Analistët e Perëndimit: Me Jeruzalemin, Trump po e dorëzon Lindjen e Mesme në duart e Putinit

Analistët e njohur amerikanë të politikës ndërkombëtare e kanë cilësuar vendimin e presidentit Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit –kryeqytet të Izraelit, si një dorëzim të “Lindjes së Mesme në duart e rusëve”.

“New York Times”, thekson se vendimi i Trump e ktheu situatën saktësisht në kohën e Harri Trumanit, presidentit të vetëm që urdhëroi lëshimin e bombave atomike kundër një vendi.

Ishte Truman që njohu Izraelin në mënyrë të njëanshme, duke bërë që e gjithë bota arabe, thuajse e gjitha, të bëhet aleate me Bashkimin Sovjetik të Stalinit. Disa vite më pas, me ardhjen e Naserit, edhe Egjipti u bashkua me aleancën sovjetike.

Dhe kjo ka vetëm një arsye: Bashkimi Sovjetik njohu dhe mbrojti krijimin e shtetit palestinez. Madje presidenti i sotëm i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, ka mbaruar shkollën e Partisë “Lenin” në Moskë, aty ku përgatiteshin kuadrot më të rëndësishëm të partive komuniste dhe revolucionarët nga e gjithë bota.

NYT thekson se Trump i ka dhuruar Iranit një fitore që kurrë, vendi i cili ndodhet në kushte të vështira, nuk mund ta priste.

Pas konsolidimit të pozitës me fuqizimin e Bashar Al Asadit në Siri, Irani-sateliti i Moskës në Lindjen e Mesme po merr komandën e influencës. Nuk duhet harruar që edhe Egjipti ka kohë që po i afrohet pozicionit të Rusisë së Putinit.

Fareed Zakaria, analisti i njohur i CNN, thekson se Arabia Saudite ka marrë një goditje të madhe dhe i është ngulur një “thikë pas shpine” prej Donald Trump, i cili e bëri këtë pasi Mbreti Salman i kreu një blerje miliardere armësh.

Kurse “La Repubblica”, në një koment autorial të Vincenzo Nigro-s, thekson se tashmë është “Turqia, vendi që po merr postin e Arabisë Saudite në botën sunite, duke u pozicionuar përballë Amerikës”.

“OJF-të turke prej vitesh zhvillojnë një aktivitet të rëndësishëm në Jeruzalemin Lindor. Atje vepron fuqishëm El Kandin, OJF-ja që ka lidhje me IHH-në e famshme të Mavi Marmara-së, e cila u qëllua nga flota izraelite në Gaza. Në Stamboll kanë prej kohësh selinë krerët më të rëndësishëm të lëvizjes politike Hamas. Ndërsa El Kandin ishte organizatorja e protestave të mëdha pas vendosjes së dedektorëve në kompleksin e shenjtë të Xhamisë Al Aksa”, shkruan “La Repubblica”.

Rudolf Drebler, diplomat dhe analist i njohur gjerman, ish-ambasador në Izrael thekson se me vendimin e tij për transferimin e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem, presidenti Trump po sillet si bosi i një sipërmarrjeje industriale, që bën si të ketë qejf.

Sipas Drebler, këtë hap Trump e bëri për shkak të “injorancës kundrejt të gjitha zërave ndërkombëtarë”.

Tani, sipas ekspertëve, nuk bëhet fjalë për rifillimin e bisedimeve të paqes, por sesi mund të pengohet shpërthimi i një dhune të re.

Madje Drebler mendon se vendimi i presidentit Trump mund të çojë një intifadë të tretë, në rast se mbajmë parasysh se çfarë çoi në shpërthimin e intifadës së dytë: pikërisht vizita e ish-kryeministrit izraelit Ariel Sharon në Malin e Tempullit. /tesheshi.com/