Bajram Gecaj i LDK-së: Qeveria e Ramushit, më e dobëta që pas lufte; do bjerë shumë shpejt

Ka qenë ndër zv.ministrat më të përfolur pasi nuk e ka pasur aspak problem të “kapet” me opozitarët të cilët hedhnin “gurë” ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe ekzekutivit që drejtonte, ku edhe si këshilltar i tij e mbrojti nga çdo sulm duke mos mbetur vetëm një rrogëtar dhe t’ia fus më pas gjumë siç bëjnë shumica e zv.ministrave të cilët emërohen vetëm sa për të trashur kuletën por jo që mbahen mend për ndonjë punë të mirë në favor të shtetit.

Është ky Bajram Gecaj i cili vazhdon të besojë se qeveria “Mustafa” është larg më e suksesshme se qeveria “Haradinaj” pasi thotë ka bërë reforma tejet të mëdha, ku përmend rritjen ekonomike, nënshkrimin e MSA-së, dhënien e pensioneve për veteranët e UÇK-së etj, ndërsa thotë se 100-ditët e para të qeverisë aktuale nuk kanë prodhuar asnjë rezultat..

Gecaj, në një intervistë për tesheshi.com flet edhe për mocionin e paralajmëruar nga LDK-ja për rrëzimin e Ramushit nga pushteti, për çështjen e Demarkacionit, për atë nëse sheh më të mundshme një koalicion qeverisës me PDK-në apo Vetëvendosje-n si dhe për përçarjet në këtë të fundit pasi ka qenë ndër kritikët më të mëdhenj të vetëvendosësve.

 

Intervistoi: Blendi Gashi

Si ish-këshilltar i kryeministrit Mustafa dhe ministër, ç’dallim shihni mes ish-qeverisë së kaluar dhe qeverisë aktuale?

Dallimet janë substanciale. Qeveria “Mustafa” instaloi qeverisje me duar të pastra, vendosi prioritet zhvillimin ekonomik, si dhe trasoj një rrugë të sigurtë për ecjen para drejt proceseve integruese euro-atlantike.  Po numëroj këtu vetëm disa nga ato suksese: reforma substanciale në ekonomi, rritje më e madhe ekonomike e këtij vendi por edhe rritje më e madhe në rajon, rekomandimi për liberalizim vizash, edhe pse ky proces nuk mundi të përfundonte për shkak të shndërrimit të tij në një kauzë të rrejshme politike, nënshkrimi i MSA-së, rritja e pagave, asistencës sociale dhe pensioneve, dhënia e pensioneve veteranëve të UÇK-së pas 15 vite zvarritjeje, rritja e përkrahjes substanciale për komunat, posaçërisht në investimet kapitale, avancimi në dialogun në Bruksel, dhe rrjedhimisht zgjerimi i autoritetit të institucioneve në tërë territorin, anëtarësimi në organizata të rëndësishme, duke përfshirë edhe organizatat sportive si UEFA dhe FIFA, e shumë e shumë suksese tjera të cilat po të listoheshin këtu do të merrnin tërë kohën e kësaj interviste.

Ndërsa në këto 100 ditët e para të qeverisë “Haradinaj”, e vetmja gjë e cila vërehet është një dinamikë e rrejshme dhe mediale, por pa asnjë sukses që meriton vëmendje të opinionit.

Pasi përmendet 100-ditëshin e e qeverisë “Haradinaj”, ç’punë do ta veçoni, apo sipas jush nuk ka bërë diç për t’u përmendur?

100-ditëshi i qeverisë “Haradinaj” do të mbahet mend me mbi 70 zëvendësministrat e kabinetit të koalicionit të tij të 24 partive politike. Për hir të vendit dhe interesit të popullit të Kosovës, të shpresojmë se ky do të jetë 100-ditëshi i fundit i kësaj qeverie, më e dobëta që ky vend ka pasur në periudhën e pasluftës.

Haradinaj në një nga seancat kur foli për procedimin e Demarkacionit në Kuvend e quajti Mustafën të “ngratë” pasi tha ka tërhequr nga Kuvendi marrëveshjen. A pritni të ratifikohet? Si do jenë votat e LDK-së?

Për këtë çështje jam deklaruar edhe para disa ditësh, atëherë kur zyrtarë të PDK-së deklaruan se Demarkacioni nuk do të procedohej pa u siguruar votat.  Pas kësaj deklarate unë shtrova pyetjen se cili kryeministër na del “i ngratë” në këtë mes? Kryeministri Mustafa, i cili nënshkruan atë që beson dhe i cili merret vetë me problemet qeverisëse! Apo kryeministri Haradinaj, i cili “habitet” dhe nënshkruan marrëveshje për të cilën beson se Kosovës i humbë territor, dhe i cili, si i “ngratë” që ishte dhe nga papërgjegjësia prej lideri, e hedh topin në fushën e tjetrit (Kuvendit), duke tentuar që kështu ti “lajë duart” nga premtimet, për të cilat tanimë është bërë e qartë se ishin bërë vetëm sa për të grabitë pushtetin, dhe atë nën ombrellën e një dhune deri atëherë të paparë!

Ka pasur raportime se nëse nuk ratifikohet Demarkacioni LDK mund të bëhet pjesë e qeverisë aktuale. Ç’gjasa ka të ndodhë kjo, apo janë raportime jo reale?

Gjasat që LDK të bëhet pjesë e kësaj qeverie janë zero. Zërat e tillë kanë qenë dhe ende vazhdojnë të jenë zëra të cilët qëllimin e vetëm e kanë dëmtimin e LDK-së. Këto zëra vijnë si nga partitë e koalicionit qeverisës PAN, të cilëve edhe do t’u konvenonte një qëndrim i tillë i LDK-së, po ashtu edhe nga Vetëvendosje, te cilët dëshirojnë të përfitojnë nga të qenurit të vetmit kundërshtarë të PDK-së, edhe pse e shohim qartë se kur është në pyetje pushteti edhe këta ju bashkuan forcave të PAN. Pra, në Istog kemi tani një koalicion AAK-PDK-LVV, por edhe të partive tjera që janë pjesë e qeverisjes PAN.

Partia juaj ka paralajmëruar ngritjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë “Haradinaj”. Kur do të ndodh saktësisht kjo? Në muajin janar?

Mocioni i mosbesimit do të ngritët në kohën më të përshtatshme dhe sa më parë që të jetë e mundur, pasi që ky popull duhet të lirohet nga kjo qeveri sa me parë. Megjithatë, mocioni duhet të ngritët atëherë kur punohet dhe besohet se janë arritë votat e nevojshme që ky proces të realizohet suksesshëm, pasi që, nëse ngitet një mocion i cili do të ishte jo i suksesshëm, duhet kaluar gjashtë muaj për një mocion te ri, e që do të nënkuptonte edhe gjashtë muaj shtesë të një ankthi nëpër të cilin populli i Kosovës nuk ka nevojë të kaloi.

A pritni që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme? Nëse po, kur? Sa është e përgatitur LDK për zgjedhje të reja? Po, Isa Mustafa do ishte sërish kandidat për kryeministër?

Natyrisht që pas një mocioni të tillë të suksesshëm vendi do të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme. Te gjithë parametrat normal dhe real tregojnë se një qeveri si kjo nuk do të duhej të formohej fare; megjithatë, përmes sekserëve dhe matrapazëve, partitë e koalicionit PAN bën çmos, duke përfshirë edhe veprime presioni e shantazhi për të mbledhë ato 61 votat e nevojshme për qeverisje, duke joshur kështu edhe AKR-në me një marrëveshje të cilën proceset normale demokratike dhe mendja e shëndosh nuk mund ta akceptoi. Këta besoj se do të jenë në gjendje të fusin makineri të tillë në veprim në mënyrë edhe më të ashpër nëse u rrezikohet humbja e pushtetit. Megjithatë, paqëndrueshmëria e kësaj qeverie, fakti se nuk do të mund të shtyjnë bash asnjë çështje të madhe përpara, dhe një opozite shumë e fortë, më bëjnë të besoj se jetëgjatësia e saj nuk do të jetë e madhe. Zgjedhjet lokale, në të cilat LDK ka dalë partia e parë në vend, kanë provuar se LDK është mëse e gatshme për zgjedhje të reja, në të cilat përfundimisht do të dilnim ngadhënjimtare dhe do t’i epnim këtij vendi edhe një periudhe të një qeverisje të mirë e demokratike.

Është çështje individuale e kryetarit Isa Mustafa dhe vendim i strukturave të partisë të vendosin nëse kryetari Mustafa apo dikush tjetër do të udhëhiqte qeverinë e ardhme. Por, sido që të ndodhë dhe çfarëdo që të jetë vendimi, e sigurtë është se qeveria e ardhme do të udhëhiqet nga LDK.

Një koalicion të serishëm me PDK-në do e përkrahnit më parë, apo një me Vetëvendosje-n?

Edhe ky do të jetë vendim i strukturave të partisë dhe ne duhet të presim rezultatet e atyre zgjedhjeve për të vendosur se cila parti do të ishte partneri më i duhur për qeverisjen e ardhme. Megjithatë, unë personalisht besoj se është e shëndetshme edhe për vendin por edhe për PDK-në që kjo parti të shkoi në opozitë dhe për një kohë të merret me vetveten.

Sipas jush si po e luan LDK rolin opozitar? Keni ndonjë informatë pse Teuta Rugova nuk po merr pjesë në seancat plenare?

Që nga përfundimi i zgjedhjeve të qershorit, LDK ka qenë opozitë shumë aktive duke marrë parasysh rrethanat, pra, duke marrë parasysh frikën e koalicionit që madje edhe të thërras seancat e Kuvendit, si dhe faktin se vendi ishte edhe në procesin e zgjedhjeve lokale. Tani e tutje besoj se LDK do të jetë edhe më aktive se më parë, duke provuar se kjo qeveri nuk i sjellë asnjë të mirë vendit dhe se duhet të shkoi sa më parë që të jetë e mundur. Është gjithashtu interesant fakti se në këtë periudhë na paraqitet një Vetëvendosje shumë më e butë se sa në mandatin e kaluar, butësi e cila meriton një analizë të posaçme. Apo ndoshta edhe ja kanë frikën kryeministrit Haradinaj, i cili para një kohe kishte deklaruar se Vetëvendosje nuk e gjuan atë me ve pasi që e dinë kënd e kanë para!

Kursesa i përket çështjes tjetër unë nuk kam informata për atë se pse Teuta Rugova nuk merr pjesë në seanca, dhe, ndoshta nga vetë fakti se njeriu edhe beson çfarë dëshiron të besoj, unë fuqishëm dua të besoj se ajo do t’i qëndroi besnike subjektit me të cilin ka garuar dhe subjektit të cilin e ka krijuar dhe udhëhequr deri në vdekje baba i saj.

Për fund, pashmangshëm një pyetje për përçarjet e fundit në Vetëvendosje duke ditur se keni qenë dhe jeni ndër kritikët e kësaj Lëvizje. Si i shihni përçarjet dhe a do të dobësohet nëzgjedhjet e reja dhe cila nga partitë pritet të përfitojë?

Edhe në këtë pyetje po thirrem në një deklarim timin të mëparshëm në të cilin flas për “mish-mashin e LVV-së”, ku deklarovapara ca ditësh se grumbullimi i anëtarësisë pa asnjë lloj kriteri a parimi, si të ishte rërë që hidhet me lopatë në makinën e betonit, ka qenë e pashmangshme të shpërthejë një ditë…siç thotë populli, nuk përzihet “shapi e sheqeri”…vetëm shihni se çfarë ka në mesin e tyre: anarkistë, marksistë-leninistë, titistë, ish-pjesëtarë të LPK, PDK, AAK, FER, Shoqërisë Civile, (b)analistë,…etj. etj…Pra, në radhët e tyre ka hyrë bash kush ka dashtë, e posaçërisht të dështuarit në partitë a lëvizjet tjera! Tani na del se këta nuk paskan kapacitete as të “anarkistëve” e as të “brigadave të kuqe”, por se janë të zotët vetëm në mashtrim e propagandë. Unë besoj se një përzierje e tillë pa kritere ka qenë vetëm çështje kohe se kur do të pëlciste. /tesheshi.com/

 

Related posts