Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Argument: A ishte arti modern një armë e CIA-s në Luftën e Ftohtë?

Ekspresionizmi abstrakt doli nga errësira drejt famës në fund të viteve 1940 për ta bërë Nju Jorkun qendrën e artit në botë – por ka nga ata që thonë se abstraksionistët u bënë kukulla të spiunëve amerikanë në Luftën e Ftohtë. Alastair Sooke, kritik arti, për gazetën “Daily Telegraph” kryen një hetim të imtësishëm të këtij argumenti, duke sjellë artikullin e mëposhtëm:

“Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, diçka ngazëlluese ndodhi në botën e artit në Nju Jork. Një energji e çuditshme dhe gjithashtu e parezistueshme përfshiu qytetin, ndërsa artistët prej vitesh ishin përpjekur më kot duke mbetur në varfëri dhe të anashkaluar. Papritur ata gjetën suksesin dhe vetëbesimin.

Së bashku, ata krijuan një lëvizje që u bë e njohur, me kalimin e kohës, si ekspresionizmi abstrakt. Kjo rrymë vazhdon të ekspozohet në botë.

Një nga gjërat më të dallueshme të abstraksionizmit abstrakt ishte shpejtësia me të cilën u bë me ndikim ndërkombëtar. Edhe pse artistët që e lidhën veten me këtë rrymë, ishin përpjekur shumë të gjenin stilin e tyre, pasi lëvizja u kristalizua në fund të viteve ’40, ajo krijoi më shpejtësi së pari, famën e keqe dhe më pas respektin.

Jackson Pollock

Deri në vitet ’50, pranohej gjerësisht se përparimet më ngazëlluese në pikturë dhe skulpturë po ndodhnin në Nju Jork, më shumë sesa në Paris. Në vitin 1957, një vit pas vdekjes së Pollock në një aksident me makinë, muzeumi Metropolitan pagoi 30 mijë dollarë për veprën e tij “Ritmi vjeshtor” – një shumë e paprecedent parash për një pikturë të një artisti kontemporan, në atë kohë.

Një vit më pas, muzeumi i Artit Modern i Nju Jorkut nisi një tur të gjatë ekspozitash, në qytetet europiane, mes të cilave edhe në Bazel, Berlin, Bruksel, Milano, Paris dhe Londër. Triumfi i ekspresionizmit abstrakt ishte i plotë.

Por nuk kaloi shumë, megjithatë, dhe nisën lëkundjet. Së pari mbërriti arti pop, që tërhoqi vëmendjen nga ekspresionizmi abstrakt në fillim të viteve ’60. Më pas nisën thashethemet, me pëshpërima sipas të cilave suksesi i shpejtë i abstraksionizmit abstrakt ishte i dyshimtë.

Në vitin 1973, në një artikull në revistën “Artforum”, kritiku i artit, Max Kozloff shqyrtonte pikturën amerikane në kontekstin e Luftës së Ftohtë. Ai pretendonte se po reagonte kundër “atmosferës vetë-përgëzuese” të publikimeve të kohës. Kozloff shkoi deri aty sa të argumentonte se ekspresionizmi abstrakt ishte “formë e propagandës mirëdashëse” në sinkron me ideologjinë politike të pasluftës së qeverisë amerikane.

Në shumë mënyra, ideja dukej qesharake. Në fund të fundit, pjesa më e madhe e përfaqësuesve të ekspresionizmit abstrakt ishin të huaj të paqëndrueshëm. Pollock, ndër më të famshmit, dikur kishte thënë se të gjithë në shkollën e tij në Los Anxhelos, mendonin se ai ishte një “rebel i kalbur nga Rusia”. Rothko pretendonte se ishte anarkist, Barnett Newman u deklarua po ashtu anarkist. Kështu që ata përmbushnin të dhënat e artistëve jo-konformistë që ishin tërësisht të huaj me kulturën amerikane. Ata ishin e kundërta e Luftëtarëve të Ftohtë.

Pavarësisht kësaj, idetë e Kozloff zunë vend. Pak vite përpara se të publikoheshin, në 1967, “New York Times” kishte zbuluar se revista liberale anti-komuniste “Encounter” ishte financuar jo drejtpërdrejt nga CIA. Si rezultat, njerëzit nisën të kishin dyshime. A mund të ishte e mundur që CIA kishte pasur gisht edhe në promovimin e ekspresionizmit abstrakt në skenën botërore? A ishte Pollock, me dashje apo jo, një propagandues për qeverinë amerikane?

Një numër esesh, artikujsh e librash pasuan punimin e Kozloff, të gjitha me argumentimin se CIA në një farë mënyre kishte manipuluar ekspresionizmin abstrakt. Në vitin 1999, gazetarja dhe historianja britanike, Frances Stonor Saunders publikoi një libër për CIA-n dhe “Luftën e Ftohtë kulturore” në të cilin pohonte: “Ekspresionizmi abstrakt u shfrytëzua si një armë e Luftës së Ftohtë”. 

Ideja e saj është pak a shumë e tillë: ne dimë se CIA ka financuar nisma kulturore si pjesë e luftës së saj të propagandës kundër Bashkimit Sovjetik ku ajo liston shumë shembuj.

Edhe sot e kësaj dite, ekspertët debatojnë për këtë çështje. Por kjo nuk do të thotë sigurisht se vetë artistët ishin bashkëpunëtorë me CIA-n apo ishin në dijeni të faktit që organizata po financonte ekspozitat e ekspresionizmit abstrakt. Ka nga ata që thonë se kjo rrymë ishte më e mira që CIA do të mund të kishte financuar në makinerinë e saj të propagandës.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts