomës në mbarë shqiptarët. Motivacioni “Për kontribut të shquar si dirigjent, për prezantimin me dinjitet të muzikës shqiptare brenda dhe jashtë vendit si dhe për drejtimin e organizimin të veprimtarive të ndryshme duke zhvilluar etnokulturën kombëtare” ka shoqëruar ceremoninë e rastit, që u zhvillua së fundi në Presidencë.

Për aktivitetin e tij, çmimet e fituara, përshtypjet për vlerësimin dhe aktivitetin intensiv që nuk ndalet, Blerimi flet në një intervistë për tesheshi.com

Si ka nisur rrugëtimi juaj me muzikën?

Unë jam fëmijë normalisti dhe normalistët nuk përgatiteshin vetëm si mësues por edhe si instrumentistë. Babai im i binte violinës. Kështu më mësoi këtë instrument dhe vendosi që unë të konkurroja për violinë. Në atë kohë sa ishte hapur shkolla 8-vjeçare për muzikë dhe fillonte në klasën e tretë. Unë jam brezi i dytë i kësaj shkolle. Isha 7 vjeç kur fillova konkurrova. Mësuesi im i parë ishte Josif Shuteriqi dhe më pas Selaudin Simitçiu. Unë vazhdova të merresha me muzikë edhe pas përfundimit të shkollës me mësuesin Mitat Stringa. Elbasani në atë kohë nuk kishte ende një shkollë të mesme për muzikë. Ndërsa vazhdoja violinën, mësuesi im më ndihmoi të shkoja si ushtar në Ansamblin e Ushtrisë ku vazhdova me muzikën.

Jeni ndër të rrallët që keni mbaruar dirigjim simfonik apo jo?

Shkollën e lartë e kam vazhduar për dirigjent simfonik i përgatitur nga i madhi Mustafa Krantja. Në kohën kur isha student, bëheshin koncerte që konkurronin për “dekadat e majit”, ku merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të kohës. Mora pjesë me një vepër e cila arriti deri në natën finale. Fitova çmimin e dekadës krahas emrave të mëdhenj të muzikës në atë kohë. Ishte vlerësim i madh për mua pasi isha vetëm një student.

13246400_998311273588013_3581366466515829644_o

Ndërkohë për diplomën kam mbajtur një koncert në 18 prill 1981. Kam luajtur vepra të mëdha dhe ka qenë një koncert që ka zgjatur për shumë orë. Me përfundimin e shkollës më emëruan mësues në shkollën Artistike në Elbasan. Punova për 10 vjet në këtë shkollë. Aty organizova orkestrën simfonike, e cila ishte një sukses më vete pasi morëm dy çmime të rëndësishme në organizime kombëtare. Në këtë periudhë jam vlerësuar edhe nga ministri i Arsimit në atë kohë, Skënder Gjinushi.

Vetëm në vitet 90-të kur ra Muri i Berlinit, emërohem dirigjent i Qendrës së Kulturës duke drejtuar orkestrën dhe bandën e qytetit. Janë 17 vjet punë në koncerte, pjesëmarrje kombëtare e ndërkombëtare deri kur politika vendos që unë të largohem nga puna në vitin 2007. Më pas emërohem si drejtues i Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ku sërish transferohem nga Arsimi në një shkollë nëntëvjeçare si mësues i thjeshtë. Vendosa të mos e pranoj këtë gjë dhe prej dy vjetësh janë një profesionist zyrtarisht i papunë.

Çdo punë e ka një vështirësi. Ju mendoj se keni disiplinën dhe provat që kërkojnë gjithmonë impenjim deri në finalizim. çfarë ju është dashur të sakrifikoni për profesionin tuaj?

Edhe ky lloj profesioni kërkon sakrificë. Mendoj se i kam hyrë në hak familjes time pasi gati çdo ditë janë bërë prova për koncertin e radhës. Pjesa më e madhe e kohës time ka qenë në punë. Shumë pak kam qëndruar afër bashkëshortes dhe dy fëmijëve të mi. Bashkëshortja ime ka qenë mbështetja kryesore pa të cilën nuk do ja dilja në këtë lloj profesioni. Jam thuajse çdo ditë në prova për t’u përgatitur për koncertin e radhës.

13301304_1002235283195612_5118932649101075925_o (1)

Karriera juaj e gjatë si dirigjent ka shënuar disa kulme. Cilat kanë qenë ato?

Në karrierën time kam realizuar shumë koncerte simfonike, shumë projekte dhe kam marrë shumë çmime me orkestrat dhe me ansamblin “Isuf Myzyri”. Kam zhvilluar koncertin e 14 marsit për 8 vjet rrjesht. pikërisht në orarin kur në 1 janar fillonte koncerti i Vjenës, unë realizoja një mini-Vjenë këtu në Elbasan në festën më të rëndësishme tradicionale të këtij qyteti. Po kështu, koncertet Gala që janë zhvilluar e do të vazhdojnë të zhvillohen, janë rezultate të miat.

429

Si erdhi propozimi për urdhrin”Naim Frashëri”?

Ka qenë institucioni i qarkut që ka bërë propozimin në vitin 2014. Ministria e Kulturës e aprovoi dhe e dërgoi në Presidencë. Presidenca zhvilloi një ceremoni ku ishin të pranishëm të njohur, miq e familjarë. Kjo ceremoni ishte mjaft emocionuese për mua.

Ju jeni duke realizuar një ëndërr të kahershme apo jo?

Kam fituar të drejtën nga Ministria e Kulturës për të organizuar një festival kombëtar i orkestrave të harqeve dhe muzikës së dhomës që nuk është bërë qysh nga ndërrimi i sistemeve. Ka qenë një ëndërr e imja. Kam qenë fitues i një projekti të mbështetur nga ministria për ta kthyer muzikën klasike. Kam mbaruar fazën e parë të përgatitjes. Kam kontaktuar të gjitha bashkitë dhe po bëjmë përgatitjet për këtë festival ku do të ketë formacione nga Kosova e Maqedonia dhe pse jo të huaj. Festivali do të organizohet në muajin tetor në Elbasan. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts