reklama juaj ketu
reklama juaj ketu

Bekimi nga Deçani që shkëlqen në Zvicër, por jo si futbollist

Nga Bardha Nergjoni  

Nuk janë vetëm futbollistët nga Kosova ata që shkëlqejnë në Zvicër. Ka dhe një arbitër. Ai është Bekimi. Bekim Zogaj, i cili në moshën 10-vjeçare ikën nga Deçani, në një vend që konsiderohet atdheu i dytë i kosovarëve dhe ku ata realizojnë vetveten. Në Zvciër, Bekimi ka patur të atillë rrugëtim jetësor, që vërtet num përfundoi futbollist- dhe kjo si shkak i marrjes së shumë kartonave të verdhë – gjë që më pas e çoi drejt rrugës së arbitrimit. Ja ç’rrëfen ai për veten në një intervistë për tesheshi.com…               

 

Bekim, ju jeni ndër shqiptarët që kanë shkëlqyer në fusha të ndryshme. Si keni arritur të bëheni një arbitër i niveleve ndërkombëtare?

Kam kryer kursin për arbitër në prill të vitit 1997. Pas dy viteve më ftuan në grupin e arbitrave me potencial për ligat e larta të futbollit zviceran. Aty nisi dhe karriera ime. Ishte një rrugë e gjatë. Së pari kam qenë arbitër kryesor deri në vitin 2010. Në fund të vitit 2010 vendosa të ndërroj detyrën time dhe u bëra asistent pasi si arbitër kryesor nuk kisha potencial dhe kjo sipas mendimit të komisionit të arbitrimit zviceran, për të arritur në superligën zvicerane. Shpejt panë talentin dhe potencialin tim si asistent dhe shumë shpejt më propozuan për në Ligën Superiore e Zvicrës. Po ashtu kam qenë arbitri i parë zviceran në listën e FIFA-s në futsal (futbolli i sallave). Nga viti 2010-2014 kam pasur stemën e FIFA-s në futsal. Më pas vendosa që të fokusohem në detyrën e asistentit të arbitrimit në futbollin e madh. Unë si Bekim akoma nuk e kam stemën e FIFA-s si asistent por ne disa ndeshje ndërkombëtare kemi të drejtë të shkojmë edhe pa stemën e FIFA-s. Unë kam fatin që jam asistent i një arbitri të talentuar nga Zvicra dhe që po më jepet mundësia për të udhëtuar në ndeshjen ndërkombëtare me të.

Pse zgjodhët arbitrimin dhe jo futbollin?

Si lojtar i futbollit kam qenë teper emocional. Në çdo ndeshje u ndëshkoja me kartonin e verdhë sepse nuk isha dakord me vendimet e arbitrit. Por në karrierën time si futbollist, kurrë s’kam marrë karton të kuq. Në Zvicër, çdo klub që ka një ekip të rinjsh duhet të paraqesë një arbitër në federatë. Klubi ku isha më lajmëroi mua pasi unë merrja shumë kartonë të verdhë. Kisha arbitruar disa ndeshje të të rinjve në klub më parë dhe nga aty filloi interesimi im për referim.

Ju në fakt në përditshmëri jeni një ekonomist. A ju ndihmon ky profesion në arbitrim?

Kam fatin e mirë që aty ku punoj unë, më jepet mundësia që të jem shumë i lirë sa i përket arbitrimit. Profesioni si ekonomist ndoshta më ndihmon sepse të isha një punëtor ndërtimi për shembull nuk do të ishte e lehtë për mua sepse si arbitër duhet të jesh i përgatitur.

Ju keni shkuar në moshën 10-vjeçare nga Deçani në Zvicër. A jeni përballur me vështirësi, racizëm, pengesa që ndodhin shpesh sa i përket emigrantëve?

Unë besoj se njerëzit që kanë talent dhe e marrin me seriozitet profesionin e tyre duke u përkushtuar maksimalisht, nuk mund të ndalen lehtë dhe ja dalin. Në Zvicër kemi arbitra nga Zvicra franceze, Zvicra gjermane dhe Zvicra italiane. Ndonjëherë duhet të kesh fat dhe të jesh në kohën e duhur në vendin e duhur.

Ka shumë shqiptarë që kanë zgjedhur futbollin. A është Zvicra vend i mundësive për talentet?

Zvicra si shtet i plotëson të gjitha kushtet personave që kanë dëshirë të marrin pjesë në sport. Infrastrukturë profesionale, instruktorë dhe trajnerë të mirë. Po ashtu janë strukturat  dhe programet e duhura për persona të talentuar.

Keni arbitruar shumë ndeshje në Zvicër ku luajnë shqiptarë. A është e vështirë të jesh objektiv në fushë me bashkatdhetarë?

Mund të them se në 20 vjet arbitrim në fushën e futbollit kam qenë gjithmonë objektiv. Për mua gjithmonë luanë ekipi A kundër ekipit B. Jo vetëm në Zvicër, por kam qenë asistent në Tiranë në ndeshjen Kukësi-Torpedo e Bjllorusisë, po ashtu kam arbitruar ekipin e Flamurtarit të Vlorës në Qipro në futsal. Në vitin 2008 kam qenë arbitër kryesor në ndeshjen Winterthur-Prishtina dhe Shqipëria-Schaffhausen. Por raportet e kontrollorëve të UEFA-s dhe të Zvicrës tregojnë se gjithmonë kam qenë objektiv. Mund të them se kam shumë respekt për të gjithë sportistët shqiptarë që janë në Ligat e larta të Zvicrës dhe po kështu ata më respektojnë në detyrën time si asistent e më parë si arbitër. Kam arbitruar shumë herë ndeshje ku merrte pjesë Xherdan Shaqiri, Granit e Taulant Xhaka, këtë të fundit edhe e kam ndëshkuar kur luante me të rinjtë e Baselit. Po kështu Amir Abrashi, një lojtar luftarak, Ermir Lenjani, Jahimir Hyka, Armando Sadiku, Burni Kukeli dhe shumë të tjerë.

A keni marrë fyerje nga shqiptarë për arbitrimin?

Ndoshta ka pasur fyerje ndonjëherë nga tifozë shqiptarë, por në stadiume të mëdha nuk kam arritur t’i dëgjoj. Sa i përket lojtarëve në Zvicër mund të them që djemtë dhe prindërit tanë shqiptarë janë duke punuar në rrugën e duhur sa i përket disiplinës në fushë dhe jasht saj.

Si u ndjetë në arbitrimin e Kukësit?

Për mua ka qenë një surprizë e bukur kur UEFA dhe federata e Zvicrës më besuan që të jem pjesë e arbitrimit në një ndeshje europiane. Në Tiranë më kanë pritur shumë mirë. Po ashtu ka qenë një befasi kur spikeri në stadium thirri: Bekiiiiiiiim Zoooogaj duke bërtitur. Jam skuqur. Shyqyr ata të Topedos se kanë ditur për kë ka bërtitur. (qesh) Mikpritja nga FSHF ka qenë fenomenale. Ne kemi kaluar shumë mirë ato ditë në Tiranë para, gjatë dhe mbas lojës.

Ju jeni duke ndihmuar arbitrat e Kosovës. Si e vlerësoni faktin se Kosova ka tashmë kombëtaren e saj?

Kosova nga viti 2017 do të ketë një arbitër dhe dy asistentë dhe asistentë të femrave në listën e FIFA. Besoj se ata do të marrin eksperienca të mira dhe të duhura për t’i ndihmuar arbitrat e tjerë në Kosovë. Sa i përket Kombëtares së Kosovës, ka qenë një lajm shumë i mirë. Tani duhet shumë punë sepse me pranim nuk kryen të gjitha punët…

Çfarë ndryshimi kanë ndeshjet brenda Zvicrës dhe ato ndërkombëtare sa i përket arbitrimit?

Në ndeshjet ndërkombëtare mund të them se respekti ndaj arbitrave në përgjithësi është më i madh sesa në ligën aty ku referojmë. Por, nuk duhet të harrohet se në ndeshjen ndërkombëtare presioni mbi arbitrët është më i madh pasi secili do të vlerësohet mirë që të ngrihet në listën e UEFA si arbitër.

Sa e rëndësishme ka qenë familja në karrierën tuaj?

Nëse nuk do të kisha pasur familjen përkrah që më mirëkupton në ditët që unë mungoj si në përditshmëri ashtu edhe në fundjave, nuk besoj se do të kisha arritur aty ku jam tani.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? Synoni arbitrim të ndeshjeve të Europianit, Botërorit apo Ligës së Kampioneve?

Të them të vërtetën plani im ka qenë të jem asistent në superligën zvicerane dhe të tjera plane nuk kam pasur. Mund të them se ta dëgjosh ndonjëherë himnin e Champions League, si arbitër është një ëndërr për çdo arbitër. Çfarë erdhi më pas është një “ëmbëlsirë” për mua.

Çfarë duhet të ketë një arbitër i mirë sipas jush?

Arbitri i sotëm duhet të jetë menaxher, autoritar, shef kolegjial, atlet dhe të njohë futbollin dhe rregullat e tij. Ndoshta edhe të ketë praktikuar futboll por edhe të ketë fat e të jetë në kohën e duhur dhe vendin e duhur. /tesheshi.com/