Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, për investimet e bëra në kryeqytet duke i kujtuar këtij të fundit edhe premtimet e pambajtura.
“Tirana ka nevojë për një kryetar bashkie, jo për një kryetar partie që aspiron të bëhet Kryeministër. Ky ishte slogani i Lulzim Bashës 4 vjet më parë. Atëherë kur premtoi shtimin e punësimit në Tiranë, uljen e çmimit të bukës, rrugë, trotuare, ndriçim, parqe të reja. Kur premtoi kampusin e ri universitar, shkolla e kopshte të reja. Kur premtoi sigurisht tramin dhe zhdukjen e trafikut në Tiranë”, u shpreh Bare.
“Sot, 4 vjet më pas, teksa kujtohet herë pas here të presë ndonjë shirit në Tiranën që e ka harruar plotësisht, kryetari i bashkisë që jo vetëm s’ka mbajtur asnjë premtim, por e ka degraduar qytetin si mos më keq, ka rënë pikërisht në grackën që ka ngritur vetë 4 vjet më parë”, tha Bare.
Bare gjithashu ka saktësuar edhe se investimi për rindërtimin e shkollës Qemal Stafa është bërë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, projekt ky i qeverisë shqiptare,
“Edhe kur përpiqet të bëjë ndonjë punë për qytetin, si në rastin e shkollës Qemal Stafa që për hir të së vërtetës është rikonstruktuar falë Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, projekt ky i qeverisë shqiptare, kryetari i bashkisë nuk rri dot pa përzier politikën e madhe”, tha Bare.
“Tiranës i duhet një kryetar bashkie që mendon e punon ditë natë për qytetin, jo një kryetar partie që vetëm shan kundërshtarët dhe s’ka bërë asnjë punë në çdo zyrë ku është futur”, përfundoi deklaratën e tij deputeti socialist, Besnik Bare.
Deklarata e Bashes
Kreu i Bashkisë ka inauguruar sot nisjen e punimeve për rikonstruksionin e shkollës “Qemal Stafa” nga ku bëri thirrje se qeveria duhet të heqë dorë nga projektet e fasadës dhe çdo qindarkë të shkojë te qytetarët, praktikë siç shprehet ai po e zbaton te Bashkia e Tiranës.
“Çdo qindarke ka vlerë. Të investosh për fasada dhe palma kur nevojat e qytetarëve janë të mëdha. Të shtosh taksat dhe të mos u kthesh investime papërgjegjshmëri totale. Çdo qindarkë e Bashkisë në nevojë të qytetarëve të Tiranës.”- tha Basha .
Sipas tij, ndërhyrja do bëjë të mundur kushte evropiane për gjimnaziste, klasa të ngrohura dhe ambiente sportive shkencore. “Do të eliminojmë mësimin me turne. Nga janari i viti të ardhshëm, do të mund shërbehen me kapacitete normale”, tha Basha gjatë inaugurimit për fillimin e punimeve në gjimnazin Qemal Stafa.