728 x 90 Leaderboard

“Aventurat e Benit”, tradita e animuar shqiptare në 3 D

Nga Shkëlzen Rrecaj

 

POSTERI - Aventurat e Benit
POSTERI – Aventurat e Benit

Beni është një djalosh rreth moshës 10 vjeçare dhe është i pasionuar pas balonave dhe e do  traditën shqiptare, gjatë lojës i ikën balona dhe  shkon te shtëpia e një të moshuari ku beni atij i ja ka friken dhe ai duhet të bëjë  shume sakrifica për ta marr balonën e tije. Filmi në përgjithësi prezanton traditën dhe kulturën shqiptare dhe natyrën (është për qellim malet e Rugovës).

 Ky është filmi i parë i animuar 3D në Kosovë. A mund të na tregoni se si u bashkuat në këtë projekt?

Edhe pse grupi ynë përbëhej vetëm prej 3 anëtarëve, ambiciet për ta bërë një film të shkurtë të animuar kanë qenë që nga viti 2008. Atëherë si ‘Viz-Art Studio’ ishim të involvuar në bërjen e reklamave televizive, vizualizimeve arkitektonike si dhe animacioneve të karakterit ‘motion graphic’. Mirëpo hapin e parë që ndërmorëm rreth këtij projekti ishte reklama për qumështin Vita, ku gjithçka ishte virtuale me një lloj animacioni të moderuar përpos personazhit të inkuadruar në skenë e që ishte incizuar në green screen (sfond të gjelbër) dhe më pas në postproduksion është integruar në virtual set. Ai moment na pajisi me një vullnet të madh që t’i përvishemi punës për ta realizuar një film të animuar 3D. Sinqerisht në fillim ishim paksa skeptikë pasi që i tërë projekti ishte me vetëfinancim dhe se pajisjet elektronike që kishim nuk ishin aq të përshtatshme për këtë punë, megjithatë mendoj se e finalizuam mirë.

 

Cili ishte motivi që ju shtyri të bëni një film me tematikë kombëtare?

Duke parë se në tregun tonë medial ka mungesë të promovimit të vlerave kombëtare tek fëmijët, e kemi parë të arsyeshme që pikërisht nëpërmjet animacionit t’u ofrojmë atyre një film ku përpos argëtimit dhe satirës që përmban, t’i absorbojnë në mënyrën më të lehtë edhe vlerat kombëtare që ne i kemi si popull, që t’i vlerësojmë dhe kultivojmë edhe më tutje ato.

 

A mund ta na flisni pak për detaje rreth realizimit të këtij projekti?

Dihet se teknikisht realizimi i çfarëdolloj filmi të animuar 3D kërkon një përkushtim shumë të madh, staf të profesionistësh të fushave të ndryshme, teknologji të avancuar si hardverike ashtu dhe softverike në mënyrë që në fund ta ketë cilësinë e kërkuar dhe të jetë sa më i besueshëm dhe i shikueshëm për publikun. Pas një përpunimi dhe pranimi final të skriptës (stories), fillon faza e para-prodhimit ku në këtë fazë zakonisht punën më të madhe filluam që ta konceptualizojmë filmin e animuar se si do të duket. Vizatonim lloje të ndryshme të karaktereve, bisedonim rreth personaliteteve dhe situatave në të cilat ata do të ndodheshin, vizatonim ambiente të ndryshme, pastaj vendosëm që ngjarjen ta vëmë në trevën e Rugovës, etj.

Pas aprovimit të karaktereve, filloi punimi i storyboardit,  diskutimet rreth kuadrave të kamerave, rreth dinamikës së filmit, etj.

Pas fazës së para-prodhimit fillon faza e prodhimit ku aty kemi filluar që gjithçka t’i modelojmë 3D në softuerë dhe kjo është faza më e gjatë dhe më e mundimshme e tërë projektit. Këtu kemi punuar në 3D Modelet, ato janë tekturuar, iu është rregulluar skeletoni (rigging), animacioni i karaktereve, ndriçimi i skenave dhe në fund gjenerimi i renderave apo filmit frame-per-frame. Pra, siç shihet kjo fazë përmban disiplina të ndryshme pa të cilat vështirë është të prodhohet një film i animuar.

Në fund kemi pasur pas-prodhimin (post-production) ku aty është bërë montimi, editimi, korrektimi i ngjyrave, balancimi i fotografisë dhe muzika. Pra,  edhe pse tek ne nënvlerësohet puna e prodhimit të një filmi të animuar, ashtu siç shihet projektet e tilla kërkojnë një investim shumë të madh si material ashtu dhe njerëzor.

 

Realizimi i këtij projekti padyshim ka edhe koston financiare. A gjetët përkrahje nga ndonjë institucion për realizimin e këtij filmi?

Siç e cekëm më lartë, ky film komplet është realizuar me vetë-financim dhe nuk kemi patur përkrahje nga askush. Ndoshta si arsye mund të numërohet vlerësimi i tyre se është një projekt i pamundshëm, skepticizmi se do t’ia dalim, etj. Sidoqoftë përpos hapësirës për punë, pra një zyreje që na ka ofruar Inovation Center of Kosovo në Prishtinë, tërë barrën e këtij projekti e kemi bartur vetëm ne të tre.

 

Cili është synimi që dëshironi ta arrini me këtë film?

Ky film përpos promovimit të vlerave dhe kulturës kombëtare te fëmijët synon edhe t’i argëtojë ata përmes një humori të lehtë të personazheve në film, Benit dhe xha Ramizit.

 

A do të thotë që në të ardhmen të vazhdoni edhe me projekte tjera të metrazhit më të gjatë?

Sigurisht se po. Ne tashmë kemi përfunduar dhe konkurruar me një skenar shumë më delikat dhe ambicioz në Qendrën Kinematografike të Kosovës, për të cilin kemi shpresë se me ndonjë buxhet të ndarë nga kjo qendër, filmi i ardhshëm do të jetë si më argëtues ashtu dhe më i gjatë. Planifikojmë që ky film të jetë rreth 15 – 20 min dhe në të cilin do të shtjellohen tematika edhe më delikate dhe më argëtuese për fëmijët të moshës 6 – 12 vjet.

 

A ka Kosova kapacitete humane dhe teknologjike për të zhvilluar projekte 3D edhe në sfera tjera?

Kapacitete humane sa i përket teknologjisë së modelimit 3D dhe postproduksionit ka, mirëpo problemi qëndron në mungesën e animatorëve të avancuar të karaktereve 3D në Kosovë. Shpresojmë që ky film i shkurtër do t’i zgjojë ambiciet e artistëve në vendin tonë, dhe pse jo, të na bashkëngjiten në zhvillimin e projekteve konkurruese në industri mjaft atraktive si kjo, filmave të animuar 3D.

 

 

(Astrit IBRAHIMI – 3D Generalist, Animator)

(Besart IBRAHIMI – Animator)

(Metush MEZIU – Post Production)

 

Linku i trailerit te filmit  “Aventurat e Benit”
https://www.youtube.com/watch?v=UMkimëgXVqs

 

Related posts