728 x 90 Leaderboard

Barçës i vjen në ndihmë 11-metërshi ndaj Leganesit

Humbja e thellë ndaj PSG-së në Champions League të martën ka lënë gjurmë te Barcelona, që sonte e pati mjaft të vështirë të merrte një trepikësh ndaj Leganesit.

Ndeshja e javës së 23-të të La Ligës ishte 1-1 gjer në minutën e 90-të, kur Messi do të shënonte nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Edhe pse luante para mbështetësve të saj në “Camp Nou”, Barça ishte një hije e skuadrës që një javë më parë fitonte 0-6 ndaj Alavesit.

Me ndryshime të konsiderueshme, katalanasit e nisën mjaft mirë ndaj ekipit të katërt nga fundi. Messi do t’i kalonte vendasit në epërsi që në minutën e 4-t. Gjërat nisën të vështirësoheshin ndërsa ndeshjes po nisnin t’i mbaronin minutat.

Unai Lopez vuri baraspeshën në të 71-tën minutë me golin e tij. Të pafuqishëm, vendasit nuk po arrinin dot të çanin mbrojtjen e Leganesit. Dhe ndërsa takimi po shkonte drejt një barazimi, Neymar arriti të fuste në kurth kundërshtarin, duke e detyruar atë të ndërhyjë keq. Ndërhyrje që u çmua si 11-metërsh, e që u kthye në gol nga Messi.

Fitorja 2-1 e bën Barcelonën ta zmbrapsë Seviljen e të ngjitet vetë përsëri në vend të dytë në klasifikim. Megjithatë, Barçës i duhet të zgjohet, sepse të dielën e ardhshme nuk do të ketë më përballë një ekip si Leganesi, por Atletikon e Madridit. /tesheshi.com/

Related posts