728 x 90 Leaderboard

Akuzat mes partive në Kosovë: ja pse LDK, PDK e AAK ngjajnë si tre pika uji…

Nga Blendi Gashi

Tre partitë që kanë qeverisur me vendin nga paslufta në Kosovë, LDK, PDK e AAK (në koalicione të ndryshme) kur nuk e ndajnë tortën e pushtetit së bashku bëjnë jo pak akuza ndaj njëra-tjetrës për krim e korrupsion, siç po ndodh edhe këtë mandat.

Kjo është treguar së fundmi me rastin e ngritjes së aktakuzave ndaj zyrtarëve të lartë të këtyre partive për keqpërdorim detyre. Fjala është për aktakuzën ndaj ministrit të Inovacionit nga PDK, Besim Beqaj (akuzohet si i përfshirë në aferën ‘Pronto); ministrit të Infrastrukturës nga AAK, Pal Lekaj (akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte kryetar i Gjakovës); si dhe kryetarit të Istogut, njëherit nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova (akuzohet se i ka dhënë tender mijëra euro vëllait). Dhe në vend që t’i shkarkojnë këta zyrtarë të paktën derisa drejtësia të thotë fjalën e saj, tre partitë kanë vendosur t’i mbrojnë ata.

Kritikat e LDK-së ndaj Ramushit dhe më pas heshtja e tyre…

Është interesant fakti se sapo u ngritën aktakuzat ndaj dy ministrave të qeverisë aktuale, LDK nisi akuzat ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj duke i thënë se po mban në qeveri këta dhe se duhet t’i largojë ata.

Së pari, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një nga seancat e fundit plenare kërkoi që zyrtarët e lartë që janë me aktakuza ta lirojnë detyrën, kurse më pas një kërkesë të tillë bëri edhe bashkëpartiaku i tij, deputeti Lumir Abdixhiku i cili ka shtruar pyetjen: si është e mundur që nga gjithë njerëzit e mirë që ka Kosova, të mbahen në rreth njerëz me aktakuza për krim?

Ama që të dy këta kanë heshtur kur Prokuroria Themelore në Gjakovë ngriti aktakuzë kundër bashkëpartiakut të tyre, kryekomunarit të Istogut Haki Rugova, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit, duke i dhënë tender vëllait të tij, Gani Rugovës, në vlerë rreth 300 mijë euro.

Në të njëjtën linjë me këtë dubël-standart të tre partive të mëdha, është edhe AKR-ja e Behgjet Pacollit e cila po ashtu ka një hise jo të vogël në qeveritë e pasluftës. Edhe kjo parti ka një ministër nën aktakuzë. Bëhet fjalë për Valdrin Llukën, ministrin e Zhvillimit Ekonomik që akuzohet për konflikt interesi. /tesheshi.com/

 

 

Related posts