728 x 90 Leaderboard

Asnjë enigmë dhe në Premier League: Man. Siti është kampion

Mançester Junajtedi kishte në dorë ta linte në pikëpyetje çështjen e kampionatit qoftë dhe për pak ditë, por dështimi i së dielës në shtëpi ndaj Uest Bromuiçit e bën matematikisht kampion Mançester Sitin.

Humbja 0-1 me Uest Bromuiçin e la ekipin e Mourinho-s në kuotën e 71 pikëve, 16 më pak nga Mançester Siti.

Kështu, pesë javë para përfundimit të kampionatit anglez, Mançester Siti mund t’i gëzohet triumfit.

Ky është titulli i tretë në Premier League për Mançester Sitin në shtatë sezone, si dhe i pari me Guardiola-n në drejtimin teknik.

Siç nënvizon BBC-ja, Mançester Siti vendosi një rekord në këtë sezon, me 18 fitore të njëpasnjëshme, duke mundur çdo ekip më së paku një herë.

Një tjetër rekord për Mançester Sitin u vendos në takimin ndaj Evertonit, me një zotërim topi në 82.13 për qind të lojës; më i larti në Premier League. Rekordi i pasimeve u vendos ndaj Çelsit; mbi 900 të tilla.

Për Pep Guardiola-n, ky është trofeu i 24-t i tij në karrierën si trajner. Më herët ai ka fituar tituj me Barcelonën dhe Bajernin e Mynihut. Ai bëhet i pari spanjoll që fiton Premier League-n. /tesheshi.com/   

Related posts