Audio-përgjimi “Xhafaj”, Basha: është i vërtetë

Ka reaguar me disa orë vonesë kreu demokrat Basha, ndaj fjalimit të Ramës në grupin parlamentar, ku kreu i mazhorancës jo vetëm doli në mbrojtje të ministrit Xhafaj për rastin e vëllait të tij, por dhe kërkoi hetime për të provuar autenticitetin e audio-përgjimit, që siç shprehu bindjen, është i gjithi një manipulim.

“Makineria e propagandës dhe e shpërqëndrimit të opinionit publik është lëshuar e gjitha në një shfaqje të turpshme që përsëritet tash e 5 vjet për të mbrojtur kriminelin dhe skandalin e rradhës të qeverisë”, e nis mesazhin e tij Basha.

Sipas kreut demokrat,“është e njëjta shfaqje me të cilën mbrojti vrasësin Mark Frroku, trafikantin Arben Ndoka, përdhunuesin dhe trafikantin e drogës Elvis Roshi dhe çdo kriminel tjetër më të cilin ka të lidhur pushtetin”.

Basha shpreh bindjen e kundërt në lidhje me materialin përgjues, kur shprehet se “sot ishte rradha e Fatmir Xhafajt dhe vëllait të tij trafikant droge, i kapur në përgjime autentike ambjentale, të pamanipuluara!”

Basha nuk pranon as akuzat e kreut të mazhorancës, se denoncimet e opozitës nuk janë tjetër veçse përpjekje për pengimin e çeljes së negociatave.

“Është qesharake të mendosh që Macron, Merkel apo kryemisnitri hollandez dhe qindra politikanë të lartë francezë, gjermanë, hollandezë, britanikë janë aq naivë sa i gënjen opozita shqiptare dhe nuk arrijnë të shikojnë realitetin. Fakt është se ata e dinë të vërtetën nga burimet e tyre dhe burime të tjera të pavarura.

Më e rëndësishmja është se Edi Rama nuk e ka pranuar ende se kusht për hapjen e negociatave është lufta kundër krimit e korrupsionit dhe jo mbyllja e gojës së opozitës”, shprehet ndër të tjera Basha. /tesheshi.com/

 

Related posts