Armando Babani: dy shkrepjet historike të jetës sime dhe pse po transferohem në Gjermani

Nga Bardha Nergjoni

Me motorin e tij e ka më të thjeshtë të lëvizë në Tiranën e rrëmujës edhe në ditë acari.  Është në përgatitjet e fundit për tu larguar për në Frankfurt ku edhe e pret një kontratë e re brenda kompanisë EPA me të cilën ka bashkëpunuar për shumë vite. Do të realizojë ëndrrën e tij si fotograf i Bundesligës por edhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Transferimin nuk e quan largim nga Shqipëria, pasi, siç thotë, nuk ka dashur asnjëherë të ikë nga ky vend, por një zhvendosje për shkak të punës. Nuk ka një histori klasike me artin e fotografisë. Gjithçka lindi natyrshëm, thotë, dhe po aq natyrshëm kanë rrjedhur historitë me fotografitë që e bënë të famshëm. Armando Babani njihet si fotografi i momentit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Dy shkrepjet që shënuan historinë dhe jetën e tij kanë ndodhi të pabesueshme, të cilat  për të tregojnë se gjithçka ishte e shkruar që të ndodhte pikërisht ashtu. Vitin e kaluar u shpall “Fotoreporteri i Vitit” në Shqipëri. Për karrierën e tij gati 40-vjeçare me fotografinë, ndodhitë dhe eksperiencat personale, Armando tregon për tesheshi.com…

Si nisët të merreni me fotografinë?

Nuk mund të them që ka një moment të përcaktuar që më bëri fotograf. Babai im punonte në pallatin e pionerëve. Aty ishte dhe rrethi i fotografisë.  Në atë kohë isha i vogël dhe vetëm luaja apo ndihmoja me gjëra të vogla, por pikërisht në atë u mësova dhe u njoha me aparatin. Filloi shumë natyrshëm lidhja ime me fotografinë deri në momentin që unë filloj punë si fotograf në Institutin Bujqësor në Kamëz, një ndër dy laboratorët më të mirë në Shqipëri. Kemi pasur ndër laboratorët e parë me ngjyra në vitin 1987 dhe jam njohur edhe me fotografinë me ngjyra deri me ndryshimet demokratike. Sa për shkrepjen e parë të publikuar, ka qenë ajo me Ardit Gjebrenë për revistën “Fatosi” në festivalin e këngës për fëmijë.

Si vazhduat më tej të punoni si fotograf?

Me mbylljen e Institutit të Lartë Bujqësor në kohën e ndryshimeve fillova të punoj fillimisht me gazetën “Alternativa” 3 muaj e më pas pata bashkëpunim me “Republika”. Ndërkohë u njoha rastësisht me një fotograf italian dhe sigurisht që ishte veçanërisht kënaqësi për faktin se njihja gjuhën dhe ishte italian. Ai punonte si fotograf për agjencisë amerikane të lajmeve “Asosiated Press” në atë kohë dhe që unë as nuk e dija çfarë do të thoshte. Kështu fillova të punoj edhe unë për këtë agjenci deri në 94-n e më pas nisi  bashkëpunimi me EPA(Europian Press Photo), me të cilën jam duke punuar edhe tani. Bashkëpunimi erdhi natyrshëm me agjencinë EPA. Ata kishin nevojë për një fotograf në Shqipëri. Në atë kohë vjen ish-shefja ime e cila për fat të keq nuk jeton më pasi është vrarë në Afganistan dhe më bën një ofertë. Oferta ishte e mirë dhe unë kalova në këtë agjenci.

U bëtë fotograf ndërkombëtar pikërisht nga fotografitë e rrëzimit të bustit të diktatorit. Pse i keni cilësuar fotot më të rëndësishme në karrierën tuaj kur janë vetëm dy?

Historia e ndërkombëtarizimit të fotove që kisha shkrepur në rënien e bustit të diktatorit nisi nga biseda me fotografin italian. Më pyeti nëse e kishte fotografuar njeri këtë ngjarje. Po, i them dhe shkoj i marr në shtëpi. “A mund t’i transmetoj?”, më tha. Sigurisht që pranova dhe ai transmeton dy frame për të cilat më jep 400 dollarë. Mendoni 400 dollarë në 91-shin. Veç kësaj më jep edhe një këshillë: “Këto dy filma do t’i kërkojnë shumë dhe do të ofrojnë më tepër. Nëse nuk ke filmin atëherë nuk mund ta verifikosh kurrë se je ti autori”, më këshilloi. Vërtet ashtu ndodhi dhe m’i kërkuan negativët edhe për më shumë para, por asnjëherë nuk i dhashë. Kam dashur ta falenderoj atë fotograf se më dha një këshillë me vlerë. E kam kërkuar por nuk e kam gjetur, ndoshta dhe mosha ka bërë të vetën. Nëse nuk do më kishte thënë ai, unë do i kisha dhënë pa u menduar shumë. Unë besoj në Zot. Them që ndonjëherë gjërat janë të shkruara. Ashtu ishte paracaktuar dhe ndodhi. Edhe të duash ta përsërisësh atë çast nuk e bën dot. Ato momente nuk përsëriten më dhe bëhet fjalë për një periudhë të rëndësishme historike.

Historia e dy shkrepjeve historike?

Kam qenë me një motorr “Vespa” në atë kohë kur më thonë se po rrëzohet busti. Nuk kisha film pasi në periudhën që po flasim kishte vështirësi për sigurimin e tyre. Pasi endem për të gjetur një film, mbërrij tek Laboratori Fotografik i ndërmarrjes komunale  tek Posta nga ku vareshin fotografët. I kërkoj një film, më thotë se kishte vetëm një me 7 shkrepje gjithsej. Nuk kisha siguri nëse ato shkrepje ishin të plota apo jo. Gjithsesi nisem tek pallatet “Bahai”, ku ngjitem me shpejtësi në tarracë. Se di si arrita të mbërrij deri lart dhe aty më ngjitën njerëzit sa më panë me aparat në dorë(qesh). Shtrihem tek cepi i tarracës, aparati po më jepte shenjën e baterisë dhe kisha vetëm 7 shkrepje. Shkrepa tre herë dhe vetëm dy ishin të mira. Janë dy momentet e rrëzimit të bustit që më pas qarkulluan ndërkombëtarisht. Ato dy shkrepje të mira ishin fotot e jetës time.

Pati histori pas daljes së dy fotografive nga Sigurimi i Shtetit?

Pas transmetimit tek IP më pas është botuar në shumë gazeta e media të tjera. Mbaj mend që u botuar edhe tek “Republika”. Në atë kohë vjen shefi i sigurimit për të më kërkuar filmin. I them që e kam lënë tek “Republika” e kështu humba nga vëmendja e sigurimit për negativët, që sigurisht i kam edhe sot por të siguruara mirë(qesh).

Keni rrezikuar jetën duke bërë fotografi? Nëse po do të rrezikonit sërish?

Përveç mbulimit të ngjarjeve të Shqipërisë kam qenë edhe i dërguar për dy-tre javë në Afganistan 2002. Vështirësitë kryesore për një fotograf të lajmit është burimi i lajmit. Këtu e ke shumë të vështirë të mësosh një axhendë të saktë të qeverisë, të OJF, etj. Jashtë gjërat janë shumë të organizuara. Madje edhe protestat janë shumë të organizuara dhe ka njoftime për to. Duke pasur këtë informacion vendoset edhe nëse do mbulohet apo jo. Këtu i mbetet gjithçka rastit, miqësisë dhe ka një mungesë organizimi.

Ju jeni fotograf i lajmit. Keni pasur pengesa qoftë edhe nga struktura të ndryshme për të realizuar punën tuaj?

Vetë nuk kam ndjerë pengesa në punën time. Duhet të dish edhe të sillesh. Nuk duhet të harrojmë që për të bërë punën tonë, nuk duhet të shkelim punën e tjetrit.

Kemi parë statuse me mjaft pakënaqësi në profilin tuaj në facebook. Mos jeni bërë opozitar?

Unë opozitar??? (qesh) Unë jam opozitë me këdo dhe këtë nuk po e them për politikë, sepse njeriu gjithmonë duhet të kërkojë për veten dhe komunitetin ku jeton. Nuk është opozitë të evidentosh problemet.

Cilat janë fotografitë më të mira?

Për natyrën time të punës sigurisht që janë fotografitë që nxjerrin në pah probleme pasi nëse nuk dalin në pah është e pamundur të korrigjohen. Fotografi të mira janë ato që shprehin shumë dhe emocionojnë nëpërmjet detajeve.

Cilat janë fotot më të fundit që do të veçonit?

Ka arritur në një moment që çdo fotografi që bëj, më bën përshtypje. E shijoj kur e shikoj në kompjuter. Mund të them edhe një shprehje që “Zoti ndihmon të mirët” pasi të qëllojnë shpesh foto që e shkrep dhe një detaj e bën atë të rrallë. E shijoj, kur e vëzhgoj me vëmendje në detaje. Për këtë e them “Zoti ndihmon të mirët”(qesh).

Mësuam se ju do të transferoheni brenda agjencisë ku punoni në Gjermani. Si erdhi ky transferim? Vendosët vetë të largoheni nga Shqipëria?

Nuk kam dashur asnjëherë të iki. Kam qenë kundër pavarësisht ulje ngritjeve. Unë thjesht po transferohem brenda kompanisë time në Frankfurt. Shqipëria po më rrinte e ngushtë në kuptimin profesional të fjalës. Të realizoj ëndrrat e mija profesionale. një prej tyre është të mbuloj Bundesligën gjermane, gjë që do ta bëj në punën e re bashkë me Bankën Europiane që do të thotë të jesh në top news çdo ditë. Nëse këtu pret një herë në vit apo 6 muaj të jesh në lajmet kryesore të Evropës, aty je çdo ditë e do të përballesh me profesionistë. Sigurisht që nuk mund ta quaj largim nga Shqipëria. Këtu kam një pjesë të familjes, miqtë. Do vij shpesh në Tiranë.

Një këshillë për fotografët e rinj të lajmit, çfarë do të thotë të jesh profesionist?

Unë jap atë këshillë që ma kanë dhënë edhe mua, të cilën dikur nuk e analizoja por tani nga eksperienca mund ta konfirmoj: Punë, punë dhe vetëm punë. Duhet punë dhe dëshirë që ta bësh diçka mirë. Unë eci me parimin që tjetri nuk ka asgjë më shumë se ty. Pse të mos e bësh ti më mirë se ai?

Fjala profesionist është fjalë e madhe dhe këtu po keqpërdoret. Profesionist nuk është vetëm ai që shtyp sustën  e aparatit por që ka një sjellje profesionale, bën parashikimin e pajisjeve që i duhen duke marrë masa për çdo të papritur. Nuk mund të përballesh me të papritura nëse je profesionist. Ato lejohen 1% por jo 90%. Sjellja profesionale është shumë e rëndësishme për të qenë fotograf lajmi. /tesheshi.com/