Auto Dak
Auto Dak

ANALIZË/ Koha e keqe apo Rama i keq? Pse Shqipëria ishte më mirë me Nanon dhe Berishën

Është i padyshimtë fakti se Shqipëria po kalon një ndër periudhat me të vështira të tranzicionit, e kjo në raport me shpresën. Viti ‘97 mbahet si kulmi i një ploje politiko-shoqërore, e megjithatë ajo nuk e ka patur këtë konstante pezmi e zymtësie siç sot, pa asnjë lloj “97”-te përveç asaj të një pikiade ekonomike që jua ka tharrë xhepat shqiptarëve.

Rama më kot përpiqet të bindë për të kundërtën, se po shfaqen shenja rilindjeje ekonomike. Po të ish kështu nuk do qe kjo krize, e cila i ka dhënë goditje pikërisht shpresës.

Post ’97-ta është një shembull për këtë. Ajo u pasua nga një boom ekonomik, falë hapjes së sektorit të ndërtimit, kreditimit pa hesap, rritjes së remitancave, disa privatizimeve të mëdha, të cilat pra janë dhe burimet e asaj kohe të artë që zgjati deri në 2010, kur nisi të shfaqej dhe kriza, si pasojë dhe e asaj globale, prej një recensioni financiar.

Ishin pikërisht ato burime me të cilat u mbajt Shqipëria për gati një 15-vjeçar, të cilat jo për meritë të ndonjë qeverie, e as për faj të ndonjë qeverie, sot nuk ekzistojnë më. Pra, Shqipëria ka humbur 5 burimet bazë të një ekonomie që i ofroi ca “vite të lumtura”, që së paku të tilla duken sot në kohë krize. Ato janë: dy vatrat e remitancave nga emigracioni – Itali e Greqi, sektori i ndërtimit, privatizimet e mëdha, Lazarati dhe pensionet greke në jug. Dhe këtu është rasti për të theksuar se Edi Rama, e ka marrë vendin në një kohë që është kundër tij ekonomikisht, që përbën dhe armikun e çdo qeverisjeje. Te shqiptari e jo vetëm, ekonomia është baza. Kjo dhe psikologjikisht, pasi kur ke para në xhep, çdo problem tjetër i një natyre sociale duket minor. Pa para, sado minor, të duket madhor.

Të pesta burimet e mësipërme, të cilat çuan në një rritje ekonomike deri në 7 përqind në mesin e viteve ‘2000, sot, jo për shkak të ndonjë qeverisjeje por të kohës, nuk ekzistojnë më.

Qeverisjet e pas ’90-ës në Shqipëri, në suksesin apo dështimin e tyre janë diktuar nga koha më shumë se sa nga vizioni apo projektet e tyre. Ato nuk kanë patur ndonjë model për t’u aplikuar, një program, i cili më pas ka patur sukses apo ka dështuar. Ne sot, në mendimin apo ligjërimin politik, nuk kemi e as artikulojmë ndonjë model Nano apo Berisha në ekonomi, që pati sukses apo dështoi; ne nuk kemi sot asnjë diskutim mbi faktin se prej reformave të tyre ç’përfitoi e po përfiton Shqipëria në vite, në ekonomi apo ndonjë sektor tjetër, e kjo sepse ato nuk kanë qenë qeverisje reformash apo modele ekonomike për t’u aplikuar, prej atyre me efekte pozitive dhe përfitime në kohë. Ato thjesht kanë gëzuar frytet e një kohe që ka vepruar jashtë tyre, e ata, apo dhe shoqëria, kanë përfituar prej saj. Dhe kjo kohë mungon për Ramën, i cili, nga humbja e burimeve të deridjeshme bazë të të ardhurave, është i detyruar të mbajë mallkimin e kohës, e të sforcohet për sajimin e një kohe tjetër, pra, të krijimit të burimeve të tjera, të modelimit të një tjetër ekonomie, te e cila futet dhe projekti i “100 fshatrave” si një prej investimeve në turizëm.

Ndaj dhe ngjan si cinike, që kohërat më “të arta” në Shqipërinë e pas ’90-ës, u dedikohen në fakt dyshes më pak ose aspak reformatore, asaj Nano e Berisha.

Edhe njëherë duhet theksuar, se prej tyre Shqipëria nuk ka fituar në kohë asgjë. E ndoshta, me një vështrim e analizë më të thellë Shqipëria sot vuan edhe defiçencën e qeverisjeve të tyre, kusuret e një drejtimi pa vizion, thjesht duke iu gëzuar avantazheve të kohës, pa lënë për të ardhmen asgjë.

Pos kësaj, të dy qeverisën edhe globalisht në tjetër kohë, politikisht dhe ekonomikisht më e mirë se kjo e sotmja. Italia e Greqia, si hambar të ardhurash, por dhe kontinenti, ishin krejt tjetër gjë deri para 10 apo 15 vitesh.

Ndaj pra, në gjykimin për Ramën, për qeverisjen e tij, dështimin apo suksesin, duhet llogaritur dhe koha, ajo e cila ka ndonjëherë peshën përcaktuese në fatin e një lideri.

Kjo kohë sot, ka dhe një tjetër bela: rrjetet sociale, daljen mendsh të njerëzisë për një komunikimi që globalisht dhe lokalisht ka ndryshuar të gjithë vizionin e ndjesinë mbi botën, duke e bërë atë virtualisht më të keqe se ç’është realisht. Nëse ka sot një të keqe reale shqiptare, është padyshim ekonomia. Ndërsa të këqiat e tjera janë më së shumti virtuale, të ardhura pikërisht nga rrjetet sociale dhe portalet. Këto të fundit e kanë majisur të keqen, ku mjafton që kanë provokuar debate për gjëra që kanë ekzistuar këtu e më shumë se 25 vite, por që askush nuk është marrë me to.

Si shembull mund të marrim dy: Lazaratin – pra kanabisin, si dhe ikjet.

Deri dje, Lazarati kishte marrë një status “normaliteti”, e nëse zihej më gojë apo ishte lajm, në rend të parë nuk ishte kanabisi që prodhohej me tonelata e aty, por fakti se në atë fshat shteti nuk e bënte dot zap.

Dalim te “ikjet”. Për pesë vite më radhë, nga ’98 e deri në 2003-in, nga bregdeti i jugut niseshin deri në 5 skafe në natë me mesatarisht 12 deri në 15 njerëz. Në shtypin e atyre viteve, kurrë nuk thuhej apo vihej alarmi se “shqiptarët po ikin”, por vetëm ai i ekzistencës së një rrjeti trafiku që kishte krijuar kastën e skafistëve që bënin miliona duke qenë të lidhur korruptivisht me strukturat e shtetit. Në tragjedinë e 9 janarit 2002, simboli tragjik i atij trafiku, asnjë shkrim, raportim apo koment mediatik, madje as politika në sherrnajën e vet, nuk merrej me aspektin e “ikjes nga Shqipëria”, por gjithçka e kishte të fokusuar të aferat e trafikut, apo pse strukturat e sigurisë detare nuk arritën të ndërhyjnë në kohë.

Si këto dy raste janë dhe të tjera plagë të shoqërisë shqiptare sot, të cilat kanë qenë po ashtu edhe dje, ndoshta shumë më rëndë, por falë një terrori virtual të mediave sociale kanë ndryshuar kontekstin e gjykimit mbi çdo gjë, përfshirë dhe qeverisjen.

Në kohën që po jetojmë, ku po kjo – koha ka diktatin e vet mbi çdo aftësi apo përpjekje njerëzore, vështirë se do kishim një lider që do e gëlltisnim. Kjo, deri sa pa nisur të qarkullojë paraja si dikur, në kohën e Nanos e Berishës e jo prej Nanos e Berishës, ku në shumë plane Shqipëri ishte ndoshta më e qelbur se sot, por kishte boom ndërtimi, remitanca emigrantësh, privatizime të mëdha, Lazarat, pensione greke dhe një kontinent apo botë pa krizat e sotme, edhe ekonomike. /tesheshi.com/                       

auto pjese dak

Related posts