Auto Dak
Auto Dak

Basha nga Brukseli: qëndrimi im mbi negociatat, ja pse nuk do hapen

Kreu demokrati Lulzim Basha është shprehur i bindur se negociatat me BE-në nuk do të hapen në muajin tetor, kjo sepse sipas tij, Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet. Në Bruksel, në asamblenë politike të PPE-së, kryedemokrati iu referua raportit të fundit të OSBE-së për zgjedhje te 30 qershorit, ku tha se kushti kryesor për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk është plotësuar.

“Në Asamblenë Politike të Partive Popullore Europiane, kam gjetur mundësinë për t’u shpjeguar partive tona simotra, se megjithë gjendjen e vështirë, megjithë faktin se tashmë e pranon gjithkush se Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet e vëna për të hapur negociatat, lypset një vendim politik. Një vendim politik i cili nga njëra anë t’i sinjalizojë popullit shqiptar se Europa me të vërtetë i mban dyert e hapura dhe nga ana tjetër, për t’u dhënë një mesazh të qartë autoriteteve shqiptare, se Bashkimi Europian, vendet anëtare, tashmë përmes procesit të negociatave, do të ushtrojnë presion të shtuar mbi qeverinë. Ky presion do të ndihmojë për të kapërcyer krizën kushtetuese, demokratike dhe institucionale të vendit, përmes të vetmit instrument që njeh Evropa, që njohin demokracitë, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, u shpreh kryedemokrati.

Basha ripërsëriti akuzat e tij se krimi në Shqipëri jo vetëm nuk po hetohet, por ai është i lidhur ngushtë me pushtetin.

“Kriteri bazë për të qenë anëtar i Bashkimit Europian është demokracia dhe këtu konvergojnë jo vetëm interesat e PD dhe opozitës së bashkuar, por të të gjithë shqiptarëve të ndershëm, për t’i dhënë fund një autokracie të korruptuar dhe të lidhur me krimin, dhe garantuar kushtet për demokraci funksionale. Kjo do të thotë votë të lirë dhe të ndershme, ndëshkim politikanëve të kapur duke bashkëpunuar me krimin për të vjedhur zgjedhjet.  E kundërta po ndodh sot në Shqipëri, çështjet e famshme, dosjet “184” e “339” nuk hetohen, dosjen “184” e ka çuar në Dibër që ta mbylli. Një përqasje e tillë do të ndihmonte përpjekjen jo vetëm të opozitës, por të të gjithë shqiptarëve për të rivendosur vendin në shinat e sundimit të ligjit, të ndëshkimit të politikanëve të lidhur me krimin dhe mbi të gjitha me zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat janë i vetmi hap që mund ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë ku ndodhet”, tha Basha.

Në fund, kryedemokrati u ndal të fliste edhe për zgjedhjet, si kushtin kryesor të vendosur nga BE për integrimin, i cili sipas Bashës jo vetëm që nuk u zhvilluan zgjedhje të lira dhe të ndershme, por u realizuan vetëm votime me një kandidat.

“Bashkimi Europian i vendosi zgjedhjet e lira si kusht edhe vitin e kaluar. Në fakt, jo vetëm që nuk u zhvilluan zgjedhje të lira dhe të ndershme, por vendi nuk zhvilloi dot as zgjedhje demokratike. Shkoi drejt një procesi monist me një parti që vetë kandidonte, vetë votonte, vetë numëronte, duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjet, duke dhunuar institucionet kushtetuese, duke shpërfillur dekretet e Presidentit të Republikës.

Nuk ka zgjedhje në Republikën e Shqipërisë pa dekret dhe këto ishin votime që u zhvilluan pa asnjë bazë kushtetuese dhe juridike. Këtë thotë edhe Raporti i OSBE- ODHIR që është përmbledhja më domethënëse e problematikës shqiptare. Aty tregohet qartë se vetëm pasi opozitës iu mohua çdo rrugëdalje institucionale siç ishte propozimi që bëmë për të ndarë politikën nga krimi me ligjin për Vetingun e politikanëve, ne u detyruam drejt hapave që hodhëm për të shpëtuar demokracinë, për interesin publik, jo për pushtetin tonë. Ndaj në këtë kuptim, nuk pres të ketë ndryshim të kushteve të vendosura tashmë nga Bashkimi Europian por vetëm forcim të tyre”, përfundoi ai.

 

auto pjese dak

Related posts