Auron Tare kërkon mbrojtjen e “topit” të Mato Grudës (foto)

Debati për trashëgiminë e kinematografisë së realizmit socialist ishte i ashpër para disa muajsh, kur Agron Tufa kërkoi ndalimin e filmave komunistë. Por Auron Tare, një aktivist i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore ka kërkuar sot që të brohet vendi ku është luajtur një nga filmat më të njohur të asaj kohe “Njeriu me top”.

“Mulliri i Mato Grudës nga Filmi “Njeriu me Top”. Totalish i rrënuar. Rrepet janë tharë dhe nuk ka më ujë. Nga imazhi i dikurshëm i filmit nuk ka mbetur më asgjë. Të gjithë e kujtojmë Sandër Prosin në rolin e famshëm të mullixhiut. Pak më tutje ku u vra Pinxho Kapella zallishtja është kthyer në një baltoninë argjili. Mulliri është shumë afër banjave termale të Bënjës dhe me një fond modest mund të kthehet në një atraksion të vërtetë turistik. Projekte të ngjashme ku mullinjtë e vjetër po restaurohen janë bërë ne veriun e Greqisë apo Maqedoni”- shkruan Tare në facebook.

Ai e shoqëron kërkesën dhe me fotot nga mulliri i famshëm i njohur në film.

Filmi është ekranizim i romanit me të njëjtin titull të Dritëro Agollit. Mato Gruda jeton në hasmëri me familjen e plakut Mere Fizi. Pas një beteje të humbur italianët braktisin të gjithë armatimet. Mato ka fshehur një top të cilin e ëndërron ta përdorë kundër Mere Fizit dhe e ka marrë në shtëpi si rob edhe një italian që e thërret Agush dhe e mëson përdorimin e topit. Personazhi kryesor në film e vuri topin në favor të luftës partizane. /tesheshi.com/