Basha – Tramp: tjetër fotoja, tjetër takimi dhe diferenca mes të dyjave

Ndryshe është të bësh foto me një president amerikan, e ndryshe të pritesh prej tij. Fotoja mund të vijë si rezultat i shumë rrethanave, ndërsa pritja jo. Duhet të ketë shumë arsye të forta që kjo të ndodhë. Në rastin konkret, nuk ekziston asnjë e tillë që Trump të presë, apo dhe të takohet e bisedojë me një kryetar opozite të Shqipërisë.

Edhe Lul Berisha ka bërë foto me Ben Blushin – pikërisht prej rrethanave nga më të ndryshmet, pse jo dhe me idiotet –  por kjo nuk do të thotë se kreu i LIBRA-s është takuar e ka biseduar me ish-kreun e bandës së Durrësit.

Kjo nuk do të thotë se dhe Trump nuk e ka ditur fare se me kë po del në foto, por siç thuhet dhe në vargjet e një kënge të socrealizmit, “fotografia nuk mund të tregojë sytë që flasin dhe zemrën që rreh…”, një fabul që vlen dhe në këtë rast.          

Media pranë PD-së pretendojnë se presidenti amerikan ka takuar protokollisht kreun e opozitës. Ish-kryeministri Sali Berisha shkon edhe më tej, kur thotë se “me pritjen nga Trump, Lulzim Basha është padiskutim kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë”, një gjykim më shumë se provincial për nga naiviteti.

Ndërkaq, mediat pranë qeverisë kanë ofruar argumente dhe dokumente ku theksojnë se Lulzim Basha është takuar në shtetin e Wisconsini-it me presidentin amerikan, gjatë një aktiviteti për mbledhje fondesh.

Në njoftimin zyrtar të këtij aktiviteti thuhej se kush jep 20 mijë dollarë mund të arrijë të bëjë foto me Guvernatorin e  Wisconsini-it dhe me Presidentin Trump; dhe sipas tyre të njëjtën gjë ka bërë dhe Basha, ku

ka paguar 20 mijë dollarë duke u paraqitur në takim si biznesmen.

Në fakt, fotoja e Bashës me Donald Trump ishte si paksa e ngrirë dhe pa shkëmbim duarsh, por me gishtin e madh të dorës të ngritur lart, siç e kanë amerikanët shenjë për të treguar frazën “ok” por pa zë.

I ndihë kësaj dhe fakti që në njoftimin zyrtar nga PD, nuk është realisht objekti i bisedës dhe mesazhet që kë sjellë takimi, por vetëm një perceptim i vetë kryetarit Basha shprehur nën emocione të forta.“Takim i jashtëzakonshëm me Presidentin Donald Trump! Vizioni dhe kauza e tij janë frymëzim dhe inkurajim kolosal për lëvizjen tonë për një Republikë të qytetarëve, me ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt për të gjithë shqiptarët”shkruan Lulzim Basha në faqen e tij në Facebook.

Po si mund të ishte një takim i rregullt zyrtar dhe protokollar me Presidentin e SHBA-së?

Që të flasim drejt, nuk ka asnjëherë, apo shumë pak mundësi, që një President i SHBA të takohet me një drejtues partie politike të ndonjë vendi tjetër.

Le të sjellim një shembull më kuptimplotë: ka një vit që Marine Le Pen u qëndron ngjitur republikanëve amerikane, por e gjora dhe nuk arritur e nuk po arrin dot që të takohet me Donald Trump. E gjitha kjo për arsyen e thjeshtë se SHBA ka marrëdhënie me shtetet dhe jo partitë.

Ja dhe një shembull tjetër i kësaj: ndërkohë që e gjithë media botërore shkruante se Donald Trump është përkrahësi real i Marine Le Pen, i pari që e përshëndeti zyrtarisht Emanuel Macron-in pas zgjedhjes së tij si President i Francës, ishte pikërisht kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Edhe nëse ndodh ndonjë ë takim i një politikani të njohur me Presidentin e SHBA-së, ai realizohet në Shtëpinë e Bardhë, pasi ajo është selia zyrtare e Presidentit.

Nëse ndodh në ndonjë ambient tjetër, atëherë nuk është takim zyrtar dhe hyn tek lobimi, ku presidentët amerikanë dhe politikanët e atij vendi e kanë praktikë pune.

Pra, mbledhin fonde duke u ofruar njerëzve që u interesojnë foto apo video, ku një pjate në pritjet e këtij lloji duhet të paguhet rreth 10 mijë dollarë.

Me këtë rast, ata që takohen mbajnë lidhje të ngushta me politikën dhe ngrenë çështjet e tyre.

Shumë popuj të vegjël si shqiptarët, grekët apo irlandezët, e kanë përdorur këtë skemë që të arrijnë sensibilizimin e çështjeve të tyre në politikën e lartë të SHBA.

Prej më shumë se 40 vjetësh biznesmenë shqiptarë në SHBA, nga të gjitha trevat kanë paguar miliona e miliona dollarë që të sensibilizojnë çështjen e Kosovës, shqiptarëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Edhe grekët përdorin këtë metodë që të arrijnë të gjejnë akses në politikën e lartë të SHBA.

Por popuj, apo shtete të mëdha si Turqia, Gjermania, Italia etj., nuk e përdorin lobimin në këtë mënyrë, pasi kanë shtetet e forta, të cilët çdo gjë e bëjnë nëpërmjet strukturave diplomatike, si ambasadat, konsullatat etj.

Kjo është edhe rruga më e sigurtë, edhe pse më e gjatë për të lidhur marrëdhëniet. Por natyrisht nëse Basha do të kërkonte në mënyrë protokollare të takonte Trump, nuk do ta kishte gjetur kurrë. Maksimumi atë mund ta prisnin në zyrën për Shqipërinë në Departamentin Amerikan të Shtetit. Fundja ajo është zyra e specializuar për ta dëgjuar.

Ndërsa Trump ka dalë vetëm në fotografi. Edhe Edi Rama doli në foto me Barack Obamën në vitin 2012 dhe pagoi kosto më të lartë, pasi opozita ngriti edhe akuzë ndaj shqiptarit që kishte paguar 80 mijë dollarë për atë foto.

Rruga e shkurtër natyrisht që është më e gjatë dhe nuk sjell gjë. /tesheshi.com/