As ministri Xhafaj nuk po i jep derman: si dhurohet e nuk fitohet, tenderi i uniformave të policisë

Më 12 prill 2018, Ministria e Brendshme më në fund rishpalli tenderin për uniformat e policisë së shtetit (vetëm për uniformat verore si nevojë emergjente):

Numri i referencës së procedurës dhe lloji i procedurës së përdorur për prokurimin: REF-62051-04-11-2018, Procedurë e Hapur

Vlera e Përllogaritur e Prokurimit: Fondi limit 190,253,400 (njëqind e nëntëdhjetë milion e dyqind e pesëdhjetë e tre mijë e katërqind) lekë pa TVSH

Afati i lëvrimit të uniformave: 45 ditë nga lidhja e kontratës(!!!)

Deri në datë 7 maj 2018, duhet të dorëzohen ofertat e subjekteve të interesuara, por pa nisur ende mirë procesi i prokurimit, një lumë ankesash janë paraqitur pranë autoritetit kontraktor Ministria e Brendshme, për shkak se kërkesat/specifikimet që janë vendosur në dokumentet e shpallura të tenderit pranë APP-së, fare hapur duket që favorizojnë një subjekt të paracaktuar, pasi kushtet për kualifikim nuk është e mundur të plotësohen nga asnjë subjekt që operon normalisht në këtë fushë (fason).

Konkretisht, kërkohet që uniformat verore të dorëzohen 45 ditë nga lidhja e kontratës me Ministrinë e Brendshme, ndërkohë që minimalisht 45 ditë nevojiten vetëm për të siguruar marrjen e lëndës së parë nga prodhuesit jashtë Shqipërisë (pasi copat me specifikimet që kërkon Ministria mund të përgatitet vetëm jashtë shtetit, duke qenë se vendi ynë nuk ka fabrika të tilla). Gjithashtu duhen përllogaritur afatet e transportit, zhdoganimit, përgatitjes së modeleve dhe prodhimit, si edhe afatet e lëvrimit të uniformave, pra në total duhen rreth minimalisht 100–120 ditë për të dorëzuar uniformat nga çdo subjekt që operon në kushte të drejta e të barabarta.

Në të gjitha ankesat drejtuar autoritetit kontraktor, ky specifikim është kundërshtuar nga të gjithë subjektet si plotësisht i pamundur të ekzekutohet.

Sa më sipër, vendosja e një afati të tillë kaq të shkurtër, jashtë çdo arsye dhe llogjike të prodhimit fason, do të thotë që fituesi është paracaktuar, është parapërgatitur, disponon lëndën e parë (ka marrë jashtë shtetit copat sipas specifikimeve para se të shpallet tenderi dhe përpara se të shpallet fitues), madje mund të ketë nisur edhe prodhimin e uniformave verore të policisë së shtetit…

Problematika me tenderat e uniformave ka nisur që në kohën e ministrit Tahiri, ku pas bujës mediatike dhe daljes së bojës jo vetëm të procesit të tenderit por edhe të vetë uniformave (për shkak të cilësisë së dobët të copave), nën një shoë publik çështja iu pasua Prokurorisë për hetim, hetim që si zakonisht nuk solli asgjë.

Por shpresa u rizgjua me ardhjen e ministrit të ri Xhafaj, i cili me vendosmëri e anulloi procesin e tenderit në 2 tetor 2017, prokurim i cili kapte shifrën e rreth 1.3 miliard lekëve (pa TVSH). Pavarësisht kësaj, duket se tentakulat e korrupsionit kanë vijuar punën dalëngadalë dhe pa dijeninë e ministrit, përderisa ia kanë dalë që të shpallin një tender me specifikime të pamundura për t’u realizuar. Madje e kanë realizuar këtë përpara procesit të vetting-ut në Policinë e Shtetit. Pra, as ministri Xhafaj nuk ia doli dot për zot tenderave korruptivë të uniformave.

Mbase vetëm Prokurorja e re mund të bëjë diçka në këtë pikë të procesit, por pëtë këtë duhet të lërë mënjanë “zellin për cironka” ndaj protestuesve të Kukësit dhe të merret me “peshqit të mëdhenj” që po gllabërojnë shtetin. /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts