Ambasadorët në Kosovë, leksion institucioneve: si të fitoni kundër korrupsionit

Java Kundër Korrupsionit ka mbledhur ambasadorët e Quintit në Kosovë, të cilët kanë kërkuar që të luftohet korrupsioni dhe në të njëjtën kohë të fuqizohet sundimi i ligjit.

Shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, ka deklaruar se luftimi i korrupsionit është hap që duhet bërë në kuadër të rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian, për çka ka bërë thirrje të çrrënjoset plotësisht nga institucionet publike.

“Për Bashkimin Evropian lufta kundër korrupsionit është një ndër prioritetet dhe është ndër mesazhet kryesore që dua ta përcjell sot. Bashkimi Evropian përmes raportit për vendin dhe për procesin e liberalizimit të vizave, për reformën e legjislacionit e ka rekomanduar Kosovën që të ndërmarrë hapa të fuqishëm në luftimin e korrupsionit si pjesë e rrugëtimit të saj drejt BE-së. Zyrtarët publikë të cilët janë të akuzuar për vepra korruptive duhet që të suspendohen nga puna, kurse ata të cilët janë të dënuar për këto vepra duhet që menjëherë të largohen nga zyra. Korrupsioni duhet që plotësisht të çrrënjoset nga institucionet publike, sepse interesat e opinionit publik nuk duhet të minohen nga interesat e dikujt”, tha Apostolova.

Ajo tha se në luftën kundër korrupsionit duhet të jenë të bashkuar të gjithë.

Mposhtja e korrupsionit është një nga sfidat më afatgjate të Kosovës, sipas ambasadorit të SHBA-ve, Greg Delawie, por i cili tha se tejkalimi i saj kërkon veprim të menjëhershëm.

“Ka ardhur koha të miratohet ligji i përditësuar për prokurorin disiplinore, ky do të jetë hap jetik në forcimin e kontrollit të ndërsjellët dhe të llogaridhënies në sistemin e drejtësisë së Kosovës. Sigurimi se personeli i sektorit të drejtësisë i përmbahet standardeve më të larta disiplinës dhe llogaridhënies është thelbësor për të ndërtuar besimin e opinionit publik në këto institucione. Ky ligj, për disiplinën dhe sjelljen në sektorin e drejtësisë si dhe reformat përcjellëse janë rezultat i punës së mundimshme nga ana e shërbyesve publik të përkushtuar”, tha ai.

Sipas Delawie, ky ligj duhet të jetë gati para fundit të këtij viti dhe shpreson që Kuvendi ta nxjerrë atë në rastin e parë të mundshëm.

Një mënyrë tjetër për luftimin e korrupsionit, Delawie është reforma e prokurimit publik, pasi që 40 për qind e buxhetit të Kosovës shkon përmes prokurimit publik.

Ndërkaq, ambasadori i Britanisë, Ruairi O’Connell, tha se si ambasadë janë të përqendruar në fenomenin e nepotizmit dhe klientelizmit.

“Në Ambasadën Britanike në veçanti jemi të përqendruar në fenomenin e nepotizmit dhe klientelizmit. Projekti ynë i punës me institucionet kosovare është që të thyej atë se njerëzit nuk duhet të punësohen vetëm për shkak të lidhjeve partiake apo personale me dikë. Por, në fund të fundit ne jemi vetëm duke ofruar një shërbim sepse ju takon institucioneve dhe qeverisë kosovare që të tregoj që kjo kulturë ka ndryshuar”, tha O’Connell.

Në luftën kundër korrupsionit sipas ambasadorit të Gjermanisë, Christian Heldt një rol të rëndësishëm e kanë edhe mediat, ku ai tha se mediat e pavarura duhet të ngritin vetëdijen për tërë shoqërinë.

“Luftimi i korrupsionit ka të bëjë edhe me kredibilitetin, kredibiliteti për ne si hisedarë që po përpiqemi ta ndërtojmë të ardhmen bashkë me partnerët tanë kosovarë është jashtëzakonisht thelbësor. Për këtë arsye kredibiliteti nënkupton edhe raportimet nga mediat për korrupsionin në mënyrë të duhur”, tha ambasadori gjerman.

Edhe ambasadori i Italisë dhe ai i Francës, kanë bërë thirrje për luftim të korrupsionit, si dhe fuqizim të sundimit të ligjit.

Java Kundër Korrupsionit ka filluar dje dhe do të zgjasë deri me 9 dhjetor, ku gjatë këtyre ditëve koalicioni i OJQ-ve do të ketë aktivitete të shumta për shënim të kësaj jave. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts