Bën hajgare me e përmend festën e Pavarësisë në veriun e Kosovës

Nga Musa Mustafa

“Ligjërata për Pavarësinë e Kosovës e mbajtur në shkollën fillore ‘Aziz Sylejmani’ në veri të Mitrovicës e që është shkolla e vetëm shqipe, nuk ka asnjë kuptim, apo më mirë ta themi është një ëndërr për nxënësit e shkollës.”

Fidan Mehmeti

Këto komente i ka bërë mësuesi i Historisë  në këtë shkollë, Fidan Mehmeti.

Mehmeti ka folur para nxënësve të lagjes Kodra e Minatorëve në veri të Mitrovicës për Pavarësinë e Kosovës pasi që Ministria e Arsimit, ka vendosur që në tërë shkollat fillore dhe të mesme, ora e parë e mësimit t’i kushtohet pikërisht Pavarësisë.

Por kjo nuk ka qenë kaq e lehtë për mësues Fidanin.

“Me thënë të drejtën nuk jam ndierë mirë kur iu kam folur nxënësve për Pavarësinë e Kosovës, pasi jo vetëm në lagjen Kodra e Minatorëve ku është e vendosur shkolla, por edhe në tërë veriun, Pavarësisë as era nuk i vjen”, ka thënë ai.

“Nxënësit me ndoqën me kujdes ligjërimin tim për 8-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, por në fytyrat e tyre vërehej një zbehje dhe një mosbesim në atë që unë po iu thosha dhe ashtu edhe më doli”, shton ai.

“Profesor, tek ne në lagjen Kodra e Minatorëve nuk ka Pavarësi. Ne as në qytet nuk guxojmë të dalim e le më të festojë. Ne do të festojmë vetëm nëse babai na merr dhe na dërgon të mërkurën në jug të qytetit apo në Prishtinë”, thekson mësues Fidani t’i ketë thënë një nxënës i klasë së 8-të fillore.

“Pavarësia, në atë pjesë të Kosovës nuk vërehet fare, nuk ka asnjë flamur të shtetit të ri të vendosur gjëkundi, e nga ana tjetër, që nga bankat nxënësit shohin stemën e shtetit të Serbisë të vendosur në kalanë e Zveçanit. Vetëm kjo stemë me flamurin serb flet shumë për nxënësit e shkollës”, thotë mësuesi i Historisë, Fidan Mehmeti.

Veton Vidishiqi

Ndërkohë, Veton Vidishiqi, banor i lagjes së boshnjakëve në veri të Mitrovicës, teksa po e dërgonte djalin e tij, Mendimin, në shkollën fillore në jug të qytetit, tha: “vetë fakti se unë po e dërgoj djalin në shkollë në jug të qyteti duke ardhur nga veriu, pasi që atje nuk kemi asnjë shkollë, kjo flet më shumë se çdo gjë që këtu Pavarësia nuk ka mbërritur.”

“Në lagjen ku jetoj, në veri, vërehet një erë e Pavarësisë pasi që lagja e boshnjakëve është ngjitur me pjesën jugore, dhe aty është vendosur ndonjë flamur shtetëror a kombëtar, por në lagjen Kodra e Minatorëve e në lagjet tjetra të veriut, nuk mundemi të flasim për festë të Pavarësisë”, ka shtuar Vidishiqi.

IMG_8861

“Të lutem, shiko vetëm rrugën kryesore të pjesës veriore të Mitrovicës, a je tu parë ndonjë shenjë të shtetit që të bënë me dije se nesër është dita e Pavarësisë së Kosovës?!”, tha banori tjetër, Mustaf Azemi.

Dhe ai sqaron se të vetmet shenja të shtetit të Kosovës që vërehen në veri janë policët me uniforma e makinat e tyre, si dhe makinat e EULEX-it e KFOR-it, nëse këto të fundit mund të quhen të Kosovës.

“Është hajgare me përmend festën e Pavarësisë së Kosovës në veri të Mitrovicës. Kjo gjendje kështu e mjerueshme për popullatën shqiptare është duke mbretëruar që nga viti 1999 kur forcat e NATO-së kanë hyrë në Kosovë”, ka thënë Azemi dhe ka shtuar se Pavarësia e Kosovës përfundon tek pjesa jugore e urës mbi lumin Ibër.

Por si e mendon një serb i veriut festën e Pavarësisë?!

Millan Radosavleviq, i pyetur nga portali tesheshi.com për festën në fjalë, tha: “Kjo nuk më intereson fare, por një gjë është e sigurt se jemi duke jetuar shumë keq e askush nga politikanët e Prishtinës dhe Beogradit nuk çan kokën për ne por vetëm janë duke i shikuar interesat e tyre”. /tesheshi.com/

 

 

Related posts