728 x 90 Leaderboard

Albin Kurti, fjala e parë pas rikthimit si kryetar: në Vetëvendosje s’ka ndarje, ka dorëheqje!

Kryetari i ri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në konferencën e parë pas zgjedhjes kryetar, ka thënë se dorëheqjet e disa anëtarëve të kryesisë së partisë nuk tregojnë ndarje në parti.

“Zgjidhja është pjesëmarrja aktive në organet tona. Nuk ka ndarje, por dorëheqje nga struktura të caktuara dhe jo dorëheqje nga anëtarësia dhe rrjedhimisht jo dorëheqje nga programi ynë që e kemi shkruar bashkë. Ne nuk jemi sekt formal unanim që do të ishim identik. Këtu lejohet mendimi ndryshe dhe diskutimi, kjo është vlerë dhe pasuri e lëvizjes”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se nuk mban inat ndaj askujt dhe nuk do hakmerret ndaj askujt.

“Unë e kam vullnetin e hekurt por jo dorën e hekurt. Duam organizatë që inkurajohet kritika dhe vetëkritika dhe jo një organizatë që do të ketë sharje e fyerje dhe jo keqpërdorim të atyre që kanë pozita më të larta”, ka thënë ai.

I pyetur lidhur me raportin me ish-sekretarin organizativ Dardan Molliqaj, i cili kishte kërkuar që Kurti të mos kandidonte për kryetar, i pari i VV-së ka thënë se “jemi deputetë të një grupi parlamentar”.

Kurti po ashtu ka thënë se kishte pasur besim të madh që do të kishte kundërkandidat për të parin e partisë, por shton se “kjo nuk ndodhi për fajin e tij”.

Ai ka mohuar raportimet se në Vetëvendosje e quajnë “babë” ose “komandant”. “Jo, sepse s’jemi në luftë, jemi në paqe dhe jam vetëm kryetar i VV-së”, ka thënë ai. /tesheshi.com/

Related posts