728 x 90 Leaderboard

Basha: ndihmë britanike, për “bijtë dhe bijat” më të mirë

Kreu demokrat Basha promovoi ndihmën e të djathtës britanike, për procesin e përzgjedhjes së njerëzve të saj, si në parlament por dhe në pushtetin lokal.

Basha vlerësoi në këtë proces kryevlerësuesin e Komitetit të Seleksionimit të kandidaturave për anëtarë të Parlamentit britanik, si dhe një prej kandidatëve për Westminster, të dërguar nga Partia Konservatore.

“Prej prillit, Partia Demokratike ka miratuar në statutin e saj një proces të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, i cili e kalon vendimmarrjen tek anëtarësia e PD-së, e gjithashtu kemi vendosur garancitë që kandidatët të jenë njerëz me integritet personal, me vlera të larta morale, me aftësi profesionale dhe përkushtim politik ndaj vlerave për të cilat qëndron PD-ja: demokracisë, lirisë, tregut të lirë, barazisë para ligjit, shtetit të së drejtës dhe respektit për liritë e të drejtat e njeriut”, tha Basha.

Veç kësaj, ai ia atribuoi PD-së një proces pastrimi të parlamentit, nga ata që i cilëson sit ë padenjë për të qenë aty.

“PD po kontribuon në dy drejtime: së pari përmes procesit të dekriminalizimit, e së dyti përmes propozimit tonë për vettingun e politikanëve. Së treti, edhe përmes vet reformës së partive politike, të politikës dhe reformës zgjedhore. Kjo e fundit duhet të synojë që partitë politike të shprehin dhe të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve”, theksoi Basha.

Thënë ndryshe, Basha po tenton që partia të cilën ai e drejton, të përfaqsohet nga “bijtë dhe bijat” më të mirë që ka Shqipëria, një frazë me konotacion të majtë, që ai e përdor shpesh në ligjërimin e tij klasik. /tesheshi.com/

 

 

Related posts