Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

KAUZA/ Ali Ahmeti: ja si mund të zgjidhet një kryeministër shqiptar pas zgjedhjeve

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, i cili në këto zgjedhje ka dalë me kauzën e një kryeminstri shqiptar – për herë të parë ky pretendim në Maqedoninë Veriore – i tha REL se si mund të realizohet kjo, të cilën ai e beson se mund të ndodhë.

“Qeveritë ndërtohen mbi bazë të marrëveshjeve, programeve zgjedhore. Ne si parti politike dalim dhe garojmë dhe më 15 korrik do të presim rezultatet. Dhe nëse ne jemi fitimtarë në bllokun politik shqiptar, e gjithë çështja do të varet se si ne do të negociojmë bisedojmë më 16 korrik.

Qeveritë në Maqedoninë e Veriut janë qeveri politike ku ulen dhe diskutojnë partitë për formimin e së njëjtave. Kemi shumë raste, jo vetëm këtu në rajon, në Ballkan, por edhe në Evropë që kryeministër i vendit zgjidhet nga një parti që ka më pak mandate.

Ne nuk pretendojmë se do të kemi më shumë mandate as sa Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë as sa VMRO-DPMNE, por ne pretendojmë se do të jemi fitues në kampin politik shqiptar dhe qeveria që do të ndërtohet, do të ndërtohet mbi bazë të negociatave”, tha Ahmeti për REL.

Sipas tij, të kërkosh e të luftosh për një kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, është diçka krejt legjitime, e se kandidati për këtë post i ka cilësitë e duhur për këtë sfidë.

“E drejtë legjitime po, qytetar i këtij vendi po, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me shtetin integritetin e shtetit, sovranitetin e shtetit, të ardhmen e shtetit, të gjitha këto i ka (Naser Ziberi) si një kandidat për kryeministër shqiptar dhe ku është arsyeja, cila është pengesa që ky vend të mos drejtohet edhe nga një shqiptar.

Çka ndodhi me Maqedoninë që u drejtua Ministria e Mbrojtjes nga një shqiptar? Përkundrazi u rrit besimi edhe më shumë nga komuniteti maqedonas te komuniteti shqiptar. Çka ndodhi me Maqedoninë që u drejtua gati se një vit e gjysmë Ministria e Punëve të Brendshme nga një shqiptar në kohë kur u desh që të menaxhojë me situata shumë kritike në këtë vend, pa mbajtur anë, drejtoi një proces shumë delikat.

Çka i ndodhi Maqedonisë me zgjedhjen e një shqiptari për kryetar të parlamentit? Ai ka drejtuar punët për mrekulli dhe kam dëgjuar vlerësime shumë të mëdha edhe nga pozita, por edhe nga opozita për punën që ka bërë kryetari i parlamentit. Përse tani të mos jetë një kryeministër shqiptar? Që ai si kryeministër të marrë përgjegjësi. Edhe ne jemi ata që i dalim zot këtij shteti edhe ne jemi shtetas të këtij shteti, ky është shteti ynë ky është atdheu ynë dhe duam që të demonstrojmë aftësitë tona për drejtimin e këtij shteti”, argumentoi Ali Ahmeti. /tesheshi.com/

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts