Arushi Teddy, tashmë shoqërues i denjë edhe në çaste traumash

Një praktikë tepër origjinale dhe njëkohësisht edhe humane, po zbatohet së fundmi nga policia rrugore e qytetit të Manchester-it në Angli. Policët rrugorë të këtij qyteti kanë deklaruar se tashmë në çdo makinë të tyre do të gjendet një arush Teddy, që do të shërbejë për të qetësuar fëmijët e përfshirë në aksidente automobilistike.

Duke folur për këtë praktikë, efektivi i kësaj policie Matt Picton, thotë: “Arushi Teddy do t’u jepet fëmijëve për t’i qetësuar dhe për t’ua lehtësuar tronditjen teksa ne japim ndihmën e shpejtë, kqyrim vendin e aksidentit apo merremi me personat e tjerë të përfshirë në aksident”.  

Policia e Sussex-it i ka bërë thirrje komunitetit të zonës, që të dhurojnë në zyrat e saj arushët që nuk i përdorin më. Kjo thirrje u bë pas rastit kur njëri nga efektivët e kësaj policie i dha një arush një vajze 9 vjeçare, që u kishte humbur prindërve të saj. Policisë iu desh rreth 30 minuta për ta gjetur vajzën e humbur, e cila sipas prindërve, e kishte shumë siklet praninë e policëve. Me ta lokalizuar atë, efektivët e policisë iu afruan duke mbajtur në krahë një arush të madh me ngjyrë të kaftë.

Duke folur për rastin në fjalë, zëdhënësi i policisë së Sussex-it, u shpreh: “Vajza ishte shumë e frikësuar nga policia. Arushi Teddy u përdor për ta ndihmuar atë të kalonte traumën dhe për t’i krijuar sigurinë e nevojshme tek efektivët tanë”. /tesheshi.com/

 

Related posts