Argumentet Bayeux: mesazhet e çuditshme të sixhades që përshkruan pushtimin norman të Britanisë

Sixhadja Bayeux përbën një simbol të çuditshëm të bashkëpunimit post-Brexit mes Britanisë dhe Francës. Mjafton të thuhet se fushatuesit e Brexit nuk e kanë “harruar” ende pushtimin nga normanët në vitin 1066.

Media ndërkombëtare i dha hapësirë në faqet e para një lajmi se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte rënë dakord në parim t’i jepte hua Britanisë, sixhaden Bayeux. Dalja e artefaktit jashtë Francës, siç theksonin të gjithë titujt e lajmeve, do të ishte e para herë në gati një mijëvjeçar.

Sixhadja prej 70 metrash (për të qenë më të saktë një punë qëndistarie prej leshi mbi lino) përshkruan pushtimin norman të Anglisë në vitin 1066. Ekspozimi i saj në Britani duhet të kalojë edhe shumë procedura e kohë, ndërkohë që Britania do t’i ketë shkëputur krejt lidhjet me negociatat e ethshme të Brexit, që do ta largojnë atë formalisht nga Bashkimi Europian. Konservatorët e shohin ofertën franceze si një shenjë, se pavarësisht Brexit, bashkëpunimi midis Britanisë dhe vendeve europiane është më i fortë se kurrë. Megjithatë, në dy mënyra të thella, sixhadja Bayeux është një simbol i çuditshëm për të ardhmen e Britanisë post-Brexit.

E para, është se pushtimi nga francezët është ende një subjekt i ndjeshëm në disa qarqe. Nigel Farage, lideri i kohë-pas-kohshëm i partisë së Pavarësisë së Britanisë, njihet se mban një kollare që përshkruan sixhaden për t’u kujtuar britanikëve për “herën e fundit që u pushtuam dhe u morëm nën kontroll”. Në sixhade shquhen gjymtyrë e koka të prera të anglezëve të mundur.  Një grup të rinjsh që kërkojnë të bëjnë kryeministër deputetin konservator Jacob Rees-Mogg, e përshkruan betejën e Hastings si kohën “kur normani Uilliam Bastardi uzurpoi fronin e mbretit Harold”. Nuk është e qartë se çfarë mendojnë Farage apo deputeti Rees-Mogg për ofertën e Macron.

E dyta lidhet me ekonominë. Pavarësisht gjaderdhjes fillestare, pushtimi norman demonstron përfitimet e integrimit europian. Të sapoardhur, normanët vendosën lidhje tregtare që sollën rritjen e eksporteve.  Edward Miller dhe John Hatcher nga Universiteti i Kembrixhit dalin në përfundimin që “brezat pas vitit 1066, panë një zgjerim progresiv në shkallë dhe në vlerë të tregtisë me jashtë”. Leshi anglez, sidomos, ishte shumë popullor në kontinent. Hebrenjtë që mbërritën me ftesë të Uilliamit, nëse jo me urdhër, ngritën një rrjet lidhjesh besimi midis tokave të tij të reja të pushtuara dhe atyre franceze.

Një projekt i kryer nga “The Economist” në vitin 2016, doli me përfundimin se rritja reale e prodhimit të brendshëm bruto në vitet 1086-1300 ishte me gjasa tre herë më shumë sesa në periudhën përpara pushtimit. Prodhimi i brendshëm bruto për person u rrit fuqishëm, po ashtu, nga1.70 paund në vitin 1086 në 3.30 paundë deri në vitin 1300. Në kontrast, efekti ekonomik në Britani nga dalja prej rretheve europiane të tregtisë nuk ka gjasa të ketë përfitime.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts