BEFASUESE/ Gazetari e publicisti Nexhmedin Spahiu: kur Berisha propozonte dhënien e Veriut për njohje të Kosovës nga Serbia

Një ndër gazetarët dhe publicistët më të njohur e më seriozë në Kosovë, mitrovicari Nexhmedin Spahiu ka bërë një pohim befasues në Klan Kosova.

I ftuar në Info Magazinë, Spahiu tha se vite më parë, në vitin 2003, pra kur Kosova ende nuk ishte e pavarur, Sali Berisha i kishte thënë dhe në prani të disa personave të tjerë se në këmbim të njohjes nga Serbia, Kosova duhet të japë diçka, pra tokë.

Ky pohim vjen në një kohë kur ish-kryeministri është vënë në “krye të betejës” për mosndryshim kufijsh, duke mos nguruar që presidentin Thaçi ta shpallë dhe argat të Beogradit.

“Më kujtohet një bisedë që kemi pasur në margjina të një konferencë në Stamboll.

Kam pasë bërë një debat me Sali Berishën. Aty kanë qenë edhe Veton Surroi, Ambasadori i Shqipërisë në Turqi, si dhe ai i Maqedonisë.

Në debat e sipër se çfarë duhet të japë Kosova për të arritur njohjen – po flasim për vitin 2003, kur Kosova s’ka qenë shtet – ai (Sali Berisha) më pati thënë se nuk mund të arrijmë të marrin njohjen pa dhënë Zubin Potokun, Leposaviqin…’

Ai (Sali Berisha) ka thënë se diçka duhet dhënë.

Ka qenë bindje që nuk do të mund të shpëtojmë lehtë. Ky ka qenë kuptimi i bisedës. Qëndrimi im ka qenë që do të jepnim sikur të pyeteshim ne dhe sikur vet ta kishim çliruar Kosovën. Por, për këtë pyetet Amerika. Ajo i jep, jo ne.

Nëse Amerika nuk do që të jepet tokë, nuk do të jepet asnjë centimetër. Ajo e ka çliruar, ajo e bart sovranitetin e Kosovës.

Në konferencë ka qenë edhe Fatos Nano, por ai nuk ka qenë prezent kur është bërë kjo bisedë”, informon Klan Kosova, duke iu referuar komenteve të gazetarit Spahiu.

Nga ana tjetër, publicist mitrovicar ka kundërshtuar dhe protagonizimin e Ramës në kauzën kosovare për marrëveshje me Serbinë.

“Involvimi i Shqipërisë dhe i Edi Ramës është jashtëzakonisht i dëmshëm për Kosovën.

Nëse ne tentojmë të jemi shtet i pavarur, atëherë shteti ynë vëlla s’ka përse të përzihet”, tha Nexhmedin Spahiu, raporton Klan Kosova. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts