Blerand, shtimi i popullsisë ndikon në zhvillimin ekonomik, jo e kundërta! – thotë Ibrahim Rexhepi, ndër penat më të njohura të ekonomisë

Njëri nga gazetarët më të njohur të fushës së ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, gjatë një bisede për portalin TeSheshi është shprehur i habitur me injorancën e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerant Stavileci. Ai thotë se qeveritarët duhet ta kuptojnë se planifikimi i familjes iu takon vendeve moniste, e jo atyre demokratike…

 

Nga Zekirja Shabani

Prishtinë – Zhvillimi ekonomik  ka kuptim  kur ai ndodh  dhe është në të mirën e përgjithshme. Për të arritur këtë, Ibrahim Rexhepi, njohës i fushës ekonomisë, thotë se duhet bërë një balancim ndërmjet rritjes ekonomike dhe shtimit të popullatës.

“Por, ky ballancim mund të bëhet vetëm duke korrigjuar njërin faktor – atë të rritjes ekonomike, i cili duhet të nxitet dhe të stimulohet me të gjitha format, në mënyrë që norma e rritjes të jetë e mjaftueshme dhe të ofroj mirëqenie për tërë popullatën”, thotë ai, gjatë një bisede për portalin TeSheshi.

Sipas Rexhepit, nëse synohet që një mekanizëm jashtë familjes “ta zëmë shteti ( të ndikoj në planifikime të familjes, atëherë kjo na kthen në kohërat e sistemeve të kaluara, kur diku, si në Kinë, shteti e ka përdorur planifikimin e familjes si mekanizëm që të përafroj normën e natalitetit me atë të zhvillimit ekonomik”.

Ai kujton se ka pasur raste në Kosovë kur qeveria serbe është munduar të fusë një planifikim të familjes tek shqiptarët, por siç thotë ai, kjo ishte bërë me qëllim të asimilimit të shqiptarëve:

“Raportet e mirëqenies sociale dhe natalitetit janë çështje që  kryesisht duhet të trajtohen brenda familjes – në marrëveshje ndërmjet çiftit bashkëshortor.  Ata duhet të identifikojnë mundësitë për rritje të familjes,  por në të njëjtën kohë shteti – qeveria e mirëfilltë, garanton një minimum të mirëqenies, shkollimit, apo të përkujdesjes shëndetësorë ndaj të gjithë popullatës, pra edhe të fëmijëve. Kjo prindërve ua lehtëson mundësinë për rritjen e fëmijëve”, thotë ai.

Ndërkaq, perspektiva e tyre ndërtohet përmes nxitjes së zhvillimit ekonomik.

Sipas Rexhepit, popullsia është potenciali dhe resursi kryesor për zhvillimin ekonomik. Krejt kjo arrihet me ndihmë e saj, por edhe për nevojat e  saj…

“Prandaj, sa më i madh është numri i popullsisë, aq më i madh është tregu, aq më të mëdha janë kërkesat, dhe aq më të mëdha janë mundësitë për zhvillim. Ndërkaq, kjo ofertë është edhe më cilësore, nëse kjo është popullatë e re, si është në Kosovë, por edhe në përgjithësi te krejt shqiptarët, ku pjesëmarrja e gjeneratës së re, përkatësisht e kontingjentit të aftë për punë është më e madhe krahasuar me Evropën”, thekson ai.

Pra, sipas Rexhepit, një popullatë e aftë për punë, e kualifikuar , e gatshme për të pranuar sfidat zhvillimore- kjo është përparësi…

“Duhet pasur një qeveri të mençur, vizionare, që fokusohet në zhvillim ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies sociale, e jo për interesa e grupeve të interesit, apo atyre që janë të lidhur në ingranazhet e pushtetit. Për fat të keq shqiptarët nuk e kanë qeveri të këtilla, prandaj janë të zhytur në varfëri dhe skamje, ndërkaq nga rritja ekonomike përfitojnë vetëm një grup i caktuar individësh e biznesesh aq qëndrojnë afër pushtetit apo partive me ndikim”, thekson ky ekonomist.

Sa i përket  deklaratës së ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci se nëse qytetarët kanë pagë 300 euro mos t`i bëjnë 7 fëmijë:

“Në masën më të butë, them se është e pamatur dhe për më keq, vjen nga një ministër, i cili duhet të ketë një qasje tjetër në raportin ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale. Nuk i takon atij, e asnjë qeveritari e pushtetari tjetër,  që  të përzihet në “shtratin bashkëshortor”  të askujt”, thotë Rexhepi.

Planifikimi i familjes, sipas tij është punë që e koordinojnë qifte bashkëshortore. Ndërkaq, ministri për zhvillimin ekonomik  vërtetë duhet të fokusohet në zhvillimin ekonomik dhe të ofroj mirëqenie për secilin kosovarë që lindë.

“Me këtë deklaratë, ai ka luhatur skajshmërisht  ato pak bindje, nëse ka pasur, se është njëri prej ministrave të rinj, me një qasje më të avancuar ndaj problemeve ekonomike e sociale. Por, mënyra se si e trajton relacionin ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe  shtimit të popullatës, i takon do kohërave të tjera. Planifikimi nuk bëhet me diktat. Ai duhet të tregoj se  çka mund të ofrojë kjo qeveri për popullatën, për shkollimin, mbrojtjen shëndetësore, punësimin, e prindërit të bëjnë plan se sa fëmijë do të kenë”, nënvizon ekonomisti Ibrahim Rexhepi.

Në këtë frymë, thotë ai, duhet të jenë edhe deklaratat e kryeministrit, meqenëse sikurse Isa Mustafa, edhe Blerand Stavileci, e ministrat e tjerë, duhet ta kenë të qartë se popullata, si në numër, ashtu edhe në moshë të re, është potencial i zhvillimit, e jo problem për zhvillim. Qëndron në përgjegjësinë e tyre që këtë përparësi ta shfrytëzojnë dhe ta mobilizojnë”, theksin ai./TeSheshi/

auto pjese dak

Related posts