Apologjia e një lufte: etapat dhe arsyet e përplasjes mes Adriatik Llallës dhe SHBA-së (dhe disa detaje të bujshme)

Nga Ylli Pata

Menjëherë pas qëndrimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të treguar arsyet e futjes së Adriatik Llallës në “listën e zezë”, reagoi ish-ministri i Drejtësisë, numri dy i LSI-së, Petrit Vasili. Bashkëpunëtori më i ngushtë i Kryemadhit dha një qëndrim që u duk se ishte edhe ai i partisë së tij.

Vasili kërkoi nga DASH që meqë flitet për korrupsion, duhet të bëhet menjëherë publike kë ka mbrojtur ish-kryeprokurori. Ky është reagimi i vetëm i klasës politike pas vendimit të parë të kësaj natyre të qeverisë së SHBA.

Është precedenti i parë që ka ndodhur me një zyrtar shqiptar që të futet në “Listën e Zezë amerikane”. Po çfarë është e ashtuquajtura “Lista e Zezë”.

Është një vendim politik që merr Departamenti i Shtetit për të ndëshkuar persona apo organizata që nga SHBA cilësohen si përkrahës të terrorizmit, regjimeve despotike, klikave të korruptuara, etij. Në një listë të tillë edhe pse nuk ka pasur politikanë nga Shqipëria, aty rezultojnë politikanë shqiptarë. Disa janë hequr më vonë.

UÇK-ja e Maqedonisë ka qenë pjesëmarrëse në “Listën e Zezë”, me Ali Ahmetin në krye, por që më vonë një pjesë emrash u hoqën duke  nisur nga kreu i BDI-së. Menduh Thaçi është ende në këtë listë, natyrisht jo për “terrorizëm”, pasi nuk ka qenë pjesë guerrileje, por për të tjera akuza.

Edhe disa ish-komandantë të UÇK-së në Kosovë u futën pjesë e “Listës së Zezë” nga Presidenti Bush në 2001, pikërisht për mbështetjen e luftës në Maqedoni.

Vendosja e Adriatik Llallës, më shumë se një vendim për të “vlerësuar” për keq ish-kryeprokurorin, duket se është një qëndrim për të treguar se toleranca e Uashingtonit ka një kufi dhe bëhet ndaj një fenomeni të adresuar qartë prej 4 vjetësh: korrupsionit dhe ndëshkimit të zyrtarëve të lartë.

Që nga koha e Arben Rakipit, SHBA ka vendosur një raport shumë të afërt me Prokurorinë e Përgjithshme. Hetimi i vrasjes së Azem Hajdarit, në bazë të një dosjeje që u hartua në ambasadën amerikane në Tiranë ishte nisja e këtij bashkëpunimi.

Në vitin 1998, ish-kreu i opozitës Sali Berisha pranoi të japë deponimet e tij para një prokuroreje të huaj në ambasadën amerikane. Në vitet që vijuan raportet mes kryeprokurorëve dhe ambasadorëve të SHBA ishin të mira por jo aq të ngushta. Ato u bënë të tilla me Ina Ramën, kur Kryeprokurorja bashkëpunoi me FBI-në për provat e vrasjeve të 21 janarit.

Amerikanët e mbështetën Ina Ramën gjatë përplasjes së saj të fortë me qeverinë “Berisha” dhe inkurajuan nisjen e hetimeve për dosjet e zyrtarëve të lartë. Pas daljen e videos Meta-Prifti, amerikanët sollën një ekspert për ta vlerësuar, por ai u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë me një vendim 5 me 0. Gjyqtarët sollën disa ekspertë nga Universiteti “Kristal”.

Duket këtu ka nisur edhe një qasje më drastike e SHBA-së dhe BE-së për të kryer një reformë në drejtësi, pasi krijuan përshtypjen se gjyqtarët kanë krijuar një korporatë që bashkëpunon me kastën politike. Kjo nuk ka emër tjetër veçse “Regjim”.

Dhe siç dihet, SHBA e BE ndërmorën vendimin për reformimin e drejtësisë shqiptare, pra gotitjen e “Regjimit”.

Në këtë rrugë, SHBA vazhdoi marrëdhënien e mirë me Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, të cilin e dërguan në SHBA për të takuar ekspertë amerikanë të antikorrupsionit, por e dërguan për të përgatitur edhe një grup prokurorësh të përzgjedhur, të cilët do të duhet të futeshin në punë në vjeshtën e vitit 2015.

Hetimi ndaj Shpëtim Gjikës dhe Ardian Fullanit, i dhanë Llallës besueshmërinë e e partnerëve për të kryer paralelisht edhe reformimin e gjyqësorit por edhe hetimet ndaj korrupsionit.

Përvoja në krye të ILDKP ku bashkëpunoi ngushtë me amerikanët ishin një tjetër plus që Llalla të ishte i “përzgjedhuri” për të pastruar politikën. Plani ishte që pikërisht në këtë vit të niste “gjuetia e peshkaqenëve”.

Ndaj Adriatik Llallës në këtë kohë, pra kur u arrestua Ardian Fullani, u vërsulën një arsenal shumë i fortë politik dhe mediatik, nga Sali Berisha tek Frangaj e Fevziu. Por në vjeshtën e 2015-s, Kryeprokurori duket se ndërroi rrugë. Prokurorët e trajnuar në SHBA jo vetëm që nuk u emëruan në postet kyçe për të nisur hetimin e dosjeve të mëdha, por u hoqën fare. Llalla ndërmori në prokuroritë e rretheve një operacion për largimin e të gjithë atyre që kishin nisur “avash-avash” dosjet ndaj klasës politike.

Por kulmi arriti në vitin 2016, me miratimin e reformës në drejtësi, kur Prokuroria nisi kontestimet e draftit të amerikanëve. Llalla dërgon në gazetën Dita, një letër ku aludon se ambasadori i SHBA-së në Tiranë ka kërkuar pezullimin e hetimeve ndaj kompanisë Bankers. Pas kësaj, Donald Lu bëri kërkesën e famshme për të arrestuar “Shullazin, Balilin e Lul Berishën”. Llalla arrestoi vetëm Shullazin, edhe atë pasi i tha Sali Berisha. Ambasadori amerikan, akuzoi më pas Kryeprokurorin se po pengon reformën në drejtësi që u inicua nga SHBA.

Jemi në fillimin e vitit 2017-koha kur duhet të kishte filluar vettingu por që u tentua të hidhej në erë reforma në drejtësi. Kryeprokurori e cilëson reformën në drejtësi si një projekt i George Sorosit, Donald Lu-në e cilëson sorosian dhe e akuzon se ka kërkuar të mbylle hetimet, pra as më pak e as më shumë sesa për abuzim e korrupsion.

Jemi pak përpara ngritjes së çadrës së PD-së në Tiranë. Në portalet pranë opozitës hapet lajmi që Donald Trump ka shkarkuar ambasadorin amerikan në Tiranë. Lajmin e shkruan i pari një website që është pranë familjes “Berisha” dhe më pas u mor nga media edhe serioze.

Ka qenë tesheshi.com i pari që publikoi lajmin që Donald Lu nuk është shkarkuar, duke cituar burime diplomatike. Në fakt ambasadori amerikan në Tiranë ndodhej në Uashington dhe i kërkoi DASH që të hetohen të gjitha akuzat e Kryeprokurorit Shqiptar.

DASH, me anë të një ekipi të posaçëm hetoi me hollësi të gjithë akuzat e Llallës ndaj Donald Lu-së. Gjatë kohës së hetimit, ambasadori nuk doli fare në publik dhe që bie në kohën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Në fund DASH nxori se gjithçka ishte e pavërtetë. Donald Lu-së, iu dha një fuqi edhe më e madhe dhe këtu Uashingtoni vendosi të ndërmarrë hapin e madh kundër të gjithë atyre që të parët nisën “luftën me Amerikën” .

Adriatik Llalla është i pari dhe vetëm “zbatuesi” i skenarit të luftës. Tani pritet që të njëtat vendime të merren për ata që e nxitën dhe e urdhëruan Llallën…/tesheshi.com/

Related posts