Argjentina zhdëpet nga Nigeria, Maradona irritohet dhe kërkon rikthimin: të paaftë, po na shkatërroni prestigjin!

Pas një tjetër humbjeje të Argjentinës në miqësoren me Nigerinë 2-4, Diego Maradona është gati t’i hedhë benzinë zjarrit. Në faqet personale në rrjetet sociale, Maradona i quan të paaftë drejtuesit aktualë të Kombëtares argjentinase dhe kërkon të rikthehet vetë në timonin e bardh e kaltërve.

“Jam i nxehur sepse po hedhin tutje vlerat tona dhe prestigjin tonë. Por djemtë nuk kanë faj, ndaj unë dua të kthehem”- është shprehur El Pibe D’oro, i cili ka renditur edhe rezultatet në përqindje të të gjithë trajnerëve të fundit të Argjentinës, ku del se në periudhën kur ai ishte trajner, Argjentina ka patur përqindjen më të lartë të fitoreve në të gjitha kohërat.

Cfarë t’i bësh Maradonës, e çfarë t’i thuash të gjithë kombit! Në fund të ditës, nuk del se e ka edhe aq gabim, kur sheh një Argjentinë që “çalon” në rezultate, humbet vend e pa vend, e nuk e shfrytëzon “minierën” e futbollistëve që ka. /tesheshi.com/