728 x 90 Leaderboard

Ankthet europiane të zgjedhjeve italiane: ç’po gatuhet në Romë e jashtë saj

Nuk kanë mbetur as dy javë deri në zhvillimin e zgjedhjeve italiane dhe paqartësitë provokojnë ankth që shkon deri në Bruksel.

Sipas të gjitha sondazheve të zhvilluara deri tani, projektohet një fitore relative e koalicionit të djathtë të Silvio Berlusconit me ksenofobët e Lega Nord.

Sipas të dhënave, koalicioni i qendrës së djathtë mund të marrë numrin më të madh të deputetëve, por ende nuk arrin të sigurojë shumicën absolute në Dhomën e Deputetëve, ndërkohë që në Senat e ka arritur numrin e duhur për të formuar qeverinë.

Partia e dytë përvijohet 5 Yjet e Beppe Grillos, së cilës sondazhet i japin 26%. Partia Demokratike e Matteo Renzit shikohet si humbësja e zgjedhjeve në një nivel të ulët deri në 24%.

Por, duket se pikërisht në ditët e fundit të fushatës po zhvillohen disa skenarë, që duket se janë nisur nga qendrat e forta të pushtetit në Europë.

Merkel dhe Macron, dy fuqitë e Bashkimit Europian, nuk duan që në qeverinë italianë të vijnë forcat antieuropiane si Grillo dhe Salvini i Lega Nord që duan daljen nga euro dhe një politikë që refuzon Brukselin.

Një skandal ka shpërthyer në mediat italiane, ku akuzohen deputetët e 5 Yjeve që nuk i kanë kthyer shtetit detyrimet fiskale.

Sipas të gjitha gjasave, po përvijohet një mundësi që në qeverinë e ardhshme të Italisë të jetë një koalicion i gjerë ndërmjet partisë së Berlusconit dhe asaj të Matteo Renzit.

Qëllimi është të izolohen ksenofobët dhe lëvizjet neofashiste, që kanë marrë hov thuajse në të gjithë vendin.

Shkrimtaro-gazetari i njohur italian, Roberto Saviano, lëshoi alarmin e rritjes së fashizmit, gjatë një editoriali që botoi javën e shkuar në të përditshmen britanike The Guardian.

Portali më i rëndësishëm i Brukselit, politico.eu shkruan në numrin e sotëm që “asnjë parti nuk do të fitojë zgjedhjet e 4 marsit në Itali”.

Kurse në një shkrim parardhës, po ky portal e titullon shkrimin: “Zgjedhjet italiane premtojnë: pizza ose pazza(çmenduri)”

Edhe pse numrat i japin më shumë koalicionit të Silvio Berlusconit, ky i fundit nuk mund të bëhet kryeministër, madje as deputet pasi ka një vendim gjykate që e ka dënuar për dhënie rryshfeti.

Në koalicionin e ish-“kavalierit” kanë nisur madje përplasjet që tani për postet qeveritare.

Në Itali sondazhet nuk kanë dhënë gjithmonë atë çka ka qenë realiteti. Pesë vjet më parë, të gjithë sondazhet dhanë një rezultat të qartë të fitores së së majtës, por asnjëra nuk parashikoit një rritje të partisë së Beppe Grillos.

Ka shumë gjasa që edhe këtë herë të ketë supriza të momentit të fundit. Loja bëhet për 3-4%, ndërkohë që të pavendosurit shkojnë deri në 10%. /tesheshi.com/

 

Related posts