Basha: PD do të hapet që në shtator, të mundim brutalitetin

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar në daljen e parë para grupit parlamentar pas zgjedhjeve të 21 qershorit, se procesi elektoral u dëmtua dhe manipulua dhe ka shpallur planin e ri të PD-së për tu ringritur.

Në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar pas zgjedhjeve për pushtetin vendor, Basha radhiti kandidimin e personave me precedentë penalë, listat zgjedhore, kërcënimet ndaj kandidatëve të opozitës, shantazhet, blerjen e votës dhe përdorimin e strukturave të shtetit prej mazhorancës si parregullsitë që minuan procesin zgjedhor.

“Këto zgjedhje po përcaktohen dita-ditës si zgjedhjet më brutale të pushtetit të veshur me krim në qeverisjen e Shqipërisë. Këto zgjedhje janë shënuar në kancelaritë europiane për precedentin e kandidimit të të inkriminuarve për kryebashkiakë, pavarësisht kërkesave të zyrtarëve të lartë të BE-së për moskandidimin e tyre. Këto zgjedhje u shënuan gjithashtu edhe nga angazhimi i të gjitha strukturave të shtetit, e në veçanti të policisë, në një fushatë dhune, arrestimesh, kërcënimesh e keqtrajtimesh nga Veriu në Jug, e nga Lindja në Perëndim. Pati urdhër ndaj administratës për votën, si dhe blerjen e votave me anë të parave të fondeve publike, duke falsifikuar e sekuestruar gjithashtu edhe kartat e identitetit. U manipuluan kutitë e qendrave të votimit, duke u mbushur veçanërisht gjatë transportit të tyre drejt KZAZ-ve për numërim, pas nxjerrjes jashtë me dhunë të komisionerëve të opozitës”, tha Basha.

Sipas Bashës, mazhoranca shpërfilli kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për të tërhequr nga lista kandidatët e inkriminuar.

“Dyshja Rama-Meta kandiduan sërish persona të inkriminuar në shumë bashki dhe që ushtruan presion të hapur me bandat e tyre ndaj qytetarëve të thjeshtë, ndaj votuesve demokratë. Në këto presione u përfshinë edhe bandat më të njohura të historisë së Shqipërisë. Arben Frroku, ndër ta, u përfshi në një fushatë të ethshme për PS-në në Pukë, i cili si shpërblim mori të drejtën për largimin nga vendi vetëm pak ditë para se të jepej vendimi i Apelit për burgim të përjetshëm të tij”, shtoi kreu i opozitës.

Basha tha se “ka pasur presione dhe kërcënime me jetë edhe ndaj kandidatëve për këshilla bashkiakë, si dhe dhunë e ushtruar ndaj opozitës”.

Por pavarësisht këtyre faktorë, votën për kandidatët, Basha e interpretoi si rritje të Partisë Demokratike, që sipas tij do të vazhdojë pashmangshmërisht.

Kjo është një periudhë e vështirë për PD-në dhe për këtë Basha është i vetëdijshëm, por edhe i bindur që kjo do të lihet pas shumë shpejt, duke nisur që nga muaji shtator.

“Partia Demokratike do të nisë hapjen për të gjithë ata që duan të ndajnë opozitarizmin, jo interesin, që nga vjeshta e këtij viti. Partia Demokratike ka kaluar periudha të vështira dhe shumë të vështira, por ka ditur të ringrihet dhe do të ringrihet”, deklaroi Basha.

Dhe ringritja, sipas kreut demokratëve nis nga sfida e aktuale, që për opozitën është përballja me “instalimin e një oligarkie të lidhur me botën e errët të krimit të dyshes Rama-Meta”.

auto pjese dak

Related posts