Nga Alba Skëndaj
Kolona zanore e cila parapriu fjalën e kreu të opozitës, Lulzim Basha ditën e sotme në protestë dhe që njëkohësisht ekzaltoi turmën, ishte zgjedhur me kujdes nga ekipi që punon për imazhin mediatik të opozitës dhe njëkohësisht të kreut të saj. Ata që njihen si “spin doctors” në PD vendosën që këtë here, një nga elementët e rëndësishëm të kësaj proteste, muzika, të ishte ajo e grupit ‘Muze’.
Bëhet fjalë për këngën “Uprising”, e cila nuk ishte një zgjedhje e rastësishme, por e menduar më së miri. Ka disa detaje, të cilat të lënë të dyshosh se më parë ishte menduar kënga dhe më pas teksti që do të lexonte z. Basha sot përpara protestuesve, apo ato ç’ka ai ka thënë në ditët që kanë paraprirë protestën. Mbase ishte dhe rastësi, nuk e dimë!
Jo më larg se dje, gjatë një takimi me të rinjtë e PD-së në ambientet e selisë së kësaj partie, fjalët e liderit opozitar ishin: “Punëdhënësit e qeverisë janë qytetarët, se janë qytetarët që kontrollojnë qeverinë dhe jo qeveria që kontrollon qytetarët, se janë njerëzit e këtij vendi që kontrollojnë politikën dhe jo politika që kontrollon njerëzit”.
Këto fjalë të Bashës shkojnë paralelisht me tekstin e këngës, e cila thotë: “They will not force us, They will stop degrading us, They will not control us, We will be victorious”. (Nuk do të na detyrojnë/Nuk do të na degradojnë/Nuk do të na kontrollojnë/Ne do të fitojmë).
Pra, siç vihet re, qëllimisht Basha ka përdorur këtë këngë, e cila shkon përshtat me tonet e saj revoltuese, pasi e tillë është edhe protesta. Kënga ka tone të ashpra, sikurse ishte edhe fjalimi i liderit opozitar e njëkohësisht edhe revolta e protestuesve.
Nëse do të bëjmë një paralelizëm me fushatën e fundit elektorale të mbajtur në 23 qershor të vitit 2013, kënga që ishte kolonë zanore e partisë në opozitë në atë kohë e në pushtet aktualisht, asaj Socialiste, nuk gjejmë një kolonë zanore me tone të ashpra, e cila bën thirrje për zëvendësim të dhunshëm të pushtetit apo për revoltë, edhe pse termat e përdorura nga lideri opozitar në atë kohë, Edi Rama, ishin në shumë raste të forta dhe me ngarkesa emocionale që për tu kuptuar kërkonin përqendrim e vëmendje.
Kolona zanore e kësaj partie gjatë zgjedhjeve elektorale të vitit 2013 ishte “Born Free” e këngëtarit Kid Rock. Një këngë e qetë që të përcjell optimizëm për një të ardhme më të mirë, duke pasur parasysh edhe refrenin kryesor të këngës “Born free” (I lindur i lirë), i cili shkonte për shtat me deklaratat e tij për “tu çliruar” nga politika e deritanishme dhe për të vijuar më tej me një politikë të re të lirë, ashtu sikurse qytetarët e këtij shteti kishin lindur.
Dhe me sa duket, për Partinë Socialiste kjo këngë ka qenë e suksesshme dhe ka dhënë rezultatet e saj pozitive.
Të njëjtën gjë mund të themi edhe për kolonën zanore të opozitës gjatë ditës së sotme, e cila ishte një këngë revoltuese dhe ngelte në atë kuadër, duke mos u shtyrë aspak drejt akteve të dhunshëm të cilat, fatmirësisht sot nuk e degraduan situatën protestuese.
Kolonat zanore të përdorura gjatë fushatave elektorale
I pari që solli këtë trend të përdorimit të këngëve në fushata ishte kreu i qeveris aktuale, i cili në vitin 2003 kandidonte për Bashkinë e Tiranës. Ai bëri një bashkëpunim me grupin West Side Family, ku edhe këndoi vetë. Ishte një zgjedhje shumë e mirë, e cila e afroi edhe më shumë kryebashkiakun e atëhershëm me qytetarët dhe rriti popullaritetin e tij.
Zgjedhjet e vitit 2013
Kolona zanore e PS: Kënga “Born Free” e Kid Rock
Kolona zanore e PD: Kënga “Ne jemi ndryshimi”
Zgjedhjet e vitit 2011
Kolona zanore e Lulzim Bashës: Kënga “I Gotta Feeling” e “The Black Eyed Peas”
Kolona zanore e Edi Ramës: Kënga “Breath and Life” e “Audiomachine”
Zgjedhjet e vitit 2009
Kolona zanore e PS: Kënga “Çohu” e kënduar nga West Side Family së bashku me Edi Ramën.
Kolona zanore e PD: Kënga “Shqipëria po ndryshon” e kënduar nga Elita 5, Genta Ismajli, Leonora Poloska, Elvana Gjata, Soni Malaj, Çiljeta, Stine dhe Bojken Lako.
Zgjedhjet e vitit 2007
Kolona zanore e Edi Ramës: “Jehona”, është kënduar nga grupi “West Side Family” së bashku me Edi Ramën.
Kolona zanore e Sokol Olldashit: “Ma kthe qytetin tim”, kënduar nga Ermal Mamaqi, në bashkëpunim me Olsën.
Zgjedhjet e vitit 2005
Kolona zanore e PS: Kënga “Thunderstruck” kënduar nga AC/DC
Kolona zanore e PD: Kënga “The final countdoën” kënduar nga “Europe”
Zgjedhjet e vitit 2003
Kolona zanore e Edi Ramës: Kënga “Tirona jonë” kënduar “West Side Family” dhe Edi Rama.
Kandidati i Partisë Demokratike në këto zgjedhje nuk e aplikoi këtë element gjatë fushatës elektorale. /tesheshi.com/