728 x 90 Leaderboard

Alarmimi i NATO-s me Albcontrol-in shqiptar: si përfundoi kupola e Kosovës në hapësirën qiellore serbe?

NATO ka nisur menjëherë hetimin mbi incidentin ajror të ndodhur në Shqipëri, ku thuajse e gjithë udhëheqësia e Kosovës është devijuar në hapësirën ajrore serbe.

Ngjarja ka shkaktuar alarmimin e strukturave të sigurisë ajrore të Organizatës së Atlantikut Verior, e cila ka dërguar menjëherë në Shqipëri një ekip për të shqyrtuar situatën.

Dy ditë pas alarmit që lëshoi gazetari Baton Haxhiu, sipas të cilit Albcontrol, agjencia që kontrollon hapësirën ajrore të Shqipërisë rrezikoi sigurinë e krerëve më të lartë të Kosovës, enti i rëndësishëm shtetëror pranon skandalin sipas të cilit avioni ku ndodheshin kryeministri dhe dy zv.kryeministrat e Kosovës ishin dërguar në hapësirën që e kontrollon Beogradi. Një rast i rëndë ky duke pasur parasysh sjelljen që Serbia ka ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sidomos ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj dhe zv.kryeministrit Fatmir Limaj, mbi të cilin ka mandate permanente arresti.

Albcontrol pranon incidentin dhe sqaron se avioni i nisur nga Prishtina drejt Brukselit është kthyer mbrapsht për në Mal të Zi, sepse kishte një kërkesë për pasagjerë të sëmurë në avion.

Hapësira ku ka kaluar avioni në Malin e Zi kontrollohet nga Republika e Serbisë.

 “Në rastin e avionit me call sign (shenjë thirrje) N604BA të ngritur nga Prishtina me destinacion Brukselin, plani i fluturimit që ne dispononim, i miratuar nga Netëork Manager në EUROCONTROL, kishte si pikë hyrje në hapësirën tonë ajrore pikën MAVAR (në kufirin tonë me Maqedonin) dhe fluturim direkt për në pikën RETRA (pikë në kufirin tonë me Malin e Zi, por që është një hapësirë ajrore që kontrollohet nga Beogradi).

Në momentin kur avioni hyri në kontakt me kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror, dhe ju bë e ditur rruga sipas planit të fluturimit që ne kishim marrë nga Netëork Manager, vazhdoi fluturimin sipas këtij plani, dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë speciale nga ky avion gjatë kësaj procedure.

Avioni është kthyer në hapësirën tonë ajrore me kërkesën se kishte pasagjerë të sëmurë në bord, për të kërkuar më pas rirrugëzim me dalje nga Brindizi, i cili i është ofruar menjëherë, pavarësisht vështirësisë për njoftim në moment të fundit”, theksohet në deklaratën e Albcontrol-it.

Agjencia që drejtohet nga Belina Balluku është një prej enteve publike që cilësohen “të paprekshme”, ku niveli pagave dhe buxhetit është i tej lartë në krahasim me entet e tjera.

Në hapësirë ajrore ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, lëvizin shpesh edhe mjetet ajrore ushtarake të misionit të KFOR-it, ndaj NATO nuk toleron as gabimin më të vogël në këtë drejtim.

NATO pritet të hetojë pse ka ndodhur incidenti dhe a ka ndonjë mundësi që e gjitha kjo të ketë ndodhur me dashje, ku nuk përjashtohet edhe influenca e shërbimeve sekrete të vendeve që janë kundër Aleancës së Atlantikut të Veriut, si Rusia.

Mësohet që përveç NATO-s, edhe kryeministri Edi Rama ka kërkuar raport të hollësishëm dhe ka dërguar një ekip nga qeveria për auditin.

Pritet që brenda këtyre ditëve të ketë edhe një vendim të rëndësishëm për t’u marrë. /tesheshi.com/

 

Related posts