728 x 90 Leaderboard

Angjelina: pse po reagoj e flas për axhën tim At Zef Pllumi

Nga Bardha NERGJONI

Kujtimet e gruas që pa dhe jetoi bashkë me fratër Pllumin persekutimin komunist

Angjelina është ajo grua malësore që në fytyrën e saj tregon vuajtjen, forcën dhe njëkohësisht butësinë e një shpirti poetik. Vajza e vogël e vëllait të At Zef Pllumit ruan kujtimet e saj për simbolin e qëndresës ndaj komunizmit, njeriun që kaloi dhjetëra vite në burg, jetoi për të treguar vuajtjet dhe mbeti gjithmonë i thjeshtë, me fjalë të peshuara mirë dhe me dashuri të pamatë. Angjelina, që edhe emrin e ka nga kjo dashuri, ishte së fundit në protestën e opozitës, ku ngriti zërin e saj, kërkoi t’u hiqen dekoratat persekutorëve dhe u shpreh kundër bunkerit në qendër të Tiranës.

Pse vendosët të flisni pikërisht në këtë kohë?

Këto ditë siç e dimë të gjithë qeveria dekoroi hetuesin që ka dënuar axhën tem e kjo më dhëmbi shumë. Ishte një grusht i rëndë dhe e kaluara u kthye tek unë si një hije e zezë. Me vete thashë “axhë edhe të vdekur po të dënojnë për të dytën herë?!” E kaluara jonë ishte shumë e vështirë në komunizëm dhe sa për të përndjekurit në demokraci më mirë të flas për veten dhe jo në emër të të tjerëve. Në të gjithë këto vite demokraci përkrahja ka qenë shumë e pakët.

angjelina 2Çfarë komenti keni për bunkerin dhe protestat e opozitës?

Për mua bunkeri është një provokim. Kur vij në Tiranë nuk dua të shoh në qendër të saj një bunker por një kryeqytet të bukur, të pastër e të qeshur. Nuk ka nevojë që të kaluarën të ma kujtojë ky bunker pasi pasojat e të kaluarës ne i jetojmë edhe sot.

ati 3Ju jeni mbesa e At Zef Pllumit, simbolit të qëndrestarit ndaj një kalvari vuajtjesh në sistemin komunist. Si e mbani mend në vogëli xhaxhanë tuaj?

Axhën e mbaj mend si një vegim. Isha 3 vjeçe dhe axha atëherë kishte një radio. Dëgjoja zëra nga ajo kuti e zezë dhe doja t’ia merrja, por asnjëherë nuk ma jepte. Isha më e vogla e familjes e bashkë me axhën e madh bëheshim 14 anëtarë. Me mua nuk merrej njeri, por vetëm “axha frat”, siç i thërrisnim ne. E mbaj mend si në film përkujdesin e tij. Më kujtohet në sekuenca të vogla të një filmi të vjetër, por që shikohet mirë. Në fshatin malor ku jetonim, jeta ishte tepër e vështirë. Vetëm axha më kapte prej dore kur rrëzohesha e vritesha. Ishte dora e tij që më shtrëngonte e më ngrinte lart. Ai ka jetuar me ne vetëm një vit pasi u mbyllën kishat e atëherë e kanë arrestuar. E kam takuar edhe më pas ndërsa shoqëroja babanë në takimet me të, gjatë dënimit e mbaj në kujtesë portretin e tij të trishtuar. Shpesh më thoshte “Burgu ku jetoni ju njerëzit atje jashtë, është më i rrezikshëm se ky i imi”. Ai i frikësohej transformimit të rendit shoqëror, të zakoneve nga problemet e ndryshme që sillte koha.

ati 1Ndoshta jeni ndër të vetmit njerëz që e keni shoqëruar edhe në vitet e fundit të jetës. Si do t’i kujtonit kohët pas rrëzimit të sistemit?

Kur doli nga burgu para se ta çonim për kurim të specializuar në Itali, i qëndroja shumë pranë. Të rrije me një njeri si ai ishte si diçka krejt normale. Më dukej sikur nuk ishte ai njeriu që shkruante libra, që kishte vuajtur për vite në burg, ai që ia kishte kushtuar jetën Zotit e për të cilin flisnin të gjithë. Ishte tepër i thjeshtë me atë tonin e mpaktë dhe fjalët e thëna ngadalë. E mbaj mend fort mirë një moment. Ishte dimri i vitit 1990 kur më tregoi shkrimet e tij në një fletore të zverdhur me fletë të shkëputura. Edhe sot i kam në mendje këshillat e tij që më vlejnë shumë për jetën. Unë jam vajza e vëllait të vogël, që axha në libër e përshkruan duke theksuar se ishin vetëm dy fëmijë.

Me të flisja lirshëm për çdo lloj teme. Ishte tolerant por edhe shumë strikt. Nga natyra ishte i qetë, por edhe shumë impulsiv. Me raste me fëmijët, pra me djalin tim, ishte shumë tolerant. Më thoshte “është fëmijë dhe si çdo fëmijë është kurioz të njohë gjërat që e rrethojnë”.

Jeta e Angjelinës mes “malit me gurë” dhe poezisë së shpirtit

Angjelina është një grua mbi të 50-tat dhe ka një djalë, Florindin, një adoleshent 17 vjeçar. Duke qenë nga “familja e priftit”, siç e etiketonin në fshat apo në ndangjelina 1onjë ambient ku ndodhej, ajo e ka pasur të vështirë të ndërtonte një jetë si gjithë të tjerët. “Kam lindur në fshatin malor “Mali i Reçit” në Shëngjin të Lezhës. Më pëlqen ta quaj “mali me gurë”. Thonë se talenti lind me njeriun, por ishte koha kur unë cilësohesha mbesa e “armikut të popullit” dhe nuk kisha asnjë të drejtë për asgjë që më pëlqente. Kisha pasion aktrimin dhe muzikën dhe më thonin “ke talent por”… Persekutimi për shkak të axhës më ka nisur që në rini, prandaj mbeta pa shkollë dhe pa një jetë timen. Në çdo vend që shkelja më thoshin: “Largohu se ti je nga ajo familja e priftit” dhe për këtë shkak njerëzit më shikonin çuditshëm. Pushteti i atëhershëm na urrente, shoqëria na largohej, po ashtu edhe fisi. Nuk kishim asnjë të drejtë, sepse shtypeshim e nëpërkëmbeshim. Kur kërkonim shkollën e lartë, merrnim përgjigjen: “A e dini more se të kujt jeni? Jeni të armikut të popullit, ju bashkë me priftin nuk meritoni të jetoni, por pushteti është zemërgjerë…”. Jeta jonë kaloi me shtypje dhe dëshpërim…
Nuk ka qenë e lehtë për mua dhe familjen time, sidomos për mentalitetin e vendit ku jetojmë, që unë të bëja ujdi me ato kushte e vështirësi”, tregon për jetën e saj Gjeka. Prandaj, jo rastësisht, ajo iu dha krijimtarisë letrare. Të shkruarit për të ishte prehje për shpirtin, ndaj dhe Angjelina nuk iu nda për vite me radhë poezive. Me ardhjen e demokracisë ka botuar 6 libra me poezi dhe prozë poetike. Është anëtare e lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës dhe Klubit Letrar të Lezhës. Është vlerësuar me dy çmime të para në Lezhë dhe një çmim të tretë në Kosovë për poezitë e saj. Vargjet e Angjelinës i gjen në Antologjitë Letrare të Shqipërisë dhe Kosovës. Botimi i saj më i fundit quhet “Mos më harroni dhe mua”.

Poezi të Angjelina Pllumi Gjeka

Axhës tim

At Zef Pllumi,

Ai trup i kërrusur, i lodhur nga vuajtja

Malit të kalvarit me kryqin mbi shpinë

Shikimi i ata syve pasqyrë e një jete në errësirë

Ti rrnove për me tregue,

o pena e ngjyer në dhimbje,

dashuri hyjnore që jep forcë.

Paraja

Dashria njerëzore ka humbur rrugën për tek zemra

Nata ka marrë ditën,

Paraja e mbylli dritaren e vogël të shpirtit me rrjeta merimange

E çara mbeti në buzë,

Ëndrrat lahen me lotë,

Dashuria hyjnore mbetet e habitur se si njerëzit e duan kaq shumë paranë

Zoti pastë mëshirë për ta.

/tesheshi.com/

Related posts