Besnik Mustafaj: Basha kërkon reformë zgjedhore për të justifikuar humbjen, ja dy momentet më të veçanta në 27 vjet…

Besnik Mustafaj, ish-deputet i PD-së, ka komentuar debatin mes opozitës dhe mazhorancës për reformën zgjedhore.

Sipas tij, kjo reform, prej kohësh ka qenë një rekomandim i OSBE, por ka munguar vullneti politik për ta realizuar. Ai tha ndër të tjera se Rama e do reformën zgjedhore pasi është rekomandim i OSBE, por edhe Basha e kërkon, pasi do të justifikojë humbjen e zgjedhjeve.

“Reforma e zgjedhjeve ka qenë rekomandim i OSBE-ODHIR. Kam pasur mendimin se sa reforma zgjedhore janë zhvilluar në Shqipëri, problematika që buron nuk është rrjedhimi i ligjeve, por problematika buron nga vullneti politik. Replikat mes dy liderëve politikë janë për të krijuar lajm. Pasi Rama është dakord për reformën zgjedhore se është rekomandim i OSBE, por edhe Basha është dakord për të justifikuar humbjen katastrofike në zgjedhjet e kaluara”, tha Mustafaj, i ftuar në studion e Neës 24.

Referuar debateve në distancë mes Ramës dhe Bashës për këtë reformë, Mustafaj theksoi se asnjë nga palët nuk ka paraqitur ndonjë version të ri.

“E vetmja gjë që thotë Rama është që t’u japim mundësi emigrantëve të votojnë, ndërsa Basha kërkon votimin elektronik. Pra thelbi nuk preket. Ligji është njësoj për të gjitha palët politike. PS dhe PD nuk kërkojnë ndryshimin e sistemit. Abstenimi kaq i madh në këto zgjedhje nuk është një gjë që duhet shpërfillur”, theksoi ai.

Duke analizuar situatën në këto 27 vite, ish-ministri i Jashtëm veçon dy momente: kundërvënia e rinisë shqiptarë ndaj sjelljes së armëve kimike në Shqipëri  dhe reagimi i Shoqërisë Civile dhe opinionit publik kundër ligjit të mbetjeve

Ai u shpreh se këto dy momente, kanë bërë që zëri i qytetarëve të dëgjohet.

Sa i takon ligjit të mbetjeve, Mustafaj tha se janë dëgjuar dy qëndrime të Ramës, një kur ishte në opozitë, dhe një tjetër në pushtet.

“Në këto 26 vite të pluralizmit, dy janë momentet kur unë jam ndjerë disi i ngazëllyer. Së pari kur rinia iu kundërvu sjelljes së armëve kimike për t’u shkatërruar në Shqipëri, dhe së dyti kundërvënia e shoqërisë civile dhe opinionit publik ndaj ligjit të plehrave. Në një gazetë franceze thuhej, ‘e çuditshme kjo ambicia shqiptare për ta kthyer vendin në një kosh plehrash’. Pra është absurde të bëhet diçka e tillë”, u shpreh Musfataj.

Ai shprehet se për këtë çështje duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve, dhe ai propozon që të mbahet një referendum.

“Unë jam dakord me atë që Rama ka thënë më parë, që ne duhet të trajtojmë një herë plehrat që kemi në gjithë vendin, pasi mbetje ka kudo në lumenj, toka, bregdete, etj. Unë mendoj se duhet të bëhet një referendum për këtë çështje, pasi do të ishte me pasoja pozitive edhe në kulturën politike shqiptare”, tha Mustafaj. /tesheshi.com/