Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

ANALIZA/ Më shumë se një xhami: Shën Sofia dhe riorientimi i shoqërisë

Nga Rabee al-Hafidh

Vendimi për ta rikthyer Shën Sofinë në xhami ka rihapur çështjet shekullore të lidhura drejtpërdrejt me shoqërinë e sotme dhe ndryshimet nëpër të cilat po kalojmë.

Xhamia e Madhe e Shën Sofisë ishte streha e fundit për shumë njerëz të Kostandinopojës pas shembjeve tëstrukturave mbrojtëse të qytetit. Rënia e saj ishte kulmimi i betejës midis dy perandorive në një kohë kur kultura e shkuljes me rrënjë të të mundurve nga fituesit ishte normë e pranuar. Gratë, fëmijët, pleqtë, të sëmurët e të lënduarit e strehuar te Shën Sofia po e pyesnin pa dyshim në mënyrë të pazëshme sulltanin osman Mehmeti II, “Ç’fat keni rezervuar për ne?”, dhe pa dyshim prisnin më të keqen. Dora e historisë po qëndronte gati në momentin vendimtar për të regjistruar për pasardhësit ngjarjet pasuese.

Amnistia e shpallur nga Mehmeti II, i cili i kurseu jetët e të shpërngulurve, na sjell në mendje thënien e Profetit Muhammed, “Shkoni, jeni të lirë”; një tjetër moment përcaktues në një kohë të ndryshme dhe në një vend të ndryshëm. Ama ka dallime midis dy ngjarjeve. Vendimi për t’i lënë të lirë njerëzit e Mekës nuk qe i habitshëm për ta. Ishte tekefundit i Dërguari i Zotit, një vëlla i nderuar dhe një bir i një vëllai të nderuar të kurejshëve, njeriu i besueshëm, thënës i së vërtetës, që e kishin njohur prej kohësh. Megjithëkëtë, vendimi hoqi shumë pengesa psikologjike dhe u dërgoi një mesazh risigurimi fiseve të Arbisë, që më pas e pranuan masivisht Islamin.

Por të shpërngulurit e lënë të lirë të Kostandinopojës nuk ishin të të njëjtit grup etnik si pushtuesit e tyre për të justifikuar njëfarë dhembshurie, as ishin falur si shpërblim për konvertimin në Islam. Fusha e betejës ishte një pikë takimi e qytetërimeve dhe kontinenteve. Nuk ishte një vend i izoluar gjeografikisht si Meka. Këta faktorë i shndërruan lajmet për amnistinë të dalë nga Shën Sofia në një mesazh shoqëror që arriti cepat e botës së njohur dhe e kthyen vendin në një gur themeli të një rendi të ri social në të cilin shteti, dhe jo qëllimet e mira të një individi, ishte garantues i lirive fetare dhe i të drejtave të pakicave. Popullata e përgjithshme e Kostandinopojës nuk u konvertua në Islam, por ata e përqafuan rendin e ri shoqëror të shtetit të ri.

Një rend i ri shoqëror

Ngjarjet në Shën Sofi u hapën rrugën ndryshimeve të mëdha shoqërore. Sulltani fitimtar vendosi ta kthejë kryeqytetin e tij të ri në një metropol kozmopolitan multifetar, multietnik, nënjë kryeqytet në të cilin mund të jetonin dhe të lulëzonin të gjitha kombet dhe popujt. Sulltani ftoi artistë, tregtarë, skulptorë, poetë dhe shkrimtarë nga të gjitha anët e botës për të jetuar e punuar në kryeqytetin e tij. Ai i pezulloi taksat për të gjithë të ardhurit dhe siguroi strehim pa pagesë, duke përshpejtuar derdhjen e njerëzve në qytet. Popullsia e Stambollit, me kishat, xhamitë, sinagogat dhe qendrat tregtare që qëndronin krah më krah, u shtua gjashtëfish, nga rreth 50.000 në kohën e marrjes në 300.000 vetëm një shekull më vonë. Shoqëria në Stamboll i dha sigurisht ngjyrë një tabloje unike në shekullin e 15-të.

Një vizion i njohur

Ky vizion i një shoqërie të re, një shoqërie në të cilën shoqëritë e vjetra rivale të dy perandorive në luftë do të shkriheshin në një, ishte i njohur për sulltanin dhe këshilltarët e tij, e nuk kërkoi apo prodhoi shumë si diskutime apo debate. Nuk ishte një vizion i bazuar në tekat dhe dëshirat e sulltanit, por mbushur me traditat e Islamit dhe i bazuar në shtetet e shkuara të Islamit. Një tjetër shembull i këtyre shoqërive ishte Andaluzia në Spanjën Jugore.

Sipas historianit të shquar britanik, Sir Thomas Arnold, “Osmanët ushtruan autoritet mbi nënshtetasit kristianë prej ditëve të para të shtrirjes së mbretërisë së tyre në Azinë e Vogël, por vetëm kur kryeqyteti i lashtë i Perandorisë Romake Lindore ra në duart e tyre në vitin 1453 marrëdhëniet midis qeverisë muslimane dhe Kishës Kristiane u vendosën përfundimisht mbi një bazë të palëvizshme. Një nga hapat e parë të ndërmarrë nga Mehmeti II pas marrjes së Kostandinopojës dhe rivendosjes së rendit në atë qytet ishte sigurimi i besnikësisë së kristianëve me shpalljen e vetes mbrojtësi i Kishës Greke. Persekutimi i të krishterëve ishte rreptësisht i ndaluar; një dekret u nxor për patriarkun e zgjedhur rishtas që i siguronte atij, zëvendësve të tij dhe peshkopëve nën të, gëzimin e privilegjeve, të të ardhurave dhe përjashtimeve të vjetra, të gëzuara nën sundimin e shkuar.”

Nisja e shoqërisë së Stambollit

Stambolli ishte i ndarë në 13 zona kryesore, çdonjëra e përbërë nga shumë lagje dytësore që kishin në qendër të tyre një xhami, kishë apo sinagogë. Çdo lagje përfaqësonte identitetin e përbashkët të banorëve të vet dhe kishte një të dërguar të posaçëm nga Gjykatësi i Madh i Stambollit (Na’ib-i) dhe një imam, i cili vepronte si kryeadministrator i lagjes. Priftërinjtë dhe rabinët ishin hallkat lidhëse midis banorëve dhe autoriteteve në lagjet e tjera.

Veç rolit në ruajtjen e kohezionit shoqëror dhe fetar brenda kufijve të saj, lagjja ishte një njësi administrative autonome, që siguronte shërbime dhe kujdesej për përgjegjësitë e përbashkëta civile, të tilla si puna mirëmbajtëse, pastrimi, mbledhja e taksave, shërbimi policor dhe detyrat e tjera civile ndaj shtetit. Lagje të ndryshme konkurronin në shfaqjen e identitetit dhe kulturës së tyre. Një shembull i kësaj është sinagoga hebreje e projektuar në formën e një barke, e cila simbolizon anijet osmane që e shpëtuan popullsinë hebreje të Andaluzisë (bashkë me muslimanët) nga shfarosja në masë prej sundimtarëve të tyre kristianë.

Sundimi i ligjit

Ngjarjet në Shën Sofi udhëhoqën një rifillim të sistemit sociopolitik të bazuar te imigrimi, të zhvilluar fillimisht në Damaskun omejad dhe më pas në Bagdadin abasid, përpara lëvizjes për në Kordova, në Andaluzi. Në të njëjtën kohë ishte një kthim i rolit mbrojtës të kryeqytetit (Stambollit); qyteti i cili e shtrin hijen e tij shoqërore, ekonomike, ushtarake dhe kulturore tejendanë një rajoni, pas një mungese përgjatëshumë shekujve, gjatë së cilave rajoni, pra, Lindja e Mesme, u bë fushë beteje për fraksione të ndryshme rivale. Kjo shoqëri me bazë imigrante qe përfaqësuar nga Stambolli osman, por këtë herë me një sistem të ri administrativ, të bërë të nevojshëm nga shumëllojshmëria në rritje fetare dhe etnike e shoqërisë. Kjo i ka bërë shumë autorë perëndimorë të sugjerojnë se ideja moderne e shtetësisëështë një koncept osman dhe se ky ishte përgjegjës për periudhën e gjatë të sundimit osman – perandoria më jetëgjatë në histori, e shtrirë në mbi gjashtë shekuj ndërsa sundoi mbi një popullsi prej më shumë se 80 etnicitetesh, religjionesh dhe sektesh.

Njerëzit e lënë të lirë të Shën Sofisë nuk ishin vetëm të shpërngulur të falur nga sulltani. Ata ishin ndjekur nga shumë njerëz të liruar nga të gjitha anët e botës që gjetën në kryeqytetin e shtetit të ri osman një lloj shoqërie të re, ofruese e një të ardhmeje premtuese dhe të sigurt. Një kategori e tretë e “të lënëve të lirë” përfshin njerëzit të cilët e morën në tokat e tyre sistemin e ri social osman. Një shembull i mirë i kësaj është mbreti Karli XII i Suedisë, i cili jetoi në mërgim në Stamboll në vitin 1709 dhe ishte aq i mbetur pa mend nga sistemi i kujdesit social në qytet sa i premtoi vetes se do të përpiqej ta kopjonte atë në Suedi nëse do ta rimerrte kurorën, çka e bëri. Sistemi i kujdesit social suedez sot u mbështet pikërisht në këto parime. Një tjetër përfitues i sistemit osman të administrimit të diversitetit kulturor është Europa e kohës moderne, e cila ka adoptuar pjesë të mëdha të sistemit osman.

Sistemi socio-administrativ i ardhur në jetë te Shën Sofia 567 vite të shkuara u bashkëshoqërua me një zgjerim të shpejtë rajonal të shtetit osman. Ky u bë rendi rajonal që i mbrojti shoqëritë e qyteteve të Lindjes arabe, si Mosuli, Halepi, Bagdadi, Damasku dhe Jerusalemi, për mbi pesë shekuj të sundimit osman dhe vazhdoi t’i japë trajtë shoqërisë moderne arabe edhe pas shembjes së Perandorisë Osmane.

Shën Sofia ishte skena e një kapitulli të ri në historinë e qytetërimit; pasi armët kishin heshtur. Si e tillë, simbolizmi i rikthimit të saj në xhami shkon përtej çështjes së një vendi adhurimi; është përkujtim i një momenti seminal në histori qësolli asgjë më pak se një rirenditje jetëgjatë të shoqërisë njerëzore.

Turqia, së bashku me shoqëritë arabe, është e nevojshme t’i rimësojnë mësimet e dhëna nga kjo histori spikatëse dhe përparimi i qytetërimit te popujt e rajonit, qytetet dhe shoqëritë e të cilit kanë qenë gati të rrënuara nga forca që kërkojnë ta shkatërrojnë sistemin shtetëror me bazë osmane. Nevojitet që ne të jemi të aftë të shpjegojmë arsyen pse shoqëritëtona arabe ishin në gjendje ta ruanin për shumë shekuj kohezionin dhe identitetin e tyre – ngjashëm me atëtë shoqërisë turke – por duken të paafta ta bëjnë sot këtë.

Mëkëmbja e terrenit të përbashkët kulturor turko-arab, të bazuar në parimet shoqërore që pasuan marrjen e Shën Sofisë, është kremtimi më i mirë dhe i duhur i të parës falje të së premtes në Shën Sofi pas 86 vitesh.

Marrë nga Radio 1 

Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/

 

 

 

auto pjese dak

Related posts